Rroftë Trump, poshtë Kushner!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Skënder Minxhozi

Kjo është vetëm njëra dilemat e mëdha që turbullojnë këto orë PD e sotme dhe kryetarin e saj. Të tjera dilema, nëse duam të shtyhemi më tej, kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj SPAK (Berisha e quan Skap, Bardhi thotë se ka respekt), apo me futjen ose jo të Metës në listat e sigurta të kandidatëve në zgjedhje. Sa për thirrjet që vijnë për bashkim mes partive opozitare, këtu s’ka dilema: PD është dorëzuar tashmë. Nuk do bashkudhëtarë në kursin humbës që ka vendosur të ndjekë në 11 maj.

Kur kujtuan se hoqën qafe administratën “komuniste” të Joe Biden, në PD ka dalë një tjetër shkëmb i papritur nënujor: projekti enigmatik i ishullit të Sazanit i vajzës dhe dhëndërrit të Donald Trump! Një lloj rreziku nga ata që ngjajnë me një pazar apo shkëmbim influence të minutës së fundit, që nuk i dihen as përmasat e as pasojat. Pikërisht tani kur “demokratët e kuq” u shporrën nga Uashingtoni, del një projekt turistik i çiftit Xhared-Ivanka, nga ata që Edi Rama ka qejf t’i këqyrë nëpër makete e rendera, t’i shesë nëpër rrjete sociale dhe t’i propogandojë nëpër fjalime e statistika turistike, i cili prish të gjitha pritshmëritë.

Sulmi që Berisha i bëri projektit të Xhared Kushner në Sazan, duke thënë se ishte një akt trafikimi influence nga ana e Ramës, tregon pezmin që ka shkaktuar në PD kjo kthesë e mundshme në raportet me administratën e re amerikane. E cila në imagjinatën e demokratëve të Tiranës, duhej të vinte me kamzhik në dorë në derën e Edi Ramës, e jo me makete vilash e hotelesh.

Pas tre ditësh Donald Trump do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Eshtë ngjarja ku Sali Berisha ka depozituar të fundmet shpresa për daljen nga kuadrati i hekurt i statusit non grata, megjithë përfitimet politike e elektorale që ky vendim do të sillte me vete. Projekti i Sazanit, i cili merr prej muajsh konfirmime nga media dhe aktorë seriozë në SHBA dhe Evropë, ka premisat që të krijojë një turbulencë të vogël në planet e kryetarit të opozitës për izolimin amerikan të kryeministrit nga fitimtarët e rinj të zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Nuk ka zot që e gjen sot se çfarë influence mund të ketë një projekt si ky në qëndrimin e Uashingtonit zyrtar ndaj elitës tonë politike, ndaj kryeministrit dhe kreut të opozitës, por s’do të ishte fantashkencë që të parashikohej një rritje e vëmendjes së amerikanëve ndaj Shqipërisë, qoftë edhe prej faktit që ky do të ishte investimi më i rëndësishëm amerikan në vendin tonë (1,4 miliard USD), që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe siç dihet, amerikanët punojnë gjithmonë me qeveritë, jo me opozitat.

Lexo edhe :  Strehim politik tek Berisha

Momentit i inaugurimit të Presidentit Trump po afrohet së bashku me ripërtëritjen e zhurmës rreth projektit të Sazanit, si dhe dhënien ndaj kompanisë ndërtuese të statusit të investitorit strategjik nga qeveria shqiptare. Ky lëmsh rrethanash kontradiktore që po përkojnë në një mënyrë fatale si në një skenar filmi, natyrisht që krijon humore të skajshme në Tiranë, aty ku çdo zhvillim, çdo premisë, çdo firmë apo vulë, shihet si një zgjatim mistik i dorës amerikane, si një shenjë supreme e vullnetit të tyre, si një lëvizje poshtë tavolinës që ngre ose ul karriera politikanësh.

Prej muajsh projekti i Xhared Kushner merr bekime ose mallkime, sipas rastit, nga populli i hareshëm shqiptar i rrjeteve sociale. Një sfidë e vërtetë ka nisur në lidhje me efektin që do të ketë hoteli në ishull i çiftit Trump, për fatet e atyre që na qeverisin në Tiranë. Edhe në këtë pikë jemi ata që kemi qenë: shqiptarë të mirë dhe naivë që më së pari duhet të mendojmë sesa mirë i bën ekonomisë një projekt i tillë, sa turistë do të sjellë, cilat do të ishin përfitimet për të gjithë vendin etjetj.

Egocentrizmi e ka përjetësisht këtu shtëpinë. S’ka forcë në botë që të na bindë se të tjerët nuk janë duke menduar për ne gjatë gjithë kohës, pa na i ndarë sytë. Në një botë të madhe me tetë miliard njerëz brenda ky është një trill që të bën për të qeshur.

Ndaj kur qëllon që të njëjtët persona të thërrasin një herë “Rroftë Trump” e më pas “Poshtë Kushner”, ata që na dëgjojnë s’duhet të na marrin as seriozisht, e as me inat. Kujtojmë thjesht se ata që po shajmë apo lavdërojmë rrinë duke marrë shënim e analizuar çdo marrëzi tonën. Sëmundje e vjetër!/   S.M

Të fundit

Omerta, mit apo realitet?/ A mundet mafia të ekzistojë pa ‘kodin e heshtjes’?

Në ruajtje të anonimatit, Toto, siciliani që shoqëron gazetarin Sokol Balla, në udhëtimin përgjatë Corleones, flet edhe për kodin...

Kush po i mbron kriminelët? Vetting zbulon rolin e kreut të Prokurorisë së Lezhës

EMISIONI VETTING “Mbrojtja” e kriminelëve kundra Policisë së Shtetit Vitet e fundit Lezha ka qenë nën ndikimin e grupeve kriminale, të cilat kanë ndikuar në trajektoren...

Berati qarku pa vrasje në 2024, Proda lë porositë për zgjedhjet e 11 majit

Drejtori i Përgjithshëm i policisë ishte sot në Drejtorinë e policisë së Beratit për analizën vjetore. Kërkon zbardhjen e ngjarjeve të vjetra. Kujdes me...

7 erëzat që luftojnë viruset, infeksionet, stimulojnë sistemin imunitar…

Zbuloni erëzat që luftojnë viruset, infeksionet, stimulojnë sistemin imunitar dhe nxisin mushkëritë e shëndetshme! Nenexhiku Përbërësi kryesor i nenexhikut është mentoli, i cili relakson muskujt...

Vrasja e 38-vjeçarit që dogji Kuranin/ Arrestohen 5 persona

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se vrasja e një aktivisti anti-islamik vetëm disa orë përpara se një vendim gjyqi do të duhej të enjten...

Lajme të tjera

Web TV