VIP-at shqiptarë të panginjur: Hanë bukë qyl në Big Brother

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Më ka gjet taksirati që të shkruaj nga një artikull propagandistik e promovues për Big Brother-in sa herë ai nis në Shqipëri. Me timen unë e quaj një shkrim kritik ku evidentoj problematikat. Po ku do t’ia dijë njeri. Sepse sot ekziston termi që: sa më shumë kritika aq më mirë për spektaklin dhe protagonistët… Ose thënë ndryshe “Kush të shan e të rreh, të do e të dashuron”.

Për të mira e gëzime! Të zotit të kësaj shtëpie që sot marton djalin dhe na ka thirrur të gjithëve siç jemi. Rrofsh e u shtofsh me njerëz e me mall, e i trashëgofsh! Dollibashi urdhër!

Tanimë në edicionin e IV fenomeni i “Big Brother VIP” në Shqipëri është kthyer në një arenë ku figura publike, të njohura shpesh për dramën dhe jo për arritjet, kalojnë javë të tëra duke jetuar në luks dhe duke konsumuar ushqime qyl.

-Ha qyl ha ti. A kulishi i qenit. Hë apo do vish në shtëpi, pos s’ta çokanisa kokën pa të më shikosh. Edepzëz gjidi.

Ndoshta kanë mbetur dhe pa ngrënë derdimenët, se kohë të vështira po jetojmë.

-I ra të fikët. E ka nga uria. Kemi dy ditë pa ngrënë zoti mësues. Na kanë dënuar për punë të kujdestarit.

Përtej argëtimit që VIP-sat ofrojnë për publikun, – me sherre masive për të cilat vdesin shqiptarët e thjeshtë, – shpesh krijohet përshtypja se këta VIP-a janë aty vetëm për të përfituar bukë, rehati dhe vëmendje falas, ndërsa shqiptarët e tjerë, – ata që i shohin nga ekrani e dërgojnë mesazhe për televotimet e njëpasnjëshme, – luftojmë për bukën e përditshme.

-Na i paskeni bërë të grunjta sot. E shijshme.

-Akoma të japin triskë ty.

-Zanatçi i varfër unë. Racioni i dy ditëve.

Pastaj dhe për të fjetur. Qejf o qejf! Si në krevatin e butë të zonjës Bertini ku tentonte të futej tenente Gurabardhi për të cilin thoshin se ishte serioz e patriot dhe nuk e kishte bërë betimin fashist në Romë. Dyshekë dy pëllëmbë të trashë vëlla, si te “Krevati i Perandorit” ku u shtri Meke partizani me opinga llastiku të ndyra me baltë. Se helbete, nga mali vinte.

-Do bëjë gjumë si beu në kashtë. I thashë lanetit të mos pijë shumë.

Në vitet e fundit, “Big Brother VIP” është kthyer në një nga spektaklet më të ndjekura në Shqipëri, ku figura publike, artistë dhe të ashtuquajtur “VIP-a” grumbullohen në një ambient pa qira, për të ndarë drama, intriga dhe çaste të dyshimta autenticiteti. Në thelb, ky format ofron një pasqyrë të jetës së përditshme të individëve të njohur, por gjithnjë e më shumë po lind një pyetje: A janë këta VIP-a të vërtetë, apo thjesht “të panginjur” që kërkojnë famë dhe privilegje të shpejta? Bukë, qofte e pastiçe, në rastin konkret. Se aty vetëm gatuhet. Gatuhen ushqime dhe intriga. Të gjithë me tigan në dorë i shikon.

Hajde kuzhinë hajde, si ajo e xha Thomait në turizmin e Pogradecit që gatuante peshk për dhëndrin e zëvendësministrit.

-T’i provoj një çikë këto patatet, – dhe tjetri fut dorën pa teklif në pjatë. – Të mira qenkan. Kështu po marr dhe unë.

Pastaj tigani del në një sekuencë këtej nga plazhi i Durrësit.

-O, o, o e paskeni nis me të mëdhaja or çuna. Sikur t’u mbështjell ca peshk që më ka mbet?

Pjesëmarrësit e spektaklit gëzojnë shërbime dhe kushte që për shumicën e shqiptarëve janë të paarritshme. Ushqime të zgjedhura, aktivitete argëtuese dhe, mbi të gjitha, një jetë pa pagesa dhe përgjegjësi. Dhe birra, sa më shumë birra.

-Koran, sa më shumë koran… – i thosh baba i Tomit oficerit gjerman që i kontrollonin dokumentet e peshkimit.

-Koran gud.

Në fakt, “Big Brother” ka arritur të shndërrohet në një model të perfeksionuar të jetës pa mundim: mjafton të përfshihesh në një debat banal apo një dramë të stisur, dhe je në rrugën drejt famës dhe rehatisë.

Lexo edhe :  Ndërtime në pronat publike/ Rama prezanton projektin: Shteti përfiton si privati

Sot do lozë qeni i kallajxhiut.

Në një shoqëri ku realiteti i përditshëm përfshin luftën për të paguar fatura gjithfarllojesh, këta “VIP-a” duken sikur po e përdorin spektaklin si një arratisje nga realiteti i tyre, ndërsa shikuesit i ndjekin për t’i gjykuar, për të qeshur apo thjesht për t’i imituar.

