Post Panair/ Përshtypje, rrëfime dhe pikëpamje nga çfarë u pa në panairin e Kongreseve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ermal Spahiu

Nëntori konfirmoi sërish se i përket librit. Kështu ndodhi në edicionin e 27-të të panairit të librit që u mbajt për katër ditë me radhë brenda Pallatit të Kongreseve, në afërsi të sheshit “Nënë Tereza”, pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, ku gjithçka mori ngjyrat që i takojnë ngjarjes më të rëndësishme kulturore në vend. Mbi 90 botues të pranishëm dhe qindra autorë shqiptarë ishin aty, në çdo stendë për të mirëpritur lexues të çdo moshe, të cilët shfaqën sërish lidhjen e fortë që kanë me librin. Një maratonë masive, tek e cila shumë vizitorë vëzhguan nga afër libra të zhanreve të ndryshme, aq sa bëhej e vështirë për ta për tu shkëputur prej tyre. Krijimi i urave të komunikimit mes autorëve dhe lexuesve, konfirmoi edhe njëherë elementin kyç që i jep kuptimin e vërtetë kësaj ngjarje, për një marrëdhënie që nuk thyhet, veçse përforcohet me kalimin e viteve.

Figure 1 Panairi i Librit në Pallatin e Kongreseve.

Kështu mund të quhet ky panair, aty ku çdo histori prek jetë njerëzish. Një trinom i fortifikuar, në të njëjtin mjedis dhe për të njëjtin qëllim; botues, shkrimtarë dhe lexues; për të treguar se letërsia dhe libri janë gjithmonë aty, për ti prekur të gjithë së bashku. Numrat e botuesve pjesëmarrës vazhdojnë të rriten, sidomos edicionin që lamë pas. Entuziasmi nuk mungoi edhe këtë herë për mysafirët që e pritën sërish me të njëjtin emocion, duke mbushur radhët në çdo cep. Shkelnin brenda ambienteve duarbosh dhe dilnin prej tyre me qese nëpër duar librat e përzgjedhur. Nuk kishin dallim moshe. I shihje aty, të madh e të vogël, në pritje për të marrë librin e radhës pasi kishin blerë të parin.

Në emër të librit, një takim i domosdoshëm dhe investimi për të ardhmen

Në sytë e atyre që dëshmuan dhe lëvruan këtë eksperiencë, fshihen të tjera narrativa, sidomos kur bëhet fjalë për personazhe që patën mundësinë ta preknin më nga afër këtë ngjarje kaq të rëndësishme. Ndër to, është dhe Egla Xhemalaj, gazetare e kulturës dhe autore e emisionit “Odeon” në televizionit Syri. Në këtë edicion të 27-të, Xhemalaj ndan përshtypjet e një aktiviteti që zgjati për vetëm 4 ditë por që dhuroi ngjyrat me të cilat ai identifikohet. “Panairi më dha një ndjesi krenarie për gjallërinë e botës letrare shqiptare, por gjithashtu më bëri të reflektoj për çfarë mund të përmirësohet”, shprehet fillimisht gazetarja, e cila thekson emocionin që përjetohet kur sheh njerëz të shumtë në një hapësirë të vetme. Megjithatë, ajo nuk denjon pa kritikuar dhe performancën e këtij organizimit, duke e arsyetuar me faktin se “është e pamundur të injorohet se ka ende shumë për të bërë për ta sjellë librin më afër masës”.

Figure 2 Egla Xhemalaj, gazetare e kulturës

Sipas saj, për ta bërë të mundur këtë, nevojitet një strategji më e mirë duke aplikuar dhe tendencat e teknologjisë, si nxitje për pjesëmarrjen e lexuesve të rinj, sikurse për të mbështetur akoma më shumë autorët që promovohen për herë të parë në të tilla aktivitete pranë tyre. “Libri është mjet i fuqishëm kulture dhe edukimi, por pa investim të vazhdueshëm dhe qasje të përshtatur, potenciali mbetet i paplotësuar”, potencon gazetarja.

Egla Xhemalaj ka qenë pranë autorëve shqiptarë, për të disatin vit në aktivitetin e panairit, një përvojë të cilën ajo e cilëson si thesar të çmuar për profesionin e saj, pa lënë mënjanë dhe ndikimin në aspektin personal. Duke marrë në konsideratë vlerën e një gazetareje kulturore në të tilla ngjarje, është e pamundur mos ta gjesh atë mes njerëzve, me mikrofonin në dorë për të intervistuar shkrimtarë të ndryshëm, për ti dhënë atyre zë për veprat që kanë botuar. Lidhur me këtë përvojë, Xhemalaj citon se si gazetare e përshkruan unike mundësinë për tu afruar pranë individëve që kanë kontribuar në ndërtimin e kulturës shqiptare përmes fjalës së shkruar. “Çdo intervistë me ta është një udhëtim i veçantë”, nënvizon ajo, teksa e lidh me eksplorimin e botës krijuese dhe përvojave personale të autorëve.

Sakaq, Elsa Skënderi, profesoreshë në Universitetin e Tiranës, si dhe studiuese me përvojë në letërsinë shqipe, ndan këndin e saj të vështrimit mbi çfarë ajo mori në këtë aktivitet, në të cilin nuk doli duarbosh. Skënderi rrëfeu se çfarë do të thotë një panair për të, teksa përshkruan detaje mbi veprat që i ranë më së shumti në sy, sikurse për autorët që simpatizon më shumë. “Panairi i Librit është një festë e bukur për të gjithë libradashësit. Me gjasë, java më e domethënëse në kalendarin festiv të kryeqytetit, sepse qytetarët e Tiranës vihen në kërkim të librave, të letërsisë e të literaturës”, shprehet fillimisht pedagogia, e cila vizitën në çdo stendë e përkufizon si ritual përmbushës, – “për të gjithë ata që i duan përnjëmend librat dhe mezi presin për ti marrë në duar botimet e reja”.

