Të gjithë ata individë që gjatë vitit që lamë pas kanë pasur pagë bruto 100 mijë lekë në muaj, për herë të parë do të dorëzojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale për vitin 2024.
Me ligjin e 2023-shit të tatimit mbi të ardhurat u vendos që detyrimin për të dorëzuar DIVA-n nuk do e kenë më vetëm ata që marrin mbi 2 milionë lekë në vit, por fasha zbriti në 1.2 milionë lekë/viti.
“Ka ndryshuar vlera e të ardhurave bruto që përcakton detyrimin e individëve për të qenë subjekt i deklarimit të DIVA-as. Pra nëse për vitet më parë kjo vlerë ishte 2 milionë lekë, pra çdo individ që realizonte të ardhura në vlerën 2 milionë lekë nga të gjitha burimet ishte subjekt i DIVA, për vitin 2024 dhe në vijim, kjo vlerë është 1.2 milionë lekë”, pohon Rozana Çelmeta nga drejtoria e Tatimeve.
Ende nuk është konkluduar me numrin final se sa qytetarë do të dorëzojnë DIA-n këtë vit, pasi duhet të dorëzohen edhe listëpagesat e dhjetorit 2024.
Drejtoresha e proceseve të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Rozana Çelmeta thotë se ka ndryshuar edhe afati për dorëzimin e DIVA.
“Afati i dorëzimit të deklaratës vjetore nuk është më 30 prilli, por për herë të parë do të jetë data 31 marsi 2025”, pohon Çelmeta.
Këtë deklaratë do ta dorëzojnë edhe të dypunësuarit dhe ata që kanë të ardhurat mbi 50 mijë lekë në muaj për të cilat nuk ka paguar tatim.
“Nuk ndryshon detyrimi për të gjithë ata individë që për të pakën një muaj kanë qenë të dypunësuar, pra që kanë qenë në dy listë-pagesa të ndryshime në një muaj. Risi e ligjit të ri është edhe fakti që kanë të ardhura mbi 50 mijë lekë të patatuara, duhet të deklarojnë DIVA”, u shpreh ajo.
Kush nuk e dorëzon deklaratën gjobitet me 3 mijë lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi dhe kamatëvonesa. Plotësimi i kësaj deklarate i shërben Administratës Tatimore për të bërë kontrolle për evazion fiskal si dhe për të hetuar pasurinë.
“Për administratën tatimore deklarimi i DIVA është një burim i rëndësishëm informacioni pasi shërben si bazë të dhënash për të kryqëzuar informacione dhe për të barrë analiza të tjera më të rëndësishme. Deklarimi i të ardhurave përveç se është detyrim ligjor i çdo individi është edhe një garanci më shumë për të justifikuar të ardhurat”, pohon Çelmeta.
Bazuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, deklaratat e DIVA-s do të jenë objekt analizash nga administrata tatimore dhe do të shërbejnë si bazë për të ballafaquar të ardhurat e deklaruara me pasurinë që disponon individi, hap ky që ndërmerret për të goditur fshehjen e të ardhurave reale.
Deklarata DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht në e-Filing me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi./e.t