Në zgjedhjet e kësaj pranvere, forcat e reja politike siç mund të jetë “Djathtas 1912”, presin që të sigurojnë votën e atij që quhet “elektorati gri”, pra ata që nuk votojnë as majtas e as djathtas.
I ftuar këtë mbrëmje në “Off the Record”, deputeti Enkelejd Alibeaj shpjegoi se cilat janë disa nga objektivat e forcës politike në të cilën ai bën pjesë, për garën elektorale të 2025.
“Unë bashkë me kolegët e mi, jemi të vendosur që futja në zgjedhjet e 11 majit, të ketë një synim bazik, minimal që Edi Rama të mos marrë 71 mandate,” tha Alibeaj teksa shprehej se përpos këtij synimi, politika nuk duhet të jetë aritmetikë.
Sipas tij, duke u nisur nga të dhënat e zgjedhjeve të 2021, 30% e shqiptarëve zgjedhin të mos votojnë, dhe kjo siç u shpreh Alibeaj, është një votë e munguar që nuk u përkthye në mandate.
“Edhe pse Edi Rama ka vetëm 48% të mbështetjes së publikut, ndodhi për shkak se një pjesë e shqiptarëve ose nuk dolën fare në votim ose nuk e gjetën veten e tyre…Sot ka një grup shqiptarësh që nuk votojnë as Ramën as Berishën…. duke qenë se këta rrinë në shtëpi, mandatet nuk do të shkonin as për Ramën as për Berishën. Ata që votojnë janë ose militanca dhe administrata e Ramës dhe militanca e Sali Berishës”, tha ai.
Kështu, Alibeaj u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e kësaj pranvere të dalin nga shtëpia dhe të votojnë në mënyrë që, siç u shpreh ai, me votën e tyre të mos abuzojë qeveria.
Por çfarë kanë për të ofruar këto alternativa të reja për qytetarët?
Këto parti të reja, ndoshta nuk janë “magnet” thotë Alibeaj por kanë tre karakteristika të cilat i duan të gjithë shqiptarët: mbështetje pa kushte ndaj drejtësisë së re, dëshirën për të garuar me lista të hapura, pra të zgjidhen nga vota e qytetarëve dhe dëshirën për të vendosur një raport të shëndetshëm me partnerët ndërkombëtarë./ S,M