TikTok preferon mbylljen, në vend që t’ua shesë aktivitetin në territorin e Shteteve të Bashkuara, kompanive amerikane. Rrjeti i famshëm social kinez ka nisur përgatitjet për të mbyllur aktivitetin e tij të Dielën, kur në Shtetet e Bashkuara të hyjë në fuqi ligji i dekretuar në Prill të 2024-ës nga administrata Biden.
Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se mes 170 milionë përdoruesve amerikanë ka pakënaqësi të mëdha. Ata po ngrenë zërin për anulimin e vendimit.
E përditshmja “Washington Post” shkruan se nisur nga këto shqetësime, presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk përjashton mundësinë që të pezullojë ndalimin përmes një urdhëri ekzekutiv për një afat 60 deri 90 ditor të këtij vendimi, pas datës 20 kur ai të marrë zyrtarisht mandatin.
Trump ishte i pari që hodhi hapat për mbylljen e TikTokut në mandatin e parë, duke e akuzuar si vegël të qeverisë kineze që spiunon qytetarët amerikanë, por pasi e shfrytëzoi në fushatën për zgjedhjet e 5 Nëntorit, ndryshoi qëndrim duke thënë se platforma mund të qëndrojë duke përmirësuar kushtet e sigurisë.
Në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë që ka pak gjasa të anullojë mbylljen, dhjetëra mijëra përdorues të Tiktokut kanë hapur profile tek një tjetër rrjet social kinez i quajtur Red Note shumë i ngjashëm funksionalisht me TikTokun./e.t