Për studiuesen, ky ritual është ajo çfarë i nevojitet më së shumti shkrimtarëve, pasi në kohë sfidash dhe transformimesh, leximi, studimi dhe raportete e paprera me librin e dijen, shpëtojnë shoqërinë.  Sa i përket librave të përzgjedhur, ajo rrëfen se është e apasionuar pas librit “Hajmalia”, i shkrimtarit dhe akademikut nga Kosova, Zejnullah Rrahmani. “Libri (që tashmë e ka përfunduar së lexuari) është një himn madhështor për ndjenjën e dashurisë, ku bashkë me ndjenjat sublime frymon gjithë natyra, e thirrur në ndihmë të rrëfimtarit, si dhe gjuha shqipe që në këtë vepër i ngjan një gurre magjike të hijshme e të përjetshme. Skënderi vlerëson gjuhën e përzgjedhur me shumë kujdes të autorit Rrahmani, sipas të cilës, shqipja e tij, sidomos për dashurinë rrjedh si rrallëkund duke i vënë dhe epitetin si “libri i mrekullisë”.

Figure 3 Elsa Skënderi, pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe studiuese

Studiuesja shpjegon të tjera karakteristika që e bëjnë kaq të veçantë shkrimtarin kosovar: “Ta fjalësosh e ta figurosh një ndjesi dashurie me njëmijë e një mënyra dhe gjuha të mos të të zbërdhylet është sprovë që vetëm shkrimtarët (e përnjëmendtë) mund ta tejkalojnë. Zejnullah Rrahmani për mua është shkrimtari më i mirë shqiptar, që shkruan ende aktivisht. Për fat të keq, vepra e tij njihet shumë pak në Shqipëri. Mendoj që në këtë drejtim duhet bërë më shumë për integrimin më të plotë të letërsisë shqipe të Kosovës në kurrikulën shkollore dhe universitare.”

Masandej, profesoresha nuk lë pa përmendur dhe vepra të tjera si “Zogj të harruar dhe tregime të tjera” nga Shqiptar Oseku, “Shtatë dritare” nga Virion Graçi, “Përmbytja” nga Granit Zela, librin më të ri me poezi nga Agron Tufa etj. Nga letërsia e huaj po veçoj këtu “Kënga e Profetit” nga Paul Lynch, “Mosha e brishtë” nga Donatella Di Pietrantonio, apo librin me tregime nga Kundera “Libri i së qeshurës dhe harresës”. Siç duket, panairi për të mbetet një pikë ndalese e pashmangshme në ditët e fundit të dhjetorit, si për të kumtuar që letërsia i ka të gjitha formulat për të zënë gjurmë në mjedisin shpirtëror të vetë lexuesit.

Një tjetër dëshmitare e suksesit të këtij Panairi është dhe Liza Brozi, lexuese dhe shkrimtare e cila e sheh këtë aktivitet si mënyrën më të mirë për ta përballur lexuesin me librin. Sipas, saj, për të rinjtë që shpesh i largohen atij në mënyrë të qëllimshme ose jo, një organizim i tillë mund të rizgjojë sërish dëshirën e tyre për ti prekur librat, qoftë për të blerë së paku një vepër. “Sivjet panairi i librit ishte plot me njerëz që hynin dhe dilnin, mësues me nxënësit e tyre, gjimnazistë të grupuar ose fëmijë të shoqëruar nga prindërit, ndoshta pikërisht mosha që ka një nevojë tu flitet pak më shumë për librin e mirë. Duke qenë se studentët kanë arritur në një kanalizim të shijeve të tyre dhe e dinë për çfarë shkojnë e sigurisht blejnë çfarë ju nevojitet dhe i njohin pritshmëritë e tyre”, shpjegon Brozi se çfarë pa me sytë e saj.

Ashtu si çdo vit të panairit, edhe Liza planifikon kohën e saj të cilën e menaxhon në mënyrën më të mirë të mundshme për ti krijuar vetes një bibliotekë me libra, duke vlerësuar gjithashtu dhe buxhetin e shpenzimeve. “Sigurisht mora disa libra që i mungonin bibliotekës time, libra historie, të cilët i kam të pandarë që prej periudhës së fakultetit, gjithashtu edhe letërsi klasike kryesisht, por edhe bashkëkohore. Mundohem gjithashtu të jem në kontakt edhe me letersinë që shkruajnë të rinjtë në shqipëri, bashkëkohesit e mi dhe sivjet ka patur botime të reja dhe cilësore”, rrëfen mes të tjera ajo.
Ndryshe nga parafolësit e mësipërm, Liridon Mulaj nuk mendon se panairi i nëntorit prodhoi diçka të re, duke qëndruar tek stili i njëjtë i organizimit pa dhënë shkëndija të veçanta. Mulaj është shkrimtar i njohur, i njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht për veprat e tij të cilat i gjen të përkthyera në disa gjuhë të huaja, si turqisht, italisht, holandisht, anglisht dhe rumanisht. Këtë herë, ai zgjodhi që në këtë panair të marrë pjesë si lexues me kohë të plotë. “Panairi mbetet i njëjti, pa asnjë risi apo diçka të re me të cilën të përfaqësohet. Struktura mbetet e njëjtë, njëfarë pazar libri ku lexuesi kryesisht shkon për shëtitje dhe në këtë kuadër, vëzhgon titujt e ri ose ato që i duken më interesantë. Nuk ka një orientim për titujt e ri, nuk ka një sinops ose një përshkrim për secilin libër diku në një platformë e cila mund të ketë vetëm këtë funksion”, shpjegon Mulaj, mes të tjerash duke përsëritur se panairi mbetet fotokopje e vetes, ku autorë dhe lexues dynden në një hapësirë të madhe me libra pa një pikëtakim të qartë.

