Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 1 janar se dhënia e fund e furnizimeve me gaz rus në Evropë, përmes një gazsjellësi që kalon në tokën ukrainase, përbën humbje për presidentin rus, Vladimir Putin.
“Kur Putin është bërë president i Rusisë më shumë se 25 vjet më parë, sasia e gazit natyror që ka kaluar përmes Ukrainës në Evropë, ka qenë më shumë se 130 miliardë metra kub në vit. Tani është zero”, ka thënë Zelensky në X – platormë e njohur më parë si Twitter.
“Kjo është një prej humbjeve më të mëdha të Moskës. Si rezultat i shfrytëzimit të energjisë si armë, nga ana e Rusisë, dhe shantazhimit të partnerëve, Moska e ka humbur një prej tregjeve më profitabile dhe të qasshme gjeografikisht”, ka thënë ai.
Komentet e Zelenskyt kanë ardhur pasi gjiganti shtetëror rus, Gazprom, ka thënë se i ka pezulluar furnizimet me gaz në Evropë përmes gazsjellësit që kalon nëpër Ukrianë, pasi Kievi ka refuzuar të vazhdojë kontratën e nënshkruar para se Moska të niste luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Kjo do të thotë se Ukraina do të humbë 800 milionë dollarë në vit që i siguronte nga tarifat e transitit.
Gazpromi, në anën tjetër, do të humbë gati 5 miliardë dollarë, në mungesë të shitjes së gazit.
Zelensky ka thënë se shumica e shteteve evropiane u janë përshtatur ndryshimeve, por ka përmendur që Ukraina dhe aleatët duhet ta mbështesin Moldavinë në periudhën e transformimit energjetik.
Moldavia është ende pjesërisht e varur prej gazit rus.
Zelensky ka thënë se Ukraina shpreson në rritjen e furnizimeve me gaz amerikan në Evropë, dhe që presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, veçse e ka përmendur këtë mundësi./K.K