1 në 4 të rritur në Shqipëri konsumojnë duhan apo e thënë ndryshe 25 për qind e popullsisë madhore, duke i shkaktuar vetes dëme shëndetësore dhe ekonomike.
Duhanpirja në Shqipëri vijon të mbetet në nivele të larta ku pothuajse gjysma e meshkujve konsumojnë duhan. Niveli i konsumit tejkalon ndjeshëm vendet e OECD-së si edhe nivelin mesatar global.
Ndër shkaqet kryesore të niveleve të larta të konsumit të duhanit në Shqipëri janë çmimet relativisht të ulëta të cigareve, pjesërisht për shkak të akcizës së ulët për produktet e duhanit.
Sipas një studimi të bërë nga DSA, rritja e nivelit të akcizës me të paktën 30% , do të ulte ndjeshëm konsumin e duhanit.
Drini Imami, ekonomist, përfaqësues i DSA, shprehet:
“Ajo që kemi dokumentuar qartë është që një rritje e madhe e akcizës, kontribuuon në uljen e konsumit të duhanit, sidomos tek të rinjtë që janë shumë më të ndjeshëm ndaj çmimeve. Rekomandojmë politikbërjes që të rrisë akcizën diku deri në 30 %. Rritja e inflacionit e ka bërë duhanin më të lirë në terma relativë, sepse akciza nuk indeksohet.”
Nivelet e akcizës së duhanit konsiderohen ndër më të ulëtat në rajon dhe ndjeshëm më e ulët në krahasim me kërkesat minimale të BE-së. Studimi tregon se çmimi ka një ndikim të madh në gjasat për të filluar duhanin si dhe në vendimin për të lënë duhanin.
Një rritje prej 10 për qind e çmimit ul mundësinë e fillimit të pirjes së duhanit në Shqipëri me më shumë se 5 për qind. Sa i takon konsumit të duhanit tek varfëria, studimet tregojnë se në Shqipëri janë rreth 13 mijë familje me 60 mijë anëtarë që kanë kaluar nën kufirin e varfërisë./K.K