Në dy javët e fundit, në juglindje të Shqipërisë kanë humbur jetën katër adoleshentë për shkak të problemeve kardiake.
Viktimat janë një vajzë 15-vjeçare nga Erseka, një tjetër 17-vjeçare nga Pogradeci, një 16-vjeçar nga Korça dhe një 12-vjeçar nga Maliqi.
Sindroma e vdekjes së papritur tek të rinjtë është një fenomen që ndodh në mbarë botën, edhe tek individë që duken të shëndetshëm.
Kardiologët shpjegojnë se kjo sindromë quhet vdekja e papritur aritmike dhe ndodh kur zemra ndalon papritur për shkak të një aritmie. Mjekët theksojnë se dy nga rastet e fundit janë të dyshuara si pasojë e aritmive madhore, ndërsa dy të tjera janë shkaktuar nga miokarditi akut, një inflamacion i zemrës i shkaktuar nga viruse.
Edhe pse këto raste janë të njohura në mjekësi, mjekja Ilda Lera nga Spitali i Korçës apelon tek të rinjtë që të bëjnë kujdes në përdorimin e substancave si alkooli dhe narkotikët dhe të mos e neglizhojnë shëndetin e zemrës, duke bërë kontrolle të rregullta./ S,M