Figure 4 Liridon Mulaj, shkrimtar

Më tej, Liridoni flet dhe për veprat që i tërhoqën më së shumti vëmendje dhe kush ishte autori që spikati më shumë sipas tij. “Pati disa botime të reja, qoftë nga autorët shqiptarë por edhe ata të huaj. Dy libra të cilët i evidentova nga panairi dhe që për mua kanë qenë surprizë e madhe ishin “Kohëstrehim” i shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov dhe “Kënga e Profetit” nga irlandezi Paul Lynch. Dy romane tronditëse që paralajmërojnë një realitet distopik. Letërsi e madhe.”

Promovimi i veprave të autorëve nuk do të përcillej po njësoj pranë lëvruesve dhe dëgjuesve nga ekrani, pa praninë e gazetarëve të cilët bëhen shkak që ata të njihen plotësisht mbi profilin e tyre. Një lidhje e tillë, rrëfen Xhemalaj, e bënë më të natyrshme dhe ekzistencën e intervistave të cilat nuk shërbejnë vetëm për të informuar, por edhe për të nxjerrë thelbin e veprave si dhe personalitetin e autorëve. Ndryshe ajo e quan diversitet mendimesh, teksa vë në dukje bisedat me shkrues të ndryshëm dhe për këtë, Xhemalaj shton se përmes fuqisë së fjalët krijohen ura mes njerëzve dhe nga kjo vjen frymëzimi për të sjellur ndryshimin, një faqe të re e cila shtrin kulturën shqiptare në të tjera dimensione vlerash.

Botuesit që “rrëmbyen” podiumin në skenën letrare

Si çdo vit, vëmendjen në organizimin e Panairit të Librit e marrin shtëpitë botuese të cilat hapin portën e një kapitulli të rëndësishëm të letërsisë për lexuesit shqiptarë. Ato janë baza ku përqëndrohet panairi, duke shërbyer si formuese, pa të cilën s’mund ti japësh kuptimin e duhur se çfarë do të thotë të afrosh lexuesin pranë dijes. Botimet Univers mbetet një nga shembujt konkretë se si një botues, nxitës për autorët e rinj shqiptarë, shton vlerën e një aktiviteti të tillë përmes suazit që ofron në stendën e saj. Me një eksperiencë gati 15 vjeçare në tregun e botimeve ku numërohen rreth 200 tituj, në shqip dhe të huaj, Univers merr pjesë në “Pallatin e Kongreseve” që prej vitit 2019, duke qenë pranë lexuesve, në çdo muaj nëntor dhe në katin e dytë, në të djathtë të godinës.

Drejtuesit e kësaj shtëpie botuese janë të bindur se falë këtyre organizimeve, puna e tyre bëhet më e lehtë për tu dalluar nga njerëzit që janë të dhënë pas librave dhe në sytë e tyre, kjo bën diferencën. “Është një emocion i veçantë; si për botuesit, ashtu edhe për lexuesit. Është kënaqësi më vete kur shikon një lexues, i cili gjen një libër dhe kënaqësinë e manifeston dukshëm, duke na bërë të ndihemi mirë të gjithë. Për ne ky ishte një panair shumë i veçantë, edhe për shkakun se titujt që ofruam ishin vërtetë të pëlqyer nga lexuesit, po ashtu edhe mundësia që ne iu ofrojmë autorëve shqiptarë të jenë të pranishëm në stendë dhe të kenë një kontakt të drejtëpërdrejtë me lexuesit është vërtetë diçka pozitive, sa i përket mbështetjes ndaj shkrimit shqip”.

Në botimet Univers mund të gjesh zhanre nga më të ndryshme, por ata e kanë një shkrimtare të spikatur me të cilën mund të krenohen, kjo për shkak të reagimit pozitiv me të cilin është pritur çdo botim i saj. Bëhet fjalë për Aulona Ilasllarin, e cila të gjitha vëllimet e saj i ka investuar pranë kësaj shtëpie botuese. Ata shprehen të lumtur që përmes suksesit të saj, ata njihen më shumë dhe fitojnë besueshmëri nga lexuesi për vazhdimësinë e veprimtarisë së tyre prodhuese. “E padjallëzuara” ishte libri i saj më i ri, i cili u prit jashtëzakonisht mirë nga lexuesit”, konfirmon Altin Hoxha, pjesë e stafit të Univers, sipas të cilit, autorja shqiptare është bërë tashmë shumë e njohur për shoqërinë.

Figure 6 Aulona Ilasllari, shkrimtarja e njohur në stendën e Botimeve Univers, teksa jep autografe dhe shkëmben biseda me lexues.

Megjithatë, në këtë shtëpi botuese nuk është vetëm Aulona autorja që u prit mirë për punën e saj, pasi në lëmin e artistëve të rinj përfshihen dhe Eduart Bardhi së bashku me Flori Kasaj, dy autorë të rinj që u promovuan në stendën Univers, teksa nuk mbeten pas dhe autorë të huaj si Ali Hazelwood, Abby Davies, Felicia Kingsley, Mary Shelley, Maurice Leblanc. Shitjet mbeten formulë suksesi dhe krahas përfitimeve financiare, receta e çdo arritje tek ta qëndron në investimin e punimeve serioze, të cilat nuk zhgënjejnë kurrë. “Panairi i Librit 2024, pa asnjë dyshim që ishte një sukses i madh për ne në çdo aspekt, si atë ekonomik, profesional dhe në aspektin e marketingut”, thonë drejtuesit, ku pjesëmarrja në një nivel të tillë do të thotë një ngritje shumë e madhe profesionale që përkthehet në motivim për punën në të ardhmen dhe për atë se çfarë premtojnë në vitin pasardhës, atë 2025.

Ndryshe nga shumë të tjerë, mendon Ndriçim Kulla, shkrimtar, publicist dhe drejtues i botimet “Plejad”, i cili gjen dhe kritika për t’ia adresuar organizimit të këtij panairi. Ai është autor i veprës “Narkodiktatura shqiptare në oborrin e Europës – Administrata Biden – Blinken e ndihmoi – Europa heshti”, për të cilën ishte i pranishëm vetëm për ti dhënë autografe lexuesve të tij. “I kushtova gjithë vëmendjen time reagimit të këtij botimi politik dhe nuk jam përfshirë aspak në axhendat e panairit. Për mua libri shqip është i vdekur”, shprehet i prekur Kulla, – “aktualisht të gjithë zhvillimin e saj e ka mbuluar kolera”.

