Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, vazhdoi turneun e tij mes shqiptarëve në Itali duke u ndalur në Ferrara. Emigrantëve atje u kërkoi të regjistrohen, duke u shpjeguar detaje nga procesi, por edhe dhe votën për Partinë Socialiste, në mënyrë që përparimet e Shqipërisë të mos pësojnë regres.
“Kam qenë edhe herë tjetër në Ferrara sepse jetojnë shumë vëllezër e motra të fshatit nga unë vij, nga Luniku i Librazhdit, dhe një pjesë janë sot këtu me prindër, me fëmijë, edhe brezi i tretë që po rritet. Nuk mund ta lija pa ardhur.
Por natyrshëm edhe për t’ju kërkuar që të regjistroheni në zgjedhjet e 11 majit,” u tha Balla emigrantëve që e pritën.
Balla sqaroi se gjatë regjistrimit duhet vendosur kodi i kartës së identitetit shqiptare, pasi në këto zgjedhje marrin pjesë shtetasit e Republikës së Shqipërisë me një dokument identifikimi të vlefshëm shqiptar. “Edhe nëse nuk e ke të vlefshëm mund të regjistrohesh, por duhet rinovuar për të votuar më pas,” sqaroi Balla.
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën vuri theksin te fakti se secili duhet të regjistrohet më vete, qoftë dhe brenda së njëjtës familje, por askush nuk duhet të mbetet pa regjistruar.
“Gjithashtu jam sot këtu për të kërkuar mbështetje për ne, për Partinë Socialiste, për mua, për Edi Ramën, për kolegët e mi, për ekipin tonë të Partisë Socialiste. Shqipëria sot është në një moment historik, po arrijmë në metrat e fundit të rrugës sonë të anëtarësimit në BE. Synimi ynë është që brenda këtij mandati të ri ne të mbyllim marrëveshjen për anëtarësimin në BE brenda Krishtlindjes së vitit 2027.”
Balla tha se emigrantët i dinë më mirë se cilat janë përfitimet, por për ne shqiