Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se rreth 1.1 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit janë të regjistruar si votues, ndërsa deri tani kanë ardhur mbi 22 mijë kërkesa nga diaspora për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Në një intervistë televizive, Celibashi ka shpjeguar se procesi i regjistrimit për votuesit jashtë Shqipërisë është i thjeshtë dhe i shpejtë. Sipas tij, 53% e atyre që kanë krijuar një llogari në platformën PER, e kanë realizuar regjistrimin në tentativën e parë, një rezultat mbresëlënës.
Ai ka theksuar gjithashtu se emigrantët që nuk kanë një dokument identifikimi shqiptar, siç është ID, nuk mund të regjistrohen për të votuar. Në rastin kur kanë dokumente të huaja, ata duhet të sigurojnë një dokument që lidhet me emrin në gjendjen civile të Shqipërisë për t’u regjistruar si votues.
Celibashi shpjegoi gjithashtu se emigrantët që kanë emra të ndryshëm në dokumentet e huaja, duhet të ngarkojnë një dokument që të vërtetojë lidhjen mes emrit të tyre në Shqipëri dhe atij në shtetin ku jetojnë.
Në lidhje me votimin e emigrantëve me dokumenta të skaduara, Celibashi tha se ata mund të regjistrohen, por duhet të rinovojnë dokumentet brenda 120 ditëve./ S,M