Çfarë nënkupton ndalimi i TikTok-ut për konkurrencën SHBA-Kinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, është ndaluar në Shtetet e Bashkuara më 19 janar, duke bërë që miliona përdorues të mos kenë qasje në platformën popullore për video.

Aplikacioni u hoq nga dyqanet e aplikacioneve, përfshirë nga ato që operohen nga Apple dhe Google, ndërkaq në ueb-faqen e TikTok-ut iu tha përdoruesve se më nuk do të kenë qasje në platformë. Ndalesa nisi disa orë para se të hynte në fuqi ligji federal që kërkonte ndalimin e TikTok-ut.

Ajo çfarë do të ndodhë pas ndalimit të TikTok-ut do të ketë pasoja të mëdha për konkurrencën globale në fushën e teknologjisë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe mund të përcaktojë raportet e presidentit në ardhje, Donald Trump, me Pekinin.

Platforma për video është aplikacioni i parë global i Kinës dhe ia ka kaluar me performancë rivalëve, që janë në pronësi të SHBA-së, sikurse Instagram, Facebook apo X.

Çështja e pronësisë kineze ishte ajo që e vendosi TikTok-un në shënjestër të Kongresit amerikan, i cili në prill të vitit 2024 miratoi një ligj lidhur me shqetësimet mbi sigurinë kombëtare, përfshirë përhapjen e dezinformatave dhe spiunazhit. Ligji i kishte kërkuar ByteDance që ta shiste aplikacionin deri më 19 janar apo, në të kundërtën, do të përballej me ndalesë.

Përderisa kritikët e ndalesës thonë se të dhëna të ngjashme dhe shqetësime për privatësinë ekzistojnë edhe për platformat e mediave sociale të SHBA-së, çështja e pronësisë kineze i shton një dimension të ri.

Firmat e sigurisë kibernetike kanë sugjeruar se aplikacioni është i aftë të mbledhë të dhënat e përdoruesve përtej asaj çfarë përmbajtje ata shohin në TikTok, dhe Kina miratoi një ligj më 2017 që detyron shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit të bashkëpunojnë me aparatin e saj të inteligjencës.

Më 2023, një gazetare britanike tha se të dhënat dhe vendndodhja e saj u gjurmuan nga punonjësit e TikTok-ut në Kinë dhe në SHBA. Dokumentet gjyqësore në SHBA të një ish-punonjësi të ByteDance po ashtu përshkruan se si Partia Komuniste e Kinës kishte qasje në të dhënat e kompanisë për të spiunuar protestuesit prodemokracisë në Hong Kong më 2018.

Lexo edhe :  Aktivitetet sizmike boshatisin rrugët e destinacioneve turistike në Greqi

E gjithë kjo po ndodh mes tensioneve të rritura ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit si dhe në mes të shqetësimeve në rritje për spiunazh dhe hakim kinez në SHBA.

Trump ka lënë të kuptohet se është kundër ndalimit, pasi fillimisht e kishte mbështetur një lëvizje të tillë. Ai tha më 17 janar se vendimi i tij për TikTok-un “do të merret në të ardhmen jo shumë të largët”. Ai po ashtu zbuloi se kishte biseduar me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, dhe veç tjerash, kishte diskutuar edhe për TikTok-un.

Mandati paraprak i Trumpit si president, nga viti 2016 deri më 2020, ishte karakterizuar me një qëndrim të ashpër karshi Kinës dhe me shënjestrim të kompanive kineze në Kinë dhe jashtë vendit, duke nisur nga infrastruktura e telekomunikimit 5G e deri te firmat e kamerave mbikëqyrëse. Ky qëndrim i ashpër ishte në kontekstin e thellimit të garës teknologjike mes Pekinit dhe Uashingtonit.

TikTok është versioni ndërkombëtar i Douyin-it të ByteDance, i cili shërben për tregjet në Hong Kong dhe Kinë dhe i përmbahet aparatit të rreptë të censurës të Pekinit. Teksa është një biznes i suksesshëm, popullariteti dhe ndikimi i tij i kanë dhënë një shtysë globale Pekinit. Mosgatishmëria e ByteDance për ndryshimin e pronësisë tregon vlerën që i jep algoritmit që e ka krijuar dhe që TikTok-u të vazhdojë të jetë kompani kineze.

Se si do ta trajtojë Trumpi këtë ndalesë mund të jetë një sinjal i hershëm se si ai do t’i qaset raporteve me Kinën dhe për llojin e dinamikës që ai do të ketë me Xi-në./REL/kb

Të fundit

Donnarumma i jashtëzakonshëm, PSG eliminon Liverpoolin nga Champions League

PSG ka shkaktuar një surprizë që pakkush e mendonte të mundur, teksa ka eliminuar Liverpoolin në Ligën e Kampioneve....

Inter kalon pa probleme Feyenoordin dhe “peshkon” Bayernin në raundin e 1/8-ave

Interi ka bërë detyrën në shtëpi duke mposhtur Feyenoordin me rezultatin 2 me 1 në duelin e kthimit të Champions-it duke u kualifikuar për...

Leksion edhe në “Bay Arena”, Bayern Munich vulos kualifikimin ndaj Leverkusenit

Bayern Munich ka vulosur një kualifikim të pastër në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pasi ka mundur në të dy ndeshjet “makthin” e sezonit...

Ç’mund të ndodhë me trupin e njeriut nëse qëndron në hapësirë ​​për disa muaj

Koha e zgjatur në hapësirë ​​është e dëmshme për shëndetin, që do të thotë se astronautët që kthehen zakonisht kanë një sërë sfidash unike për të...

Pesë kurat më të mira për ngërçet në këmbë

Nëse do t’iu duhej të përmblidhnit përvojën e një ngërçi në këmbë me një fjalë të vetme, fjala “torturë” mund të jetë më e...

Lajme të tjera

Web TV