Rusia nuk ka ndaluar bombardimet ndaj Ukrainës as në mbrëmjen e festimit të Krishtlindjes, kësaj feste të rëndësishme për besimtarët e krishterë.
Mediat ukrainase konfirmojnë se raketat dhe dronët e Rusisë kanë pasur si objektiv gjatë natës pothuajse të gjitha qytetet kryesore të Ukrainës.
Forcat ajrore të Kievit raportuan se bombarduesit strategjikë rusë Tu-95 u ngritën gjatë natës dhe se një numër i raketash Kalibr ishin lëshuar nga Deti i Zi.
Qyteti lindor i Kharkiv-it në veçanti u vu në shënjestër nga të paktën shtatë sulme me raketa. Shpërthimet shkaktuan zjarre dhe të paktën 2 të lënduar që u dërguan në spital.
Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko tha se Rusia po bombardonte sektorin energjetik të vendit
“Armiku po sulmon sërish masivisht sektorin e energjisë. Operatori i sistemit të transmetimit po merr masat e nevojshme për të kufizuar konsumin dhe minimizuar pasojat negative”, shkroi Galushchenko në Telegram.
“Putini zgjodhi qëllimisht Krishtlindjet për një sulm. Çfarë mund të ishte më çnjerëzore?”, shkroi presidenti Zelensky për sulmet duke falënderuar forcat ukrainase për përpjekjet e tyre në mbrojtjen e vendit. /e.t