Moti i keq që ka përfshirë të gjithë vendin ditën që lamë pas ka shkaktuar probleme të shumta.
Reshjet e shiut kanë përfshirë territorin e bashkive Lushnje dhe Divjakë, ku qindra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë.
Eksperti i Bujqësisë, Eduard Sharka, në një intervistë televizive, tha se e shikon këtë përmbytje si pasojë të bllokimit të kanaleve, dhe jo si rezultat të reshjeve të shumta të shiut.
Ai sqaroi se kjo situatë duhet të kuptohet qartë, pasi përmbytjet shpesh ndodhin kur ka reshje të mëdha shiu, por gjithmonë në kushte kur kanalet janë të papastruara dhe jo funksionale.
“Pasi reshjet u ndaluan, ujërat filluan të bien, por ka disa vende ku kanalet janë bllokuar dhe mund të vazhdojnë të shkaktojnë probleme.
Në këto kushte, mund të shkaktohen dëme në tokat bujqësore, sidomos në ato të mbjella. Një tokë që qëndron nën ujë për një periudhë të gjatë do të ketë nevojë për kohë që të rimëkëmbet dhe të jetë e gatshme për kultivim.
Në këtë rast, nuk ka pasur reshje me intensitet të lartë, por reshje normale që duhej të shpërndaheshin nga kanalet ekzistuese, të cilat duhej të ishin të pastrohen.
Kur shikoni në video, përmbytja ka ndodhur vetëm në një anë, aty ku kanali është bllokuar.
Në ¾ e sipërfaqes, nuk ka ujë, sepse kanalet kanë funksionuar. Kjo situatë ka ndodhur vetëm aty ku ka pasur bllokim të kanaleve.”
Sipas Sharkës, kjo është pasojë e mospastrimit të kanaleve, për të cilat, që në fillim, nga bashkia ishin dhënë vetëm propagandë, fondet e të cilës u konsuamuan dhe rezultati i përmbytjeve, u pa vetëm dje.
“E them pa drojë fare sepse për çdo kohë eskavator kanali që ngulej për t’i pastruar, ata të bashkisë i bënin share. Në fakt kjo ishte prova për të parë se si ishte rezultati i pastrimit të këtyre kanaleve.
Dhe na rezultojë kjo dëshmi e qartë që kanalet nuk janë pastruar në tërësinë e tyre, ka patur thjeshtë propagandë, fondet janë konsumuar dhe pasoja është kjo që ndodhi dje.
Reshjet e shiu ishin normale dhe që nuk duhej të kishin shkaktuar përmbytje në fushat e Muzeqes. Problemi ishte mosmirëmbajtja e kanaleve, e cila ka çuar në këtë situatë.”/kb