Murtaja afrikane e derrit, e cila është shfaqur në Lezhë, ku deri më tani kanë ngordhur mbi 70 krerë, nuk e ka ndaluar tregtimin e kafshëve në tregun informal të Kurbinit këtë të dielë.
Pavarësisht urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë, shitja e derrave dhe mishit pa asnjë lloj sigurie vijon normalisht në Milot. Qytetarët thonë se janë të frikësuar nga shfaqja e sëmundjes, duke ndaluar konsumimin e mishit të derrit, pasi sipas tyre mungojnë kontrollet.
“Kishte po nuk duam ta blejmë se e kemi me frikë. Kam frikë ta marr.
Është e frikshme, por kush kupton. Unë e kam te shtëpia e nuk e marr në treg. Këtu s’duan t’ia dinë”, shprehen qytetarët.
Në zbatim të masave për parandalimin e murtajës afrikane të derrit, Autoriteti i Veterinarisë në Lezhë bën me dije se, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në orët e para të mëngjesit të së dielës janë ngritur pika kontrolli në rrugët që çojnë drejt tregut të Milotit për të ndaluar lëvizjen e derrave, ku janë bllokuar disa automjete.
Por sipas veterinarisë, nuk kanë gjetur mbështetjen e Bashkisë Kurbin, e cila ka për detyrë bllokimin e pazarit informal të Milotit, i cili vijon aktivitetin çdo të dielë në kushte skandaloze.
Ndërkohë, vatra me murtajën e derrit e shfaqur në Ishull-Lezhë është izoluar dhe gjatë ditës së dielë nuk ka pasur raste të reja, ndërsa i gjithë fshati do të mbahet në karantinë për 21 ditë./E.T