Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi i Prokurorisë së Posaçme, 5 vjet më parë. Sjellja e politikës ndaj SPAK është bërë edhe më e ashpër.
Këtë të martë, për afro 3 orë ish-presidenti Ilir Meta është marrë në pyetje nga prokurorët e SPAK në lidhje me një nga dosjet e dyshuara korruptive që rëndon ndaj tij, ajo e lobimit në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, ditën e djeshme (06 janar) Sali Berisha është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.
Për të diskutuar më shumë për zhvillimet e fundit të SPAK në politikë, në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus ishte analisti Ergys Mërtiri.
Mërtiri tha se Z.Berisha nuk e ka luftën me kryeministrin, por me Altin Dumanin. Sa i përket zgjedhjeve primare në PD, ai deklaron se nuk do të ketë.
Analisti shton se mosbindja e kreut të PD për t’u paraqitur në SPAK dëmtoi më shumë vetë Z.Berishën. Mërtiri tha se si Berisha, edhe Meta ka të njëjtën gjuhë përballë drejtësisë, çka i bën ata shumë qesharakë.
Intervista e plotë:
-Z.Berisha nisi të paraqitet në SPAK i detyruar me urdhrin e Gjykatës Speciale. Çfarë ndryshoi nga një vit më parë me Berishën? A ke një opinion për këtë çështje?
Nëse Z.Berisha do t’i ishte bindur vendimit të gjykatës, nuk do të kishte kaluar një kalvar vuajtjesh, një arrest shtëpie… ku qindra qytetarë kanë qëndruar çdo ditë duke protestuar. Kjo dëmtoi më shumë Z.Berishën sesa dikë tjetër. Edhe vajtja e Z.Berishës në SPAK me protesta, fjalime, reflekton pikërisht këtë mentalitet, përpjekjen që Z.Berisha bën për të maskuar humbjen përballë SPAK-ut, dështimin përballë institucioneve të drejtësisë. Ai përpiqet ta shesë këtë si fitore. Janë përpjekje për të mashtruar krizën dhe nënshtrimin përballë SPAK-ut, duke e shitur si superioritet. Në çdo vend normal të botës, Z.Berisha i duhet të bënte betejën ligjore, siç i takon çdo politikani serioz, por në Shqipëri nuk ndodh kjo.
-Z.Berisha është angazhuar që në PD do të zhvillohen zgjedhjet primare, a duhet të presim deri në 11 mars, pra dy muaj para 11 majit, që ky proces të përfundojë?
Nuk duket se do të ketë primare në PD. Shoh një rreshtim të mbështetësve të Z.Berishës në krah të tij, kundër SPAK. Një vit më parë, kur grupi i Bardhit tha se nuk jemi kundër SPAK-ut, por jemi të bashkuar në diversitet, sot shohim që koloriti ka marrë të vetën, ngjyra që njeh vetëm Berisha. Është prishur diversiteti dhe ansambli është kthyer në monolog, recitojnë të njëjtin monolog kundër SPAK-ut. Berisha po përpiqet të kapë aq vota sa i lejojnë për të pasur ekskluzivitetin e opozitës, për ta përdorur si instrument mbrojtjeje ndaj SPAK-ut. Lufta e Berishës nuk është me Ramën, por me Dumanin./ S,M