Sali Berisha ka sulmuar ashpër Altin Dumanin në dyert e godinës së Strukturës së Posaçme, ku u paraqit për të zbatuar masën e sigurisë që Gjykata kishte caktuar për të, në lidhje me dosjen “Partizani”.
Teksa e cilësoi SPAK si organizatë kriminale, Berisha u shpreh se Altin Dumani fle mbi dosje të rënda vetëm me urdhër politik.
“Siç e dini organizata kriminale SKAP kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berishës t’i rikthehet arresti në shtëpi, për shkak se jo se prish provat, jo se kanë asnjë fakt, por sepse ka sulmuar gjykatësit e prokurorët. Ky është një moment kritik, kur këta kriminelë që flenë mbi dosje duan të bëhen xhelatë të fjalës së lirë. Unë do t’i sulmoj ata që bashkëpunojnë me krimin. Unë do të faktoj sesi Dumani fle mbi dosje krimi. Do të faktoj sesi këta anëtarë të SKAP në deklaratat e tyre thonë se e kam blerë me 380 m2 apartamentin kurse ekspertëve të tij i urdhërojnë të vlerësojnë me 520 m2 ndërtimin e viteve 70. Altin Dumani është kryekriminel elektoral sepse ka mbyllur të gjitha dosjet e krimeve elektorale. Unë gjeta McGonigal që po i bënte kurs Dumanit. Dhe ai i thoshte në këtë mënyrë duhet të veprosh. Gjeta Lali vjedhësin që po rrihej me kolegët. Thërrisni Ajolën, por jo Lindën. Gjeta Ulusiun, po zihej me Dumanin për çantën Louis Vuiton. Pasi Ulusiu pasi ka marrë një sasi parash kërkon një çantë të shtrenjtë. Aty i gjeta këto. Unë gjeta raftet me 130 milionë euro të djegësit të Tiranës që po i ndanin me njëri-tjetrin. Gjeta paratë e sterilizimit që kishin arritur aty. Do të jap dokumente se këta janë një organizatë kriminale”, tha Berisha.
Më tej, ish-kryeministri u shpreh se nga dita në ditë do të vijojë me denoncimet e tij për SPAK, duke cilësuar sipas tij disa të dhëna që i ka siguruar nga jashtë sipas të cilave, Taulant Balla i ka shërbyer një grupi kriminal në Elbasan për të goditur rivalët, në këmbim të votave.
“Të paktën Dumani dhe një grup i tij funksionojnë si një organizatë kriminale. Më 10.02.2020 target është njëri nga banditët e bandës së Elbasanit, informon me telefonin e tij AM580 se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender apo favore përveç atyre që kishin rënë dakord. Ky mesazh iu çua Taos dhe i lanë afat deri në dhjetor. Taos i kërkuan arrestimin e kundërshtarëve. Taos i kërkoi garanci për votën nëse i burgosin ata që kërkonin ata. Dhe përgjigja ishte që ata e garantonin. Pastaj Tao tha që do të shkojnë në burg këtë vit. Taulant Balla është një kriminel. Kjo është një nga të dhënat që ka në dosje. Më 25 mars 2021 u arrestuan sipas këtij premtimi Capajt me kërkesë të Çelajt. Më pas Tao tha ata do të shkojnë në burg. Dhe kështu Tao doli kampion i votave. Tao përcakton tenderë, vendimet e gjykatave dhe merr përsipër me listë arrestimin dhe në kundërpërgjigje merr garanci për votat. Ky është vetëm një aspekt i dokumenteve të pafundme për SPAK. Kjo është një organizatë që për të gjitha këto, Tao shëtit nga një vend në një vend dhe ky është një aspekt pasi ka shumë të tjera të rënda. Unë jam zotuar se do ta faktoj se përse Dumani është kreu i një organizate kriminale. Ai i ka këto gjëra prej shumë kohësh”, deklaroi Berisha. /e.t