Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Diasporën, Taulant Balla zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarë të diasporës.
Në këtë bashkëbisedim të parë, Balla u ndal te një prej çështjeve themelore që ka nevojë për mbështetje diaspora, që është promovimi i mësimdhënies së gjuhës shqipe.
“Nëse është diçka që duhet të bëjmë më mirë është mbështetja për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët jashtë kufijve. Duhet t’i garantojmë çdo fëmije që lind të paktën nga një prind shqiptar të këtë mundësinë të mësojë gjuhën shqipe, sepse nëse ka diçka që historia do na gjykojë në të ardhmen, është ajo që kemi bërë ne për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë“, u shpreh ai.
Ai informoi se ka nisur zbatimin programi “Mësues për diasporën”, në Greqi. “Një pjesë kanë filluar punën. Bëhet fjalë për mësues që do të japin gjuhën shqipe në shkolla në Greqi. Këta mësues përzgjidhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe paga do të paguhet nga buxheti i shtetit”, u shpreh Balla.
Balla informoi më tej se zbatimi i këtij programi nisi në Greqi, duke qenë se aty është edhe shtrirja më e madhe e shqiptarëve. Sipas tij, ky program do të shkojë kudo ku ka komunitete shqiptare./ S,M