Figure 7 Ndriçim Kulla, shkrimtar dhe drejtues i Botimeve Plejad.

Shkrimtari i njohur ngre alarmin bazuar në shifra, duke theksuar se “titujt e botimeve të reja janë ulur në masën 70% krahasuar me një dekadë më parë”. Ai shton se dhe numri i lexuesve është ulur në të njëjtën pikiatë, aq sa sipas një sondazhi të bërë dy vite më parë, “gati 1 milion shqiptarë nuk kishin lexuar asnjë libër” dhe për këtë ai del në përfundimin se kultura në Shqipëri po vdes.

Ura që lidh gjeneratat e letërsisë, përvoja dhe talenti si “kult” për të ardhmen

Komunikimi mbetet pikë kyçe në krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme mes shkrimtarëve dhe lexuesve. Një lidhje kaq e ngushtë e cila kërkon vazhdimësinë dhe nxitjen për ti ofruar letërsisë një kulturë të përbashkët, të mishëruar nga eksperienca dhe risia si komponentë të vlefshëm për përmirësimin e standardeve të kulturës shqiptare dhe sidomos kulturës së leximit. Të qënit shkrimtar, ku ke hapësirën e mjaftueshme publike brenda një ndërtese në të cilën të ofrohet terreni për të prezantuar veten dhe veprat e tua janë ndjesi të ndërsjellta mes dy brezave shkrimtarësh, të cilët nuk zgjedhin të konkurrojnë mes tyre për të prekur suksesin e më të mirit, por janë aty së bashku duke peshuar investimin e tyre në duart e lexuesve, të rinj e të vjetër.

Alban Tufa, Azgan Berbati, Aulona Ilasllari, Ida Vogli, Eduart Bardhi, Luçjano Bardhi janë disa dëshmi konkrete të një bashkëveprimi mes autorësh të cilët përmes kësaj fryme, ofrojnë pikëpamje diversitetesh nga më të ndryshmet. Alban Tufa, shkrimtar me përvojë i katër veprave me poezi dhe prozë, i cili angazhohet edhe si lektor me kohë të plotë në Universitetin Bedër, ndan eksperiencën e tij të dytë në panairin e librit, teksa potencon dhe çmimin që ky aktivitet ka për ngritjen në perspektivë të autorëve shqiptarë. “Panairi në parim është shumë i bukur dhe më shumë se sa i dobishëm, është i domosdoshëm”, thekson Tufa, i cili teksa ndalet tek përshtypjet e tij që ngjajnë gati të njëjta, referohet tek karakteristikat e këtij organizimi: Çmimet e librave rriten çdo vit; lexuesi priret të jetë i pa orientuar; shumë zhurmë; shumë takime; njëfarë pushtimi nga personazhet turbo-folkut mediatik; njëfarë veleritje që mbizotëron; çmime që fituesit paradihen edhe pse vagullt. Autori këtë herë erdhi në panair me dy vepra, një me titullin “Po si kur të mos jetë ëndërr”, roman i shkruar prej tij dhe një roman të përkthyer të Robert Bolanjos nga spanjishtja, një eksperiencë e re për të.

Teksa ndalet tek përshkrimi që i jep shkurtimisht librit të tij si “reflektim për kujtesën e shkurtër, përdorimin e tepruar të pajisjeve elektronike, si dhe për mënyrën se si shoqëritë manipulohen si pasojë këtyre dy faktorëve”, ai ndan dhe vlerësimin që ka marrë prej lexuesve të tij, duke shkëputur një detaj interesant: Ata që më duan, dhe shpesh kjo e kapërcen autorin, patjetër që ishin. Madje më kanë bërë të ndjehem i vlerësuar, për shkakun se nuk pata ftuar asnjë njeri në mënyrë direkte për të qenë në promovim.

Figure 8 Alban Tufa, shkrimtar dhe pedagog me kohë të plotë në Universitetin Bedër.

Në anën tjetër qëndron Aulona, një shkrimtare me të njëjtën përvojë dhe e afirmuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Autore e katër librave, ajo këtë herë erdhi në panair me veprën “E padjallëzuara”, një nga botimet me përshtypjet më pozitive nga lëvruesit e librit, teksa shpjegon rrugëtimin e saj në krijmtari. “Çdo gjë më vjen nga shpirti. Arti ka qenë pjesë e jetës time në çdo moment, unë pa të s’mund të jetoj, për mua është gjithçka”, rrëfen Ilasllari e cila e sheh artin si shpresën e fundit për të mbajtur gjallë shpirtin. Sa i përket epiteteve, shkrimtarja me origjinë nga Gradeci zgjedh të jetë e drejtpërdrejtë duke mos u kapur pas një titulli siç e quan ajo, një aspekt i suksesshëm për një artist që shkruan.

“Përditshmërisht unë jam Aulona, përtej çdo gjëje tjetër çfarë mund të shohin njerëzit”, nënvizon Ilasllari, e cila statusin e shkrimtares nuk e sheh si emërtim me të cilin i drejtohen lexuesit, – “dua të më njohin njerëzit si Aulona. nuk dua të përfitoj nga ky titull”, rithekson sërish, duke lënë përshtypjen e një autoreje që kërkon të gëzojë respektin e njerëzve që e lexojnë vetëm përmes emrit të saj, asgjë më shumë. E pyetur rreth përjetimeve në panairin katërditor, Aulona shpjegon se ndryshe nga eksperienca e një viti më parë, pati më shumë siguri dhe ishte më e afërt me lexuesit e saj: Pozitiviteti ishte kudo dhe ndihesha e lumtur që takova aq shumë njerëz që më dhanë energji pozitive.

