Kur kanë kaluar 4 ditë nga hapja e portalit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për regjistrimin e emigrantëve për të votuar në 11 maj, Partia Demokratike shprehet e kënaqur me pjesëmarrjen dhe është optimiste për një rotacion politik nga vota e shqiptarëve jashtë vendit.
Koordinatorja e selisë blu për diasporën, Jozefina Topalli, sërish është e mendimit se Partia Socialiste është disa hapa para opozitës sa i përket fushatës jashtë vendit. “Është fakt që PD ka filluar më vonë se PS. Ne kemi qenë parti e arrestuar. Në këto kushte po bëhet maksimumi. Është një garë kundër kohës, pasi pala tjetër ka dy vite që punon”, thotë ajo.
Sipas Topallit një faktor tjetër kundër opozitës është edhe mungesa e financave. “E vetmja gjë që na mundim gjithmonë është paraja dhe luksi, këtu ne nuk i kapim dot. Por ne mund t’i kapim nëpërmjet besimit, pasi vota është çështje besimi dhe unë besoj fort te shqiptarët e diasporës”.
Sa i përket listave për deputetë dhe mundësisë që eksponentë nga diaspora të jenë përfaqësues të Partisë Demokratike, Topalli pohoi se një gjë e tillë duhet të ndodhë. “Nuk mund ta mendoj që të mos ketë përfaqësim nga diaspora, është çështje e proporcionit të votave. Ndoshta është hera e parë dhe nuk do ketë numër të lartë, por në numër simbolik do jetë në listat e PD”, thotë Topalli.
Zyrtarja e Partisë Demokratike pati një thirrje për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit që deri në 4 mars të regjistrohen dhe të mos humbasin të drejtën e votës./e.t