Haveli do prodhojë birrë në Tiranë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ben Andoni

Vaclav Havel nuk është më në jetë. Dhe, kuptohet se në ditët tona nuk mund të bëj asgjë që e angazhon atë fizikisht, por jo moralisht dhe mbi të gjitha të na mësoje me shembullin e tij. Burri i madh i shtetit çek ishte jo vetëm desidenti, që njohim por edhe autor, poet, dramaturg. Shërbeu në dy mandate, njëherë si kreu i Çekosllavakisë, para shpërbërjes dhe në mandatin e dytë, si kreu i shtetit të Çekisë.

Ajo, që e bëri më shumë të njohur mes mendimtarëve të dekadave të fundit, ishte pasqyrimi i anatomisë së kalbur të socializmit të vendit të tij, që me forcën e penës e shndërroi në një narrativë treguese për të gjithë vendet tona.

Alegoria e tij e fabrikës së birrës, ku punoi vetë në vitet ‘70, është nga më interesantet, për të shpjeguar kauzat e munguara dhe paradokset e përpjekjeve demokratike.

Po e sjellim një fragment të saj, marrë nga eseja e tij “Fuqia e të pafuqishmëve”: “Në vitin 1974, kur u punësova në një fabrikë birre, eprori im direkt ishte një farë Š, një person që e njihte mirë teknologjinë e prodhimit të birrës. Ai ishte krenar për profesionin dhe donte që fabrika jonë të prodhonte birrë të cilësisë së mirë.

E shpenzonte pothuajse të gjithë kohën në punë, duke menduar vazhdimisht për përmirësime dhe shpesh na bënte ne të tjerëve të ndiheshim jo rehat, ngaqë hamendësonte se e donim prodhimin e birrës po aq sa ai. Në mes të indiferencës së ndyrë ndaj punës që nxit socializmi, do të ishte e vështirë të imagjinohej një punëtor më konstruktiv sesa ai.

Vetë fabrika e birrës drejtohej nga njerëz që e kuptonin më pak se të tjerët punën e tyre dhe kuptohet se e donin më pak, por që dihej se kishin më shumë ndikim politik. Ata po e çonin në rrënim fabrikën e birrës dhe jo vetëm që nuk reaguan ndaj asnjërës prej sugjerimeve të Š-së, por në fakt u bënë gjithnjë e më armiqësorë ndaj tij dhe u përpoqën me çdo mënyrë t’ia pengonin përpjekjet për të bërë një punë cilësore”.

Vazhdimi është i hidhur: I ngrati Š do t’u shkruante autoriteteve dhe, ata që kanë jetuar socializmin e dinë përgjigjen. E akuzuan si sabotator dhe e përcollën në një punë të rëndomtë në një fabrikë tjetër, kurse fabrika shkoi keq e më keq.

Alegoria i afrohet disi Shqipërisë dhe kjo lidhet me kauzat, që mundohen të marrin grupe shoqërore, ku menjëherë u pllakosin njerëzit e partive për të përfituar nga kapitali njerëzor. Zëri i tyre humbet pasi politika e përçon zërin vetëm atje kudo dhe për njerëzit që do, por asnjëherë për çështjet e njerëzve, që ua deformon për interesat e saj.

Ja pse protesta e studentëve, pa u futur politika pak vite më parë e trandi qeverisjen e Ramës, kur politika e opozitës dhe e përfituesve nuk iu ndërkall; apo ndryshe: protestat ndaj armëve kimike, në fillim të mandatit të parë të Socialistëve, që treguan një mobilizim aq të madh kishin fatin se nuk kishin karburant politik.

Kurdo, që një individ, grup ose fashë shoqërore mundohet të bëj diçka do t’ia behi politika shqiptare për t’ua transformuar zërin dhe pastaj për t’i lënë këto grupime në pozicione të këqija. Mbase ky është momenti, që individë të shoqërisë civile, personalitete të ngrenë kauza jashtë grupime politike, për t’i përçuar tek një publik, që nuk mund të jetojë gjithnjë me status quo-të e imponuar prej politikës dhe në një shoqëri tejet të politizuar. Këtë duhet të kuptojë sot dhe opozita e sotme (individët kinse reformues të saj) në lëvizjet e saj, që janë pa busull dhe shpesh në funksion të sajimeve, por asnjëherë qëllimeve reale, që ka publiku.