Lexo edhe :  30 vjet pas publikimit, ja sa fiton “All I Want for Christmas” e Mariah Carey në një vit

Sfida më e madhe u përket autorëve të rinj. Edhe pse idetë e tyre nxisin lexuesin tek prurjet e reja, ata e dinë që përballë një tregu të mbingarkuar shkrimtarësh, duhet të bëjnë çmos që të njihen nga shoqëria shqiptare, qoftë përmes ekranit apo pjesëmarrjes në të tilla ngjarje kulminante. I tillë është dhe rasti i Eduartit, Idës dhe Luçjanos, të cilët prekën për herë të parë një ngjarje të përmasave të tilla si ky Panair. Saida Vogli është njëra prej tyre. Autorja e cila jeton në qytetin e Golemit, vend i cili i ka dhënë ndjesinë e qetësisë dhe frymëzimit, u promovua për herë të parë me veprën e saj “Ndjenja të rrëmujshme”, një vëllim poetik të cilin Vogli e përshkruan me nota dhimbjesh që i sjell jeta si sprovë.

Për shkrimtaren, tashmë në hapat e saj të parë në krijimtarinë fizike, pasioni i saj mbetet poezia dhe proza si rrymat e letërsisë ku gjen më së shumti veten. Ajo mori pjesë në ngjarjen e nëntorit që u mbajt në Pallatin e Kongreseve dhe siç rrëfen, emocionet e takimit me lexuesin i ofruan energjinë që nuk e priste. “Një ndjenjë që nuk përshkruhet lehtë. Ishte hera e parë që pashë librin tim të ekspozuar në mesin e veprave të tjera, dhe kjo më mbushi me krenari dhe emocion”, thotë e emocionuar Saida, e cila në ato katër ditë shkëmbeu përshtypje pozitive me njerëz të ndryshëm që kaluan në stendën e shtëpisë botuese për poezitë e saj, teksa shkon, – “ishte sfidë sespe kuptova peshën e përgjegjësisë që vjen kur ndan diçka kaq personale me botën. Ndjenja të rrëmujshme u prit vërtetë mirë nga të gjithë dashamirësit e librit dhe kjo u dëshmua jo vetëm me prezencën fizike të njerëzve që e takuan autoren, por edhe në interesimin e vazhdueshëm në rrjete sociale, aty ku Vogli nuk ngurron të ndan çaste nga çdo veprimtari në të cilën promovon vëllimin e saj poetik.

Ashtu siç titullohet vetë vepra, autorja përshkruan dhe lidhjen emocionale që ky vëllim ka shkaktuar tek ata lexues që kanë lexuar përjetimet e saj.  “Një përzierje emocionesh, mendimesh që nuk kanë gjithmonë një rregull apo rend”, shpjegon ajo teksa flet për ndjenjat që shpesh pushtojnë papritur, si një stuhi, duke na bërë të reflektojmë, të vuajmë, apo të gëzojmë. Për autoren, ky libër është një udhëtim ku mishërohet çdo moment i jetës së saj, përfshirë dhimbjen, dashurinë dhe shpresën. “Çdo poezi, – vë në dukje Saida, – “është një copëz nga kjo rrëmujë ndjenjash, teksa beson se shumë njerëz mund të ndjejnë veten në ato rreshta.

Eduart Bardhi është një tjetër prurje e re e këtij panairi. Ai vjen nga një qytet i vogël, por me shumë histori dhe traditë siç e quan autori, teksa tregon se krahas kësaj veprimtarie, ushtron dhe profesionin e gazetarit dhe studiuesit kritik. Dashuria për letërsinë, siç shprehet Bardhi, i ka zanafillat e hershme dhe ky atribut ka ndikuar për të shprehur anën e tij më të mirë siç është shkrimi. Eduarti erdhi në panairin e tij të parë si shkrimtar debutues në katër ditët e nëntorit, ku përshtypjet e tij pas eksperiencës që përjetoi nuk ngurron ti ndajë. “Ishte një përvojë unike dhe emocionuese. Të shohësh librin tënd në duart e lexuesve dhe të dëgjosh përshtypjet e tyre ishte një ndjenjë që s’përshkruhet lehtë. Panairi ishte si një festë e madhe e kulturës dhe letërsisë, dhe unë isha krenar që isha pjesë e saj.”

Ndërkaq, ai shpjegon se çfarë do të thotë vepra e tij e parë për lexuesin dhe si rrodhi gjithçka që tek krijimi i këtij vëllimi me poezi e deri tek çasti për ta prekur atë fizikisht me duar: Gjithmonë kam pasur prirjen për t’i parë gjërat në detaje dhe për t’i transformuar ato në tregime, poezi apo reflektime. Libri “Malltretja” është rezultat i një procesi të gjatë meditimi dhe krijimtarie. Më tej, i riu reflekton dhe mesazhet që mbarten në këtë botim vërtetë të pëlqyer nga lexuesit e tij. “Titulli “Malltretja” është një simbolikë e vuajtjeve dhe përpjekjeve njerëzore për të gjetur kuptim në një botë të ndërlikuar. Është një reflektim mbi përballjet që kemi si individë, qoftë me veten, qoftë me shoqërinë. Fjala “malltretje” përmban një peshë emocionale dhe shpirtërore që lidhet me sakrificat dhe betejat tona të përditshme. Libri i drejtohet çdo lexuesi që ka ndjerë dhimbje, humbje ose ka kaluar nëpër sfida të jetës. Kam dashur të krijoj një urë mes fjalës sime dhe ndjeshmërisë së lexuesit, për t’u treguar se pavarësisht vështirësive, ka gjithmonë një dritë shprese përpara. Mesazhi kryesor është që njerëzit të mos ndihen kurrë vetëm në betejat e tyre.”

