Viti i Ri është festa që festohet në të gjithë botën dhe bën bashkë të gjithë njerëzit. Por nga ju krijua kjo festë? Le të kthehemi pas në kohë për të kuptuar origjinën e kësaj feste por edhe disa nga karakteristikat e saj.
Rreth festës së Vitit të Ri ka fakte dhe supozime të ndryshme për kohën dhe mënyrën se si festohet. Viti i Ri të cilin e festojmë ne dhe shumë vende tjera të botës bie me 1 janar dhe i takon kalendarit gregorian si vazhdim i kalendarit romak.
Por, vende të tjera si Kina, Japonia, India, Vietnami dhe vendet islamike e përdorin kalendarin lunar, kalendar ky i cili bazohet në lëvizjet e hënës rreth tokës, dhe datat e festimit dallojnë dukshëm nga njëra tjetra. Disa Vitin e Ri e festojnë në pranverë me mbjelljen apo rritjen e të korrurave ose në vjeshtë për të festuar mbledhjen e tyre.
Në kulturën perëndimore bredhi i stolisur, babagjyshi dhe dhuratat janë karakteristike për festat e fundvitit.
Bredhi i stolisur
Tradita e bredhit ka orgjinë antike. Mendohet që egjiptianët e kanë kultivuar gjatë traditën e prezencës së bredhit në shtëpitë e tyre në dimër për të simbolizuar triumfin e jetës mbi vdekjen. Romakët poashtu e adhuronin bredhin dhe e festonin stinën e dimrit për nderë të zotit të bujqësisë që njihej me emrin Saturnus. Traditë e tyre ishte që shtëpia të stolisej me drunj të gjelbër dhe drita si dhe të shkëmbenin dhurata. Në mesjetë, gjermanët dhe skandinavët vendosnin bredha jashtë dyerve të shtëpisë si simbol shprese për pranverën e ardhshme.
Babagjyshi dhe dhuratat
Dhënia e dhuratave që në shumë vende perëndimore është traditë e festës së krishtlindjes, tek ne praktikohet kryesisht gjatë festës së vitit të ri dhe vetëm për fëmijët. Kjo mund të konsiderohet paksa e çuditshme, por duke i marrë parasysh supozimet që figura e babgjyshit dhe dhënia e dhuratave ka origjinë pagane. Dhe që mirësia e plakut të dimrit qëndron tek kujdesi dhe dashuria e tij për fëmijët e varfër të cilët i ndihmon dhe gëzon me dhurata, bën që babagjyshi të konsiderohet një personazh përralle i Vitit të Ri./ kb