Nga Eduard Zaloshnja
Vetëm 11.5% e banorëve të rritur të Shqipërisë kanë prejardhje familjare tradicionale katolike, por ata janë besimtarët më të devotshëm! Kështu rezultoi nga një studim i thellë statistikor që kreva me shkrimtarin/studiuesin e mirënjohur Bashkim Shehu, të mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung
Kështu, plot 73% e të rriturve me prejadhje nga familje tradicionalisht katolike besojnë personalisht në fenë e familjes së tyre. Kjo përqindje është edhe më e lartë (80.3%) në grupmoshën 40-64 vjeç (brezi që u formua kur feja ishte e ndaluar nga regjimi komunist). Mesatarisht, ndër të rriturit nga familje me prejardhje të tjera fetare, vetëm 54.1% besojnë në fenë e familjes së tyre (shihni tabelën më poshtë).
Plot 33.5% e të rriturve me prejadhje nga familje tradicionalisht katolike shkojnë rregullisht në kishë (të paktën një herë në muaj), krahasuar me vetëm 20.3% të të rriturve nga familje me prejardhje të tjera fetare.
Plot 33.4% e të rriturve me prejadhje nga familje tradicionalisht katolike mbajnë kreshmë, krahasuar me vetëm 20.9% të të rriturve nga familje me prejardhje të tjera fetare, që mbajnë kreshmë ose agjërojnë.
E kështu me rradhë, të rriturit me prejadhje nga familje tradicionalisht katolike kanë indikatorë më të lartë besimi fetar se të tjerët, duke përfunduar me treguesin shumë domethënës të lutjeve fshehtazi gjatë regjimit komunist – familjet e tyre luteshin fshehtazi gjatë regjimit komunist edhe përkundër rrezikut të shkuarjes në burg në masën 61.1%, krahasuar me vetëm 36.1% ndër të tjerët.
/ S,M