Ligji elektoral dhe realiteti, veprimtaritë publike të ndaluara 4 muaj para zgjedhjeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

11 maji i 2025 do të jetë arena ku qytetarët do zgjedhin përfaqësuesit e tyre, nga do të dalë edhe Parlamenti me qeverinë e re. Palët politike kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, standard që mundohen ta arrijnë përmes disa mekanizmave e rregullave të dakordësuara prej tyre.

I tillë është ndalimi 4 muaj para zgjedhjeve, i promovimit të disa veprimtarive me karakter publik që mund të kthehen në avantazh për njërën palë. Por, sa respektohen këto rregulla? Çfarë konsiderohet zonë e kuqe për partitë 120 ditë para betejës elektorale që duhet raportuar në KQZ? Mekanizmi u aplikua për herë të parë në zgjedhjet e 2021, por edhe ideatorët nuk duken fort të bindur për efikasitetin e kësaj mase. Pyetja a është ndalur ndërhyrja e shtetit në zgjedhje gjen përgjigje te numri i denoncimeve të kryera dhe dënimet e dhëna për titullarët e institucioneve abuzuese.

Partitë politike vendosën të vetëkufizojnë ndikimin e tyre në administratën publike dhe burimet publike me marrëveshjen e 5 qershorit 2020. Çfarë parashikon neni 91 i Kodit Zgjedhor për aktivitet e ndaluara? Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.

Çfarë aktivitetesh publike ndalohen të bëhen 4 muaj para zgjedhjeve?

1.      Shpërndarje legalizimesh, certifikata pronësie, akteve për regjistrimin e tokës bujqësore

2.      Promovimi i veprimtarive për të cilat janë vënë rishtazi apo posaçërisht në dispozicion, apo janë transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar (Fushat: Transporti, Energjetika, Telekomunikacioni, Rinia, Arsim)

3.      Dhëniea e kontratave publike të koncensionit/partneritet publik privat (PPP) për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen

4.      Përdorimi i detyruar në fushatë të nëpunësve ose punonjësve të administratës shtetërore qendrore ose vendore brenda orarit të punës për veprimtari ose aktivitete zgjedhore.

Po në këto zgjedhje, çfarë po bëjnë subjektet ende pa nisur ky monitorim? Në një mbledhje të jashtëzakonshme, qeveria vendosi që pensionistët pas bonusit të fundvitit, të përfitojnë një tjetër bonus në pranverë duke lënë evazive muajin apo datën fikse. Pra, vendimi merret në dhjetor të 2024, por përfitimi ekonomik kësaj shtrese i kalon në pranverë, që përkon edhe me periudhën zgjedhore.

Së dyti, qeveria kaloi në Parlament me procedurë të përshpejtuar faljen e gjobave të atyre që ndërtuan pa leje në zonat rurale.

Fillimisht, u kundërshtua nga demokratët, por vetëm disa ditë më pas ata propozuan amendamente që të shtoheshin edhe kategori të tjera në ketë amnisti të gjobave, por që u hodh poshtë nga socialistët në Kuvend.

Nxitimi i mazhorancës për të kaluar me procedurë të përshpejtuar ligjin në Kuvend, duket se synonte të shmangte pengesën 4-mujore të Kodit Zgjedhor.

Përdorimi i administratës shtetërore është togfjalëshi që kryeson raportet e OSBE/ODIHR pasi monitoron zgjedhjet. Çfarë parashikon Kodi Zgjedhor për këtë?

Çfarë i ndalohet administratës shtetërore 4 muaj para zgjedhjeve: Pjesëmarrja në veprimtari me karakter politik apo në funksion të politikës partiake ose të kandidatëve; Të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare, materiale, njerëzore publike, me qëllim favorizimin e një partie politike X i lejohet të marrë pjesë në një veprimtari politike apo zgjedhore pas orarit zyrtar të punës. Edhe gjatë kësaj pjesëmarrjeje atij i ndalohet të shprehë publikisht bindjet e tij politike ose të bëjë fushatë.

