Periudha e festave ofron një mundësi unike për t’u shkëputur pak nga rutina e ngarkuar e përditshmërisë dhe për të kaluar kohë cilësore. Ndërpresim për pak detyrimet, kalojmë kohë me të dashurit tanë dhe i dorëzohemi tundimeve të ushqimeve me shumë kalori.
Megjithatë, sado e këndshme të jetë shijimi i pjatave të shijshme, kjo kënaqësi vjen me një ndjesi faji dhe me zotimin që e hëna e parë e vitit do të na rikthejë në jetën e shëndetshme.
Sasitë e larta të natriumit, sheqerit dhe yndyrës që përmbajnë zakonisht menutë festive, në kombinim me konsumin e shtuar të alkoolit, mund të çojnë në simptoma si urthi, tretja e ngadaltë, dhimbjet e barkut, dhimbja e kokës dhe lodhja.
Sipas Fondacionit Ndërkombëtar të Osteoartritit, zgjidhja për trajtimin e këtyre simptomave vjen përsëri nga zgjedhjet ushqimore, të cilat ndihmojnë në balancimin e efekteve të pjatave festive.
Cilat ushqime ndihmojnë tretjen?
Ushqimet që duhet të konsumoni duhet të stimulojnë mëlçinë dhe të gjithë organizmin tretës, duke përmirësuar këtë proces.
Disa nga ushqimet që mund të zgjidhni janë:
1. Selino
2. Radhiqe
3. Rukola
4. Rrepa
5. Lakra Brukseli
6. Lulelakër
Këto ushqime stimulojnë sekretimin e enzimave tretëse. Për më tepër, selinoja dhe radhiqet kanë veti të dobishme për personat që vuajnë nga tensioni i lartë. Mund t’i shijoni të papërpunuara në sallata ose në gatime të ngrohta si shoqëruese për mishin.
Nga ana tjetër, angjinaret janë një ushqim i domosdoshëm për mëlçinë, duke stimuluar detoksifikimin. Ato janë të pasura me fibra prebiotike, si inulina, që nxit zhvillimin e baktereve të shëndetshme në zorrë, duke forcuar shëndetin e sistemit tretës.
Pija që stimulon tretjen
Çaji jeshil, veçanërisht kur i shtohet limon, është një zgjedhje tjetër e shkëlqyer për të mbështetur funksionin e mëlçisë, falë vetive të tij antioksiduese. Megjithatë, rekomandohet të konsumohet herët gjatë ditës për të shmangur problemet me gjumin.
Duke ndjekur këshilla të thjeshta, por të dobishme ushqimore, mund të shijoni periudhën festive pa u shqetësuar për shëndetin e sistemit tuaj tretës./K.K