Trajneri i kombëtares së Francës në futboll, Didier Deschamps do të njoftojë sot se nuk do të rinovojë kontratën e tij si trajner i Bluve. Me gjasë Zinedine Zidane do pasojë veteranin Deschamps.
Trajneri i kombëtares së Francës në futboll, Didier Deschamps do të njoftojë sot se nuk do të rinovojë kontratën e tij si trajner i Bluve dhe për këtë arsye do të largohet pas Kupës së Botës 2026, sipas një informacioni nga L’Equipe.
Sipas lajmeve ai do të bëjë të ditur vendimin e tij sot. Deschamps, 56 vjeç, e ka kuptuar tashmë disa muaj më parë se ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj eksperience të jashtëzakonshme dhe është i bindur se ka ardhur momenti për të zyrtarizuar gjithçka. Trajneri është në krye të Francës që prej vitit 2012.
Me Francën, Deschamps fitoi Kupën e Botës 2018 dhe humbi dy finale të mëdha në Euro 2016 dhe Kupën e Botës 2022. Deschamps fitoi gjithashtu Ligën e Kombeve 2021 dhe ai do të ketë mundësinë ta përsërisë këtë sukses në këtë kompeticion me ‘Les Bleus’ që do të përballet me Kroacinë në çerekfinale marsin që vjen.Zinedine Zidane, i cili ka drejtuar vetëm ish-klubin e tij Real Madrid dhe nuk ka qenë trajner që nga viti 2021, tani ka një rrugë të qartë për t’u bërë njeriu i ri në krye të ekipit kombëtar të Francës./K.K