“Barrierat” e autorëve, çfarë fshihet pas punës së tyre

Shkrimtarët e sotëm përballen me shumë vështirësi, ku një sërë faktorësh mund të jenë vërtetë përcaktues për krijimtarinë e tyre dhe përpjekjet për ti botuar fizikisht. Duke filluar me kostot,e çdo procedure për të kaluar më pas tek prekja e librit fizik për ta promovuar tek çdo lexues, sidomos tek ata që nuk të njohin. Një tjetër sfidë e një rëndësie të barabartë është dhe ana tjetër e medaljes, vetë lexuesit i cili priret të jetë gjithnjë dyzues mbi atë çfarë lexon. Kjo e bën autorin të reflektojë e të vë theksin tek domosdoshmëria që kanë fjalët e tij në vepër për ta bërë lexuesin që të njohë botën e tij. Ndryshe ata e cilësojnë “sikur të dorëzosh shpirtin tënd, në duart e tyre”.

Për Eglën, e cila këto faktorë i sheh me syrin e një admiruese librash por dhe nga eksperiencat e saj që kanë ardhur përmes profesionit që ushtron, mentaliteti i shoqërisë ka pësuar ndryshime të rrënjësishme dhe kjo falë teknologjive të reja, edukimit dhe fokusit që ajo ka kryesisht ndaj veprave që fshehin histori suksesi. “Kemi ende lexues të devotshëm, por problematika qëndron në vazhdimësinë e këtij pasioni”, kumton gazetarja e cila shpjegon se shumë lexojnë sporadikisht, çfarë nënkupton se këta lexues shpesh ndikohen nga moda e titujve të njohur apo ato më të shiturit në mbarë botën, duke anashkaluar letërsinë e mirëfilltë artistike, veçanërisht atë shqiptare. Në këto kushte ajo shpreh dhe shqetësimin për edukimin që po u ofrohet të rinjve të cilët shihen çdo ditë e më shumë larg librave dhe leximit të rregullt e të thelluar të tyre.

Ajo vazhdon më tej duke kritikuar dhe mjetin për të cilin përdoret sot libri: E zgjedhin për të kaluar provime, më shumë se një burim kënaqësie dhe frymëzimi. Këto janë mjaftueshëm arsye që e bëjnë librin kaq përcaktues për jetën tonë, për jetën e të gjithëve. Për disa mund të jetë një pikë kthese, për të tjerë jetëndryshuese, një njohje më e mirë e vetes, kthim në të kaluarën, e shumë të tjera të cilat e prekin lexuesin në pikën e tij më të dobët.

Prania e shumë autorëve të rinj, certifikim i një pasaporte për letërsinë e të nesërmes

Rritja e numrit të shkrimtarëve që prekin kryesisht moshën e re vazhdon të njohë ecuri pozitive dhe përmes panairit të nëntorit që lamë pas, shohim se sa shtohen prurjet e reja në çdo stendë sa herë organizohet ngjarja më kulminante kulturore. Liridon Mulaj e shikon si sukses për shoqërisë, idenë se të rinjtë po investojnë në krijimtari. Për të, letërsia është një fushë e cila kërkon angazhim dhe vullnet, ndaj për këto arsye, të rinjtë që zgjedhin të shkruajnë nuk i përkasin tipologjisë së të riut të zakonshëm. “Për vetë faktin se kanë zgjedhur këtë zeje stërmunduese do të thotë se ata nuk e kanë marrë jetën lehtë. I kam mbështetur dhe do ti mbështes gjithmonë”, shprehet i bindur ai.

Shkrimtari Tufa shfaqet më i prerë në këtë aspekt duke e quajtur komplekse lidhjen mes shkrimit dhe publikimit, si për ata që botojnë për herë të parë, por edhe për ata të rinj të cilët kanë aftësi në të shkruar por ngurrojnë të botojnë. Sipas tij, “nuk është e kollaj ta kthesh vetën mbrapsht, siç kthehen rrobat nga astari. Unë sugjeroj të bëjnë atë çka duan, atë çka kanë ëndërruar, këtu nis e sos gjithçka”, sugjeron autori.

Liza Brozi bën një tjetër lidhje, duke zhvendosur fokusin kryesisht tek të rinjtë të cilët panairin e shohin si derën e fundit ku mund të trokasin për të prekur një libër ose qoftë për të hequr sadopak mendjen nga “pushteti” i rrjeteve sociale. Sipas saj, sot ndihet një indiferencë e tyre për librin dhe kjo nuk ndodhë vetëm në panaire. Megjithatë, për Lizën ka ende një numër njerëzisht që se kanë braktisur letërsinë dhe forcën e fjalës: ka edhe të rinj që lexojnë, të rinj tek të cilët janë shpresat për më mirë”, thotë autorja e cila në medaljen tjetër i sheh të rinjtë si shkrues në një fazë ku mundësitë janë të pafundme, sidomos të promovimit, qofshin nëpër rrjetet socilae në mënyrë individuale, por gjithashtu edhe klubet dhe takimet letrare që janë një mundësi tepër e mirë për ta”.

Liza vë në dukje dhe shtëpitë botuese të cilat ndjekin një axhendë për këto aktivitete, ku mes të tjerash përmend Qendrën Kombëtare për Librin dhe Leximit, në të cilën organizohen konkurse. “Mendoj se mundësitë për tu promovuar ekzistojnë, por çfarë promovohet dhe cilësia është diçka tjetër. Në Shqipëri ka të rinj që premtojnë për të bërë letërsi të mirë dhe për më tepër kanë një natyrshmëri dhe mendoj se po krijohet një rrymë e re larg asaj standartes që kemi lexuar më heret.”, përfundon Brozi.

A është Panairi një trampolinë për shkrimtarët?

“Me kohën kupton që panairi është thjesht një ekspoze ku njerëzt, të cilët mbase nuk të njohin, mund të ta blejnë librin”, e nis mendimin e tij, shkrimtari Mulaj, i cili e lidh me faktin se prezantimi i veprës apo ideja se sa përshtypje mund tu krijojë lexuesve kopertina, nuk janë përcaktuese për suksesin e veprës e madje as të autorit: Në raport me të dyja, panairi nuk është diçka e domosdoshme. Letërsia e mirë nuk botohet vetëm për panair”.

