Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot, ka paralajmëruar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, kundër cenimit të kufijve sovran të Bashkimit Evropian ,në mes të një debati të shtuar mbi kontrollin amerikan të Grenlandës.
Komentet e ministrit francez vijnë pasi Trump ringjalli polemika duke sugjeruar se kontrolli amerikan i Grenlandës është një “domosdoshmëri absolute” për shkak të rëndësisë strategjike të këtij territori. Këto komente të Trumpit kanë ringjallur tensionet mbi Grenladën, territorin vetëqeverisës nën monarkinë e Danimarkës.
Duke folur për radion ‘France Inter’, Barrot theksoi angazhimin e BE-së për të mbrojtur territorin e saj, ndonëse u shpreh se ai nuk beson se SHBA-ja do të përpiqet të pushtojë Grenlandën.
“A duhet të lejojmë veten të frikësohemi dhe të përfshihemi në shqetësime të shumta, sigurisht që jo. Fillimisht, ne duhet të zgjohemi”, tha Barrot.
Grenlanda, derisa është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, mbetet nën autonomi të konsiderueshme me parlamentin dhe administratën e saj. Ishulli zgjedh dy anëtarë në parlamentin e Danimarkës dhe vazhdimisht ka hedhur poshtë nocionet e pronësisë së SHBA-së, duke përmendur lidhjet e forta kulturore dhe politike me Danimarkën.
Vendndodhja strategjike e ishullit në Arktik e bën atë një vend kyç për një sistem të mbrojtjes raketore të paralajmërimit të hershëm të SHBA-së, por popullsia e Grenlandës vazhdimisht ka shprehur kundërshtimin ndaj çdo propozimi për blerje nga SHBA-ja./K.K