Lexo edhe :  Vota e diasporës/Më 11 janar fillon procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë

Pas miratimit të votës së Diasporës, demokratët akuzojnë qeverinë se ajo ka nisur të përdorë administratën shtetërore duke i detyruar ata të plotësojnë një dokument me emrat e 10 të afërmve të tyre që ndodhen jashtë vendit. A po përbën kjo një aktivitet të ndaluar para zgjedhjeve apo opozita po kërkon alibi për humbjen e radhës? Në zgjedhjet e shkuara kemi hasur me fushata negative që kundërshatrët politik i bëjnë njëri-tjetrit. A janë të ndaluara me ligj këto manifestime nga partitë politike? Kodi Zgjedhor parashikon disa rregulla që duhen ndjekur në veprimtaritë publike të organizuara nga institucionet, qendrore ose vendore, agjencitë ose ndërmarrjet shtetërore në periudhën 4 muaj përpara zgjedhjeve, edhe në rastet kur kanë marrë lejen e KQZ-së.

Cilat janë disa nga ndalesat në një veprimtari publike? Shenjat, logot, pankartat, sloganet, posterat, thirrjet apo fjalimet me përmbajtje partiake. Institucionet shtetërore duhet të ndjekin gjithashtu disa rregulla që ndalojnë përdorimin e burimeve dhe aseteve publike, 4 muaj para zgjedhjeve e deri në 11 maj 2025.

1.      Ndalohet përdorimi i çdo burimi njerëzor nga institucionet, përdorimi i aseteve dhe sendeve në pronësi të shtetit.

2.      Përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore.

3.      Përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore, premtimi ose ofrimi i përftimeve nëpunësve publikë, ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore si dhe ushtrimi i presionit ndaj tyre për këtë qëllim.

Raportimi i këtyre aktiviteteve pranë KQZ është detyrim i drejtuesit të administratës së institucionit, ku duhet të përfshijë edhe folësit apo pjesëmarrësit. Në rast se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve konstaton se veprimtaria publike përbën veprimtari të ndaluar ose keqpërdorim të burimeve shtetërore, urdhëron ndalimin e zhvillimit të veprimtarisë publike.

Nga ky moment, media ka detyrimet e saj. Roli i medias ndaj aktiviteteve të ndaluara
veprimtaritë e ndaluara nuk lejohet të transmetohen apo pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione. Transmetimi ose pasqyrimi i tyre në kundërshtim me ndalimin e vendosur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ngarkon me përgjegjësi transmetuesin radioteleviziv.

Institucionet shtetërore që nuk respektojnë detyrimet, rrezikojnë gjobë nga 3000 deri në 90 000 lekë, duke ngritur pikëpyetjen nëse është mjaftueshëm për të mbajtur dikë larg abuzimit.

Nga data 11 Janar, çdo zyrtar publik që do të përdorë postin për qëllime zgjedhore rrezikon të ndëshkohet apo edhe të humbë karrierën e tij, çdo parti politike që i konsideron asetet e shtetit si prona të tyren do duhet të përballet me ligjin, por edhe çdo politikan që do të ushtrojë presion ndaj administratës do të duhet të përgjigjet para ligjit se përpara elektoratit.

Kjo në letër, sepse në Shqipëri si gjithmonë ligjet janë të mira, por çalojnë në zbatim./e.t

Të fundit

“Do të flas me Putinin”, Vuçiç: SHBA do të na vendosë sanksione në ekonomi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në mbledhjen e qeverisë tha se SHBA do të vendosë sanksione të drejtpërdrejta gjithëpërfshirëse...

Shqiptarët s’do lejohen të përdorin makinat çdo ditë/Çfarë parashikon Plani i ri Kombëtar

Ndotja e ajrit është një problem tashmë global, ku shtetet po përpiqen të marrin masa të ndryshme në ndihmë të mjedisit dhe të rritjes...

Dëbora zbardh Kukësin/ Probleme me qarkullimin, disa fshatra pa energji elektrike

Këtë të shtunë, Kukësi është zgjuar i zbardhur nga Dëbora. Në qytet trashësia nuk i ka kaluar 5 cm, por në zonat e thella...

Njihuni me shenjat më djallëzore të horoskopit!

Shenjat zodiakale zbulojnë shpesh personalitetin e brendshëm të personit. Zbulojnë karakterin, por edhe cilat janë periudhat e mira dhe ato jo të mira. Por për...

Top 3 personat më të kërkuar në Shqipëri

Talo Çela, Ibrahim Lici dhe Erjon Llapushi janë aktualisht tre personat më të kërkuar nga autoritetet shqiptare që akuzohen për një seri ngjarjesh kriminale,...

Lajme të tjera

Web TV