Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Rama tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se PS do të ketë fitoren më të thellë të të gjithë garave.
“Besoj që nëse ka një ofertë, që ka nevojë për shumë pak shpjegime ndërkohë që mbështetet nga shumë fakte, është oferta e Partisë Socialiste. Për këtë arsye, Partia Socialiste do të fitojë në maj të vitit të ardhshëm dhe do të ketë fitoren më të thellë të të gjithë këtyre garave që i kemi fituar njërën pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, sepse jemi një forcë politike, që është e pakonkurrueshme në çdo aspekt, e nuk mundemi dot”, u shpreh ai.
Sa i përket listës së deputetëve, kreu i qeverisë deklaroi se është një çështje që po e sheh me kujdes.
“Kjo është një çështje që do ta shikojmë me kujdes rrugës. Ajo që dua ta ritheksoj është që arsyeja pse ne nuk mundemi dot është arsyeja, sepse ne zgjohemi të parët dhe flemë të fundit, dhe unë zgjohem i pari nga të parët, dhe fle i fundit nga të fundit, kështu që deri kur dikush tjetër, disa të tjerë, do të zgjohen më herët dhe do të flenë më vonë dhe në ditën e tyre të punës do të bëjnë punë dhe jo llafe, Partia Socialiste do të bëjë atë që thotë dhe do të thotë atë që bën, dhe shqiptarët do ta mbështesin për atë që bën dhe për atë që thotë.
Dhe përsa i përket skuadrës, kjo na jep mundësinë që të kemi një skuadër të re akoma më të mirë se kjo që kemi sot, sepse në ndërkohë, siç e thatë edhe ju, ne matemi me vetveten, nuk matemi me kundërshtarët, sepse për t’u matur me kundërshtarët, duhet të ndalojmë, duhet të kthejmë kokën mbrapa, duhet të vëmë dorën mbi sy, duhet t’i shohim ku janë, edhe pastaj të fillojmë të matemi, gjë që s’kemi pse e bëjmë. Por nga ana tjetër, ne kemi shumë gjëra për të përmirësuar dhe e kam thënë me kohë që, opozitën e vetvetes dimë ta bëjmë shumë më mirë sesa ata që na bëjnë opozitën nga jashtë vetes. Kjo duket si retorikë, po nuk është retorikë. Ne bëjmë shumë analiza, ne bëjmë shumë diskutime të brendshme, ne bëjmë shumë anketime të opinionit, ne dëgjojmë shumë njerëz në të gjitha rrugët dhe jemi shumë të vetëdijshëm që s’jemi më të mirët, nuk jemi aq të mirë sa unë do të doja të ishim, po më të mirë se ne…”, theksoi Rama./ kb