Besimi në ekonomi ka pësuar një ngadalësim gjatë muajit dhjetor. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike u tkurr me 3.8 pikë në fund të vitit 2024 megjithatë, niveli aktual qëndron më shumë se 8 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Rënia më e madhe u regjistrua në sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve. Ndërsa në një masë më të vogël ndikoi edhe rënia e besimit të konsumatorit.
Por pavarësisht këtyre treguesve të dhënat me frekuencë tremujore tregojnë se gjendja financiare e bizneseve u përmirësua lehtësisht në tremujorin e katërt, duke rezultuar si vlera më e lartë historike për sektorët e industrisë dhe ndërtimit.
Po ashtu një tjetër element i rëndësishëm pozitiv është edhe rritja e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre që është rritur këtë tremujor në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Të dy këta tregues qëndrojnë ndjeshëm mbi vlerat e mesatares historike përkatëse
Treguesi i besimit të industrisë ra vetëm me 1% dhe u ndikua nga vlerësimet më pak pozitive të bizneseve për prodhimin industrial aktual. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për lart krahasuar me muajin e kaluar, ashtu si edhe pritjet e bizneseve të këtij sektori për punësimin në të ardhmen. Ndërkohë që treguesi i besimit në ndërtim shënoi rënie me 5.5 % në dhjetor e ndikuar direkt nga aktiviteti aktual ndërtues.
Tkurrje shënoi edhe Treguesi i besimit në shërbime ku kontribuuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre. Pavësisht se fluksi i turistëve ka vijuar përgjatë vitit dhjetori njihet si muaj me më pak lëvizje në krahasim me muajt e tjerë të vitit./K.K