Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkoi të premten më 27 dhjetor dënimin me masën minimale që parashikon ligjit, të kryetarit socialist të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Memolla akuzohet se ndikoi për të ofruar favor në këmbim të votës, kur kandidonte për funksionin që mban. Akuza që rëndon ndaj Memollës parashikon dënimin nga 1 vit deri në 5 vjet burg.
Memolla u denoncua për këtë fakt në media, megjithatë ai u zgjodh fitues për të drejtuar Bashkinë e Rrogizhinës dhe në vijim.
Organizata Qëndresa Qytetare, ngriti shqetësime të premten për këtë kërkim të SPAK. “Krimet zgjedhore prova e zjarrit për SPAK për 2025! Precedenti Memolla prej vitesh është prezent në Shqipëri ku asetet e administratës përdoren në shërbim të zgjedhjeve”, thuhet në reagim.
Organizata sjell në vëmendje se përdorimi i burimeve publike për mbështetje politike gjatë fushatave elektorale ndalohet me ligj, por zbatimi i këtij ligji mbetet sfidë. Qendrasa Qytetare vë në dukje nga një anketim që kjo organizatë ka kryer, ka rezultuar se 85% e qytetarëve besojnë se burimet shtetërore keqpërdoren për qëllime zgjedhore, duke ndikuar kështu edhe në rezultatin final të zgjedhjeve.
“Qëndresa Qytetare fton SPAK që kryefjalë të punës për vitin 2025 të ketë pikërisht krimet zgjedhore, që konsiderohen burimi korrupsionit në administratë”, shtohet në reagim.
BIRN pyeti SPAK për koment se përse në këtë rast është vlerësuar të kërkohet dënimi me masën minimale që parashikon ligji. SPAK tha se do të ketë një përgjigje të hënën lidhur me këtë pyetje.
Në nëntor të vitit 2023, SPAK dërgoi për gjykim kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla dhe tre persona të tjerë të akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe falsifikim dokumentesh. Sipas SPAK, Memolla ka ndikuar tek elektricisti Blerim Xhamani, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022. Po ashtu, Memolla ka komunikuar me Xhamanin për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.
Xhamani u mor i pandehur për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Sipas SPAK, ai së bashku me të pandehurin Isuf Tosku, falsifikuan të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë abonentit debitor. I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, u akuzua se i premtoi një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati në ato zgjedhje të pjesshme lokale.
Prokurori i çështjes, Edvin Kondili kërkoi të enjten në gjykatë dënimin e Edison Memollës me 1 vit burg dhe heqje të të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet. Për të pandehurit Ndriçim Tafxhafa dhe Isuf Tosku u kërkua po ashtu nga 1 vit burg, ndërsa ndaj Blerim Xhamanit u kërkua dënimi me 2 vjet burg. Seanca e radhës kur pritet që të paraqesë mbrojtja konkluzionet e saj do të zhvillohet më 10 janar.
Memolla nuk është i pari kandidat për pushtetin lokal që akuzohet për korrupsion në zgjedhje. Më 5 mars u dënua me 2 vjet burg kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri./ S,M