Qeveria ka gati një program të ri mbështetje për agroturizmin.
Në podcastin e tij “Flasim”, gjatë bashkëbisedimit me një çift bashkëshortësh nga Tragjasi i Vlorës, kryeministri Edi Rama tha se do të ketë ndihmë financiare, kredi e butë e kombinuar me grant për të gjithë ata të cilët duan të investojnë në këtë sektor.
“Kemi një program të ri që do shpallim së shpejti, që do japim mbështetje financiare për këto aktivitete ju me atë që keni bërë e merrni atë mbështetjen. Është një mbështetje e kombinuar kredi e bute më grand dhe e bëni tamam, tokë keni atje.Ca bën ai atje gjermani, marangoz. E mori profesionin atje le të vijë të punojë këtu. Është bërë e vështirë në gjermani për gjermanët, jo më për ne”, tha Rama.
Edhe një herë tjetër, kreu i qeverisë përsëriti thirrjen për të gjithë emigrantët që të kthehen e të investojnë në atdhe, duke sjellë në vëmendje edhe përfitimet që do të kenë.
“Gjermania është bërë e vështirë për gjermanët, jo më për ne. Atje ka taksa, transporte etj. Ndërkohë po të vijë këtu dhe të zgjeroni atë që kam parë unë, që është një mrekulli, do t’i dalë më mirë atij. I del më mirë llogaria, me laps. Agroturizmi taksa nuk ka, tvsh e kemi bërë 6%. Le që ju nëse jeni nën atë nuk paguani tvsh.”
Zhvillimi i Agroturizmit po vjen gjithnjë e në rritje duke tërhequr vizitorë vendas e të huaj, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e këtij sektori në industrinë e turizmit./ S.M