Ish- kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga deputetët demokratë mobilizim maksimal për të marrë votën e Diasporës. Berisha ka dhënë “ok” për ndërhyrje në Kodin Elektoral dhe pranoi se janë në negociatë për të sjellë votën nga jashtë në zgjedhjet e 2025 në mënyrën më të thjeshtë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar rëndësinë strategjike të votës së diasporës dhe nevojën për mobilizim të plotë nga strukturat e partisë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Gjatë një takimi me grupin parlamentar, Berisha e cilësoi votën e emigrantëve si një aset kyç për zgjedhjet e 11 majit, duke kërkuar që të intensifikohen përpjekjet për të angazhuar këtë pjesë të elektoratit. Sipas tij, deri më tani janë zhvilluar disa takime me shqiptarët në Greqi, Itali, Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por Berisha pranoi se këto hapa janë ende të pamjaftueshëm dhe kërkoi që deputetët të organizojnë takime më të shumta me diasporën, duke përdorur burimet e tyre personale për të tejkaluar kufizimet buxhetore të partisë. “Identifikimi i emigrantëve ka nisur dhe janë bërë disa takime të rëndësishme. Por, nëse e shohim nga perspektiva e potencialit të plotë që ka diaspora, këto janë vetëm hapa fillestarë. Duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të mobilizohemi më fuqishëm. Siç është flamuri, njëra kokë në Shqipëri dhe tjetra në emigracion,” tha Berisha. Ai theksoi se çdo deputet duhet të koordinojë me qendrën dhe të organizojë takime me emigrantët në vendet ku ka lidhje personale dhe kontakte. Përdorimi i klubeve, lokaleve dhe ambienteve të përballueshme për takime u sugjerua si një zgjidhje praktike. Në lidhje me procesin legjislativ, Berisha konfirmoi se Partia Demokratike është pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe po negocion me Partinë Socialiste për të lehtësuar votimin nga jashtë. Ai pranoi se mes dy partive janë duke u zhvilluar diskutime për të përshpejtuar dhe thjeshtuar proceset që lidhen me votën e emigrantëve. “Jemi në negociata dhe do të votojmë çdo ndryshim të nevojshëm për të mundësuar votën e diasporës. Ky është një hap i rëndësishëm për të garantuar që emigrantët shqiptarë të kenë mundësinë të kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimet për të ardhmen e Shqipërisë,” u shpreh Berisha. Ndryshimet e propozuara përfshijnë fshirjen e një klauzole në Kodin Zgjedhor që kërkon që kostot e transportit të votës të mbulohen nga vetë zgjedhësi, duke i kaluar këto shpenzime në përgjegjësi të shtetit. Për më tepër, diskutohet përshpejtimi i afateve të regjistrimit të votuesve dhe krijimi i mekanizmave që garanton administrimin e votave nga komisionerët e partive, një kërkesë kjo e bërë nga opozita. Berisha përfundoi duke bërë thirrje që të gjitha strukturat e PD-së të angazhohen maksimalisht, duke siguruar se puna për primaret brenda partisë do të fillojë së shpejti, me qëllimin për të garantuar një rezultat të suksesshëm në zgjedhjet e ardhshme.