Lexo edhe :  Juglindja është bërë alternativa joverore e Jugperëndimit, por…

Më shumë se çdo gjë tjetër, në kohën tonë, ka ardhur koha të ndihmojmë me sa mundemi lëvizjet e organizatave, që kërkojnë ndryshim, të përfshihemi në to. Liria presupozon që të kemi mundësi të organizohemi dhe mbi të gjitha të “jemi në aktivitete që janë me interes për ne, për miqtë apo për familjet tona. Dhe, nuk është e nevojshme që këto organizata të jenë të gjitha politike”, shkruan në sythin e tij për kauzat tek “Mbi Tiraninë”, historiani Timothy Snyder, nga i cili kemi “huajtur” këtë temë.

E dimë mirë që politika nuk i duron dot organizimet, kurse militantët e partive i urrejnë më shumë, por në aktivitete të tilla, njihet shpirti i vërtetë i individëve të shoqërisë por edhe i personaliteteve, që kanë përmasa drejtimi dhe organizimi.

Kurse, klasa e vegjetuesve në politikë (deputetët e përhershëm) nuk i dëshiron situatat e tilla, ku gjendemi sot në Shqipëri sepse e ka të pamundur të ndahet nga fuqia e 1-shit, prej të cilit i vinë përfitimet dhe angazhimet, por edhe sepse u mjafton t’i marrin vendit sa më shumë që të munden, pa derdhur pikë energjie. Janë këta që mbysin çdo gjë në embrion, apo duke përdorur dezinformimin të hedhin baltë mbi këdo që kërkon ndryshim.

“Të aftësuarit për të besuar te tjetri dhe për të mësuar nga të tjerë na ndihmon për ta bërë jetën më pak kaotike dhe më pak misterioze nga sa është, ndërsa në të njëjtën kohë, politika demokratike bëhet më e mundshme dhe më tërheqëse”, shkruan në të njëjtën syth Snyder. Dhe sërish nga shembujt e mirë të desidentëve të vërtetë antikomunistë argumenton se: aktiviteti në dukje jopolitik i shoqërisë civile është një masë mbrojtëse e lirisë.

Nëse alegorinë e Havelit do ta shndërronim në ditët tonë, vetëm të heqësh emrin e sistemit, është pothuaj e vërtetë 100%. Njeriu dhe grupi shoqëror që ngrenë kauza, që do të ndihmojë dhe që apelon, është më i anatemuari nga të paaftët. E kanë provuar ata pak bilbilfryrës, që i kanë sharë si spiunë; ata që kanë kundërshtuar fuqinë Rama-Berisha; ata që apelojnë përditë…I vendosin mënjanë, jo si Š-ja e Havelit, por në harresën e një komuniteti shoqëror, që i pëlqen “cilësia e keqe e birrës”, që u serrviret shqiptarëve prej 35 vitesh me radhë. Ndoshta, prandaj, Haveli dhe individë si ai “duhet të vinë dhe të hapin një fabrikë birre në Tiranë”. (Homo Albanicus)/       S,M

Të fundit

Tregu i punës në tranzicion/ Rritet numri i personave që përfitojnë pagesë papunësie

Teksa agjencitë punësimit po sjellin rregullisht punonjës nga Azia dhe Afrika për të plotësuar nevojat e bizneseve në disa...

Zjarri i ri shpërthen në Hollywood Hills/ Kërcënohen monumentet, kaosi përfshin LA

Një zjarr ka shpërthyer në Hollywood Hills, duke bërë që shefi i Departamentit të Zjarrfikësve të LA, Kristin Crowley të largohet papritur nga një...

Gjendet një thesar në një kishë gotike në Gjermani/ I fshehur 400 vite më parë

Restauruesit e një kishe gotike në Gjermani zbuluan një thesar të fshehur në këmbën e zbrazët të një statuje kishe që ishte humbur pothuajse...

Presidenti Biden firmos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për zjarret në Kaliforni

Presidenti Joe Biden miratoi të mërkurën një deklaratë federale të emergjencës për zjarret e Kalifornisë, që do të mundësojë fonde dhe burime për të...

Pasaportat më të fuqishme në botë për vitin 2025, Shqipëria në vendin e 43-të

Poseduesit e pasaportës shqiptare mund të udhëtojnë pa viza në 123 vende të botës. Shqipëria renditet në vend e 43-të, në botë sipas Indeksit të...

Lajme të tjera

Web TV