Inteligjenca Artificiale (AI) ka problemet e saj. Këtë e tregon më së fundmi edhe një vendim i Apple. Gjigandi teknologjik vendosi të pezullojë një opsion të ri të Inteligjencës Artificiale që shkaktoi kritika dhe ankesa për shkak të gabimeve të përsëritura me titujt kryesore të lajmeve. Apple ishte duke u përballur me presion në rritje për ta tërhequr këtë shërbim, i cili dërgonte njoftime që duket se vinin nga aplikacione të organizatave mediatike.
“Po punojmë për përmirësimet dhe do t’i bëjmë të mundura me përditësimin e ardhshëm të software”, tha një zëdhënës i Apple.
BBC ishte mes grupeve që u ankua pasi një njoftim i gjeneruar nga AI e Apple gënjeu lexuesit kur tha se Luigi Mangione, personi që akuzohet për vrasjen e CEO-s së UnitedHealthcare, Brian Thompson, vrau veten. Opsioni i AI po ashtu bëri gabime edhe me lajmet e Sky News, New York Times apo Washington post.
Organizatat mediatike dhe shoqatat e shtypit shtynë kompaninë të tërhiqej duke paralajmëruar se opsioni nuk ishte gati dhe se gabimet e gjeneruara nga AI mund të ishin subjekt i keqinformimit duke humbur besimin në këtë mënyrë, në lajme.
Apple u shpreh në reagimin e saj se qëllimi i opsionit ishte që ta bënte jetën e konsumatorëve më eficente. Opsioni bën të mundur mbledhjen dhe rishkrimin e disa njoftimeve në një njoftim të vetëm që shfaqet në ekran.
Ndërkohë vendimi në fjalë vjen pasi kompania përballet me presione për të treguar zhvillimet e saj mbi AI, të cilat investitorët shpresojnë se do të nisin një valë të re kërkese për iPhone-t dhe teknologjitë e tjera. Ndërkohë nga ana tjetër, kompania po vuan pasi aksionet ranë me 4% të enjten pasi po vuajnë me shitjet në Kinë./e.t