Çështja kryesore lidhet me vetë termin “VIP.” Nëse dikur ky term nënkuptonte figura me arritje të jashtëzakonshme, sot duket se mjafton të kesh një ndjekës të madh në Instagram ose të kesh shkaktuar një “drama” të bujshme për të fituar statusin e tillë. Një pjesë e madhe e pjesëmarrësve janë të famshëm vetëm sepse janë… të famshëm, duke e kthyer spektaklin në një paradë absurditeti.

Fenomeni i VIP-ave shqiptarë në “Big Brother” është një reflektim i një shoqërie që gjithnjë e më shumë po glorifikon dukjen mbi substancën. Në një kohë kur publiku kërkon frymëzim dhe përfaqësim të vërtetë, një pjesë e këtyre “të famshmëve” ofrojnë thjesht një shfaqje të përsëritur të “bukës qyl.” Por në fund, kush është më fajtor: ata që konsumojnë spektaklin apo ata që e prodhojnë atë?

-Fëmijët kanë dy ditë pa bukë, t’i çosh deri aty sa t’u bjerë të fikët nga uria është krim.

Dhe vuuuu furnizimi me ushqime.

-Sot kam gëzim, bëni qejf e mos u merrni me të thella. Raki e mish ka sa të doni, – u thosh Safa Ymeri njerëzve që kish ftuar në dasmën e të birit.

Kultura shqiptare shpesh ka favorizuar “të njohurin” dhe jetën e dukjes. Në një vend ku mundësitë për famë dhe sukses janë të kufizuara, shfaqje si “Big Brother” bëhen platforma ideale për ata që kërkojnë të shquhen pa shumë përpjekje. Është një lloj “rruge të shkurtër” drejt famës, që fatkeqësisht po promovon idenë se gjithçka mund të arrihet pa punë të vërtetë apo talente të veçanta.

Ndërsa këta individë shijojnë të mirat e spektaklit, publiku shpesh mbetet i zhgënjyer. Shikuesit ndihen të manipuluar kur e kuptojnë se drama dhe emocionet shpesh janë të stisura për të rritur shikueshmërinë, ndërsa mesazhet me vlerë apo përmbajtja cilësore mungojnë. Megjithatë vazhdon ta ndjekë spektaklin e të dërgojë sms-të e kërkuara.

Hajde, të gjithë bashkë, të kontribuojmë për t’i mbështetur që të vazhdojnë jetën e tyre të “vështirë” mes kamerave, dramave të inskenuara dhe privilegjeve të pakufishme.

Madje ka nga ata që përfitojnë dhe vizita mjekësore të tipit: “mjekësia që duam”, të cilën nuk e gjejnë dot në spitalin shtetëror. Dhe mjekët nuk bëjnë shaka me programin, i vënë të gjitha energjitë në shërbim të pacientit dhe ia gjejnë të keqen.

-Është mjek i ri por i zoti. Thonë se ia ka gjet Gjin Kryebardhit që e kish thy kambën para 20 vjetësh.

Në të njëjtën kohë një qytetar i zakonshëm pret me muaj për një vizitë mjekësore në spitalet shtetërore.

Mos ndoshta duhet hapur një GoFund për këta VIP-a?

Ideja për të hapur një GoFund për VIP-at e “Big Brother” tingëllon si një sarkazëm perfekte për të theksuar absurditetin e situatës. Imagjinoni të shihni një titull si: “Ndihmoni VIP-at tanë të mos mbeten pa bukë dhe drama qyl!”

-Po hani hë? Ju bëftë mirë! Hani ju hani, ç’t’i bëj drejtorit që është zemërmirë. Po kujtoni se shpëtuat. Mua të më hidhni nga shkallët dhe ju të dilni të larë. Do ta gjej unë atë, nga fundi i dheut do ta nxjerr. Po hani ju hani.

Fundja, a ka ndonjë VIP që nuk është i pangopur për pak më shumë bukë qyl?

Ndoshta është koha që publiku të reflektojë më shumë mbi çfarë dhe kë përkrah. Përndryshe, spektakli i “bukës qyl” dhe përfitimeve të tjera qyl, do të vazhdojë, ndërsa shoqëria e zakonshme do të mbetet në radhë.

Të fundit

Telefonata me kryeministren e Italisë, Erdoğan : Duhet urgjentisht rindërtimi i Sirisë!

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, nënvizoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave urgjentë për rindërtimin e Sirisë. Në një bisedë...

10 kuriozitete që (ndoshta) nuk i keni ditur për Grenlandën

Grenlanda , ishulli më i madh në botë, kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare pasi Donald Trump shprehu dëshirën e tij për të fituar "kontrollin e tij për...

Kosovë/ Qeveria miraton rritjen e pensioneve për kategoritë e luftës

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë, për...

BE: Sanksionet ndaj Sirisë mund të lehtësohen në varësi të përparimit që bëhet

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas thotë se unioni mund të lehtësojë sanksionet ndaj Sirisë në varësi të përparimit që bëhet. “Në Romë mora...

Gjykata e Lartë e SHBA refuzon kërkesën e Trump për të ndalur dhënien e dënimit ndaj tij

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë të enjten kërkesën Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të ndalur dhënien e dënimit nga...

Lajme të tjera

Web TV