Liridoni ndalet dhe tek perspektiva e të rinjve që dinë të shkruajnë por ngurrojnë tek pjesa e botimit, si një proces që shfaqet pengesë për ta për një mori faktorësh. Ai thekson se ka një nxitim në qasjen për të botuar sa më shpejt dhe i këshillon atyre duke i sugjeruar që të kenë kujdes mbi veprimet e tyre, pasi duhet ta kenë të qartë në mendjen e tyre se për çfarë po shkruajnë dhe se kujt i drejtohen. “Nëse ajo që kanë shkruar i bind së pari ata dhe më pas të tjerët, botimi mbetet vetëm çështje kohe”, përmbyll mendimin e tij Liridon Mulaj.

Lidhur me rëndësinë që ka Panairi i Librit për shkrimtarët e rinj, një mendim ndan dhe Liza Brozi, e cila thotë se pjesëmarrja e tyre në një panair është një mundësi shumë e mirë për ta që të jenë më afër lexuesit, në promovimet që bëhën gjatë atyre ditëve, duke vënë fokusin tek të rinjtë të cilët kanë më shumë nevojë. “Libri tashmë është i prekshëm për lexuesin. Merr një ndikim prej tij dhe njeh më afër psikologjinë e lexuesve, krijuesve të tjerë bashkëkohore gjithashtu. Shërben si një përvojë dhe reflektim për të realizuar diçka më të mirë nesër.”, citon Brozi.

Elsa Skënderi sjell në vëmendje elementin e marketingut dhe dilemat e një botimi që priret të kontribuojë në shoqërinë shqiptare. “Mënyrat e mundësitë për ta marketuar një libër të ri janë shtuar. Mbijetesa në treg normalisht duhet të lidhet me vlerën e librit dhe me talentin e autorit që e ka shkruar një libër të tillë. Mundësinë për të shkruar dhe botuar e kanë thuajse të gjithë dhe diçka e tillë ilustron nivelin e lirisë për t’u shprehur, që gëzojmë si shoqëri e që dikur na ka munguar. Por pavarësisht mundësive, secilit i bie sipër zhguni i përgjegjësisë për të qenë i përkorë e me këmbë në tokë. Botimi i një libri apo dhe më shumë se një nuk të bën domosdoshmërisht shkrimtar. As dëshira e brendshme për t’u marrë me letërsi nuk është shteg që rrugëdaljen e ka te suksesi i padiskutueshëm. Do të ishte mirë që secili prej nesh, teksa e gëzon lirinë për të shkruar e botuar, të jetë me mend në kokë për të mos e kërkuar me doemos petkun e shkrimtarit, nëse ky petk i rri tepër i madh”, vlerëson studiuesja e cila shpjegon diferencën dhe tregon urën që duhet të përshkruaj një i ri për të marrë statusin si shkrimtar të cilin e njeh lexuesi.

Eduart Bardhi zgjedh të jetë me këmbë në tokë dhe i përgjegjshëm për sfidat e së nesërmen në rrugëtimin e tij drejt letërsisë. “Pas panairit ndiej një kombinim emocionesh. Nga njëra anë, një ndjenjë krenarie për atë që arrita dhe nga ana tjetër, përgjegjësi për të vazhduar punën me të njëjtën përkushtim. Jam i lumtur për mundësinë që pata të ndaj krijimtarinë time me lexuesit dhe jam i motivuar për projektet e ardhshme”, përfundon shkrimtari qëndrimin e tij.

 “Kura” që mjekon leximin, formula për të kthyer rininë në vatrën e dijes

Angazhimi i pakët i shoqërisë shqiptare dhe veçanërisht i të rinjve në raport me leximin e librave, mbetet piesazhi që ofron kultura letrare në vendin tonë. Si të mos mjaftojë teknologjia dhe rrjetëzimi i saj në çdo sektor ku aksesohet, mungesa e energjisë dhe qëndrimi për një kohë të gjatë larg pranisë fizike të librit ka tjetërsuar imazhin e këtij të fundit në sytë e shumë qytetarëve të cilët e përshkruajnë si surreale, idenë e një kulture të vazhdueshme të leximit në një periudhë ku gjithçka mund të preket online, pa qenë e nevojshme ta marrësh në librari.

Egla Xhemalaj sugjeron disa pika për të cilat beson se do të kthejnë në shinat e duhura, jo vetëm rininë në rikthimin fizik ndaj librit, por edhe institucionet përgjegjëse në mundësinë për të ngritur platforma aktive në aksesimin sa më të lehtë për gjetjen e artikujve dhe veprave për tu lexuar: 1. Përdorimi i teknologjisë në favor të librit – Libri duhet të jetë aty ku është lexuesi. Krijimi i librave elektronikë, audio-librave, dhe aplikacioneve që e bëjnë leximin më të lehtë dhe më të aksesueshëm, mund të ndihmojë në afrim. Po ashtu, përdorimi i rrjeteve sociale për të promovuar librin në mënyrë krijuese është i domosdoshëm; 2. Krijimi i një kulture leximi – Shkollat, bibliotekat dhe institucionet kulturore duhet të punojnë për të krijuar një mjedis që e promovon librin si një pjesë natyrale të jetës së përditshme. Organizimi i aktiviteteve si klube leximi, takime me autorë, apo debate letrare mund ta bëjë librin më tërheqës; 3. Ulje e çmimeve dhe rritje e aksesit – Politikat kulturore duhet të fokusohen në subvencionimin e botimeve, krijimin e bibliotekave moderne dhe aksesin falas ose me kosto të ulët për librat. Një libër i përballueshëm do të jetë më i arritshëm për masën; 4. Promovimi i leximit si kënaqësi – Në vend që libri të shihet si një detyrë ose si diçka elitare, duhet të promovohet si një burim kënaqësie personale, shpesh në kombinim me artet e tjera si filmi, muzika apo teatri; 5. Fokus te fëmijët dhe të rinjtë – Duhet të ndërtojmë një bazë lexuesish që në moshë të hershme. Një fëmijë që rritet me libra ka më shumë gjasa të bëhet një lexues i përkushtuar në të ardhmen.

“Lexuesi është më larg librit, por kjo nuk është një situatë e pakthyeshme. Libri, me fuqinë e tij për të frymëzuar, edukuar dhe transformuar, ka ende një vend të rëndësishëm në jetën tonë. Sfida qëndron në përshtatjen e mënyrës si i qasemi leximit dhe promovimit të librit për ta bërë atë sërish tërheqës dhe të pashmangshëm për të gjitha moshat dhe nivelet”, shprehet gazetarja e kulturës.

Skënderi përcjell një tjetër anë të medaljes që reflekton dhe përmirësimin e strukturës. Në këndvështrimin e saj ajo tregon një recetë të cilën e sheh si të detyrueshme për të mos lënë hijen e tyre ti qëndrojë larg pranisë fizike të librit. “Prej botuesve në panair të librit kam marrë përshtypje të mira për interesin ndaj librit. Fakti që përkthehet e botohet përherë e më shumë letërsi e libra të rinj tregon që lexuesit nuk janë larg librave. Përkundrazi! Lexuesit duhen grishur vazhdimisht. Në kohën që shpërqendrimet janë aq të shumta, grishja drejt librit duhet marrë seriozisht”, potencon pedagogia, e cila krahas këtij qëndrimi zgjedh ti bëjë të rinjtë të reflektojë përmes mesazheve me të cilat i drejtohet: Kultivim i leximit që në fëmijëri, nxitje e leximit në shkollë dhe promovim i kulturës së të lexuarit në media. Këto do të ishin disa barna për këtë plagë të panevojshme e krejtësisht të shmangshme e të shërueshme. Sa për këshillën, Kur lexoni shumë, dukeni më të bukur!

Liza Brozi sugjeron duke mbajtur përqëndrimin tek edukimi, të cilin e sheh më primar dhe të domodososhëm, si kulturë që duhet dhënë në shkolla, duke i udhëzuar ata drejt një kurrikule fikse. “Kategorizimi i nevojave është vetëm fillimi i një procesi të vështirë për të afruar njeriun me librin. Janë disa libra që duhen lexuar patjeter, disa të tjerë që duhen lexuar pak më vonë, disa të tjerë që mund të lexohen si efekt qetësues dhe disa të tjerë që nuk kanë pse të lexohen ndoshta kurrë. Koha është e pakët për të lexuar gjithçka shkruhet, por disa libra aq sa janë domosdoshmëri janë edhe nevojë. Në kurrikulat e shkollave të mesme ekziston akoma ajo lista e librave që duhet lexuar patjetër. Dhe nëse kalohet nga ajo listë, tek “po lexoj çfarë dua dhe kur dua” ky është problem. Të lexosh çfarë të duash ekziston si mënyrë të shprehuri në një fazë që ti je njohur me shijet e tua, je pjekur si lexues dhe je kanalizuar tek një drejtim”, përfundon fjalën e saj Brozi.

Në fund të çdo përshtypje, kritike dhe qëndrimi, fshihet një kujdes në gjithçka thuhet dhe interpretohet. Janë dëshmitarët e një ngjarje të këtillë që kujdesen për çdo detaj, pa ia humbur vlerën e vërtetë domethënies së një organizimi të tillë i cili festohet në mënyra nga më të ndryshme. Është e vështirë ti bësh bilancet se si do të jetë raporti në të ardhmen i shoqërisë shqiptare me leximin e librave, por mjaftojnë reagimet e një uniteti lëvruesish të cilët besojnë ende se dija dhe fuqia e fjalës se ka humbur pushtetin për të ndikuar në një vend ku kultura e leximit mbetet edhe sot e kësaj dite, një fortesë që nuk shembet dhe një trashëgimi e cila nuk zbehet.

Panairi është aty dhe do të vijojë të mbetet porta ku të trokasin të gjithë ata që e kanë librin, një portofol të çmuar në të cilin besojnë dijen. Megjithatë, jo vetëm një organizim i tillë, pasi siç u shprehën dhe vlerësuesit e kësaj ngjarjeje, nevoja e një reagimi të domosdoshëm të institucioneve përgjegjëse për të investuar siç duhet në këtë sektor, mund të rikthejë sërish entuziasmin e një brezi i cili ka ende rrugë përpara për të zhvilluar dhe formuar veten.

Të fundit

Gëzuar, me valixhe në duar! Ku shkojnë shqiptarët për fundvit?

Nga pushimet dimërore në Alpet e Europës, te qytetet e dekoruara plot drita dhe tradita, deri tek arratisjet në...

Astrologia zbulon si mbyllet viti 2024 për secilën shenjë Horoskopi: Ka të papritura

Meri Gjini ka bërë parashikimin e Horoskopit për ditët e fundit të vitit 2024, në një studio televzive. “Nesër kemi Mërkurin në katërkëndësh me Saturnin....

Planet e administratës Trump mbi emigracionin

Emigracioni ishte një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Administra e tij po planifikon zbatimin e masave më...

A mund ta tërheqin shqiptarët pensionin në një shtet tjetër?

Zv. ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani ka ndarë në emisionin “Sheshi i Dollarit” detaje nga marrëveshja e nënshkruar për njohjen e pensioneve....

Vdekja e Dr.Florit, shkak që të largohej nga Shqipëria? Rrëfimi emocional i Big Bastës

Këngëtari Gerald Xhari, i njohur me emrin e artit Big Basta, ka qenë ditën e sotme i ftuar në emisionin “S’e Luan Top”, ku...

Lajme të tjera

Web TV