Avokati Spartak Ngjela ka komentuar protestën e Partisë Demokratike përpara Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar si “të dobët”.
Ai ka fajësuar ish-kryeministrin Sali Berisha për faktin se po “mban peng dhe skllav” PD-në, duke thënë se Berisha duhet të largohet nga drejtimi i partisë dhe të pranojë se tashmë është “non grata”.
Ngjela shtoi se Berisha po dëmton Shqipërinë dhe se protesta kundër pushtetit gjyqësor është e papranueshme.
Në lidhje me SPAK-un, Ngjela shpjegoi se ky institucion nuk drejtohet nga shqiptarët, por nga politika amerikane, duke theksuar se nuk ka asnjë mundësi për të ndaluar punën e tij.
Përsa i përket zgjedhjeve të 11 majit 2025, Ngjela theksoi se sondazhet janë të këqija për PD-në dhe se Berisha duhet të largohet për të lejuar partinë të ecë përpara. Ai gjithashtu komentoi për votën e emigrantëve, duke theksuar se e drejta e tyre për të votuar është shkelur deri tani dhe se duhet të garantohet si një e drejtë themelore e njeriut.
“Protesta ishte e dobët. Nuk ka shtet modern që të bëjë protestë para Gjykatës, vetëm Saliu që nuk e di fare se në çfarë sistemi është, ai kujton se është akoma në vitin 1991. Po i bie më qafë Shqipërisë, do shohim do dënohet a jo, ai është në proces penal.
Po a bëhen revolta kundër pushtetit gjyqësor, ai është pushtet i pavarur, kush është ky që bën protesta? Ai kujton se është ende në 1990!. E majta po përgatitet për zgjedhje normale. Ka paraqitur programin e saj, bravo i qoftë.
Zgjedhjet janë domosdoshmëri, sa më shpejt aq më mirë e kanë. Kurse PD-së me Saliun i dalin shumë keq sondazhet. Më erdhën mua sondazhet nga ekspertët dhe dalin shumë keq. Ai duhet që të iki nga PD, e mban kot peng e skllav, është edhe non grata nga Amerika, ai duhet të iki nga ajo parti”, tha avokati./ S.M