Me nisjen e vitit 2025 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për burrat. Kjo rritje është një vazhdimësi e skemës së pensioneve të miratuar në 2015. Reforma cakton një rritje graduale të moshës së pensionit si për gratë edhe për burrat. Kështu, gjatë këtij viti një grua duhet të jetë 61 vjeç e 10 muaj, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension. Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.
Ndërkohë ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data janar 2025 duhet të ketë 38 vjet e 8 muaj. Sipas formulës, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Por qeveria ka parashikuar një skemë të re pensionesh e cila pritet të publikohet brenda këtij viti. Kujtojmë gjithashtu se mbi 700 mijë pensionistë do të marrin një tjetër bonus që varion nga 50 deri në 100 euro në prill. Ministri i Financave tha pak ditë më parë se qeveria ka rishikuar buxhetin dhe ka përcaktuar një fond prej 6.3 miliardë lekë në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë që do të përdore për shpërblimin e pranverës.
Reformë e re
Përpos përshpejtimit të moshës kur do të barazohen të dyja gjinitë për daljet në pension dhe rritjes së përfitimeve për pensionet e ulëta, janë një sërë treguesish të tjerë që po shqyrtohen nga grupi i punës për të dalë me një reformë të re në 2025-ën. Ato lidhen më konkretisht me vjetërsinë minimale për të përfituar pension pleqërie apo pension social, nivelin e kontributit të dhënë (qoftë si punëmarrës apo punëdhënës) si dhe më kryesorja ndryshimi i gjithë formulës së përfitimit. Sipas zëvendësministres së Ekonomisë, Olta Manjani, e cila kryeson grupin e punës, rishikimi i skemës konsiston në zhvillimin e parimit të pamjaftueshmërisë, duke siguruar përfitime më të larta për pensione nga skema e detyrueshme si dhe për kategoritë më vulnerabël të shoqërisë siç janë pensionet e invaliditetit apo ato familjare.
Si udhëheqëse e grupit që po harton reformën, ajo thotë se skema e re, që po ndërmerret së bashku me Bankën Botërore, synon ngushtimin e diferencës mes pensionit minimal dhe atij maksimal. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se vitin e kaluar, 51% e pensionistëve përfituan pension të pjesshëm. “Ajo që po diskutojmë është që të kemi një rritje të pensioneve, për të ngushtuar hendekun midis pensioneve që janë më të ulëta dhe atyre më të larta. Do të përfitojnë të gjithë pensionistët nga rritja”.
Në tetor është bërë vetëm indeksim i pensioneve, ndërsa skema e re do të nisë zbatimin duke nisur nga viti 2025. Të dhënat tregojnë se ndërmjet 2000 deri në 2023, ka pasur një zgjerim të periudhës së gëzimit të pensionit, për shkak të rritjes së jetëgjatësisë. Sipas të dhënave të fundit të Instat-it, jetëgjatësia mesatare në Shqipëri më 2022 ishte rreth 77 vjet për burrat dhe rreth 81 për gratë. Ndërsa koha e gëzimit të pensionit arriti në 19.4 vite për burrat dhe 27 vite për gratë. Zgjatja e viteve të gëzimit të pensionit shton presion për më shumë shpenzime në skemën e pensioneve, e cila është edhe nën presionin e rritjes së numrit të pensionistëve./ S,M