Nga Artan Hoxha
Drejtësia e Rilindur, maja e saj, SPAK/GjKKO, u morën me Erjon Veliajn në ditët e fundit 2024 dhe me Sali Berishën fill pas vitit të ri.
Për Sali Berishën apeli i GjKKO-së nuk pranoi kërkesën për riarrestim shtëpiak bërë nga SPAK por rinxorri nga mënga detyrimin e paraqitjes dy herë në muaj para OPGj-së. Të ripranonte arrestin shtëpiak do ishte vetëdiskreditim ulëritës por edhe ta linte pa masë fare do ishte dorëzim pa kushte i regjimit, ndaj Apeli i GjKKO-së e luajti lojën e idiotit të dobishëm-idiotësia është kaq ashiqare sa edhe bufi e kupton se me këtë masë procesit hetimor, aq më shumë në këtë fazë të avancuar, nuk i jepet asnjë garanci ndaj atyre ‘frikërave’ të SPAK se Sali Berisha mund të arratiset apo të frikësojë dëshmitarët a të dëmtojë provat.
Afërmendësh, entuziazmi i dashnore(ë)ve të SPAK/GjKKO rishpërtheu hareshëm pas mekjes (deri kritika për gjyqtaren) kur shkalla e parë e GjKKO-së, në fund të nëntorit, i hoqi fare masat e sigurisë.
Në ndërkohë, këta dashnore(ë): KLP-ra; KLGJ-ra; OJF-ra; TV-ra; organizata e ambasada; politikanë, aktivistë, analistë e gazetarë; konsulentë, zyrtarë kombëtarë e ndërkombëtarë; as që ua ndjeu ndopak kur Erjon Veliaj nga ‘kolegë’ i quajti ‘trokitës’ spakistët dhe byroistët me rastin e kontrolleve të ushtruara ndaj së shoqes, vëllait dhe bizneseve të tyre e kur pretendoi se kontrollet ishin bërë pa vendim gjykate.
Po aq nuk u ndjenë kur, pas pyetjes mbi 5 orëshe, nga Selia e Këshillit Bashkiak Erion Veliaj e përqeshi SPAKun se ai bazohej veçse në sajesat e një anonimi dhe heshtën si guri i varrit kur të nesërmen, në mediet rilindëse, doli materiali demaskues me 8 pika që e bënte copë gjith procesin e SPAK/GjKKO ndaj atij dhe familjarëve të vet. Në këto pika veprimet hetimore anatemohen aq rëndë sa barazohen me veprimet e tipit ‘sigurim shteti’. Për më tepër, disa dashnore(ë) iu turrën rëndshëm kundër vetë SPAK/GjKKO-së, të gatshëm të shkelmonin dashurinë e jetës-Drejtësinë e Rilindur-për hatër të Erjonit.
Të njëjtat pretendime për procesin i kanë paraqitur më parë edhe të akuzuarit nga opozita por dashnore(ë)t e SPAK/GjKKO-së, kurdo e kujtdo, i janë sulur si të tërbuar në mbrojtje të Drejtësisë së Rilindur e ‘kurajos së saj për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë’. Tërbimi ju kthehet në shurdhim kur Veliaj iu shan ‘dashurinë e jetës’-nuk dëgjojnë, nuk shikojnë, nuk flasin-ndonëse 8 pikat e Veliajt përfshijnë e tejkalojnë të gjitha akuzat e të tjerëve për SPAK/GjKKOnë lidhur me një fazë kaq të hershme të hetimeve.
Po kështu u sollën edhe pas konferencës së Kryerilindësit më 30 dhjetor. Në atë konferencë shumëorëshe, tipike autokrate, Edi Rama u pyet tri herë për rastin Veliaj. Në dy herët e para u përgjigj përmbledhtazi se nuk komenton rastet individuale, askujt në PS nuk i lejohet gjithashtu, përvec pas një vendimi përfundimtar gjyqsor, pak a shumë siç u përgjigj edhe tek Zëri i Amerikës dy ditë më herët, por tek përgjigja e pyetjes së herës së dytë paralajmëroi mos ta vinin më në ngasje, e ngasjes nuk i rezistoi tek pyetja e tretë.
Në të tretën e të vërtetën përgjigje, në pjesën e parë të saj, duke iu referuar gjyqit publik në medie e rrjete sociale ai lartësoi Veliajn si udhëheqës politik dhe transformues të Tiranës e, për këtë aspekt, u shpreh se ‘…atëherë këtu jemi në kushtet kur ka shumë për të menduar dhe ka shumë për të reflektuar’, ndërsa tek pjesa e dytë e përgjigjes, kur iu referua thelbit të dyshimeve të SPAK për Veliajn dhe familjarët e tij, ai u shpreh ‘…Ndërkohë që, nuk jemi në kushtet kur është shpallur ndonjë akuzë publike, me gjithë argumentet përkatës. Jemi në kushtet kur ka fjalë, thashetheme, sms-ra, një sms pa emër, në kuptimin që nuk kuptohet se kujt i është ngritur, si i është ngritur, pra jemi në kushtet e një amullie shumë të ngjashme me një çorbë derrash që nuk mund të jetë arsye për të marrë qëndrime ne sot. Ne do të shohim evoluimin edhe në kohën e duhur do të mbajmë qëndrimet tona.’.
Shkurt, qartas e haptas-çorbë derrash-e derisa të jetë e këtillë nuk mund të mbajë qëndrim për ç’ka thote SPAK/GjKKO. Nëse shtojmë këtu edhe ç’ritha lidhur me sekuestrimin e bazës së Limionit apo se ç’ritha për rastin Xhaçkaj dhe Gjykatën Kushtetuese, del fare qartë se ç’mendon Edi Rama për krijimin e vet më madhështor-Drejtësinë e Rilindur, të paparë që nga 1912ta-kur kjo, me a pa dashje, i cenon interesat.
Ai foli, dashnore(ë)t e SPAK/GjKKO riheshtën. Ndoshta për shkak të pushimeve dimërore, atmosferës festive, vëmendjes së pakët medietike, udhëtimeve, pijeve e ushqimeve. Le të presim çdo thonë e çdo bëjnë në ditët në vijim.
Nëse vijojnë të heshtin, s’mbetet urim tjetër festiv për të gjithë at(o)a, dashnore(ë)t pra, veç atij të famshmit urim të Gent Strazimirit:
SPAK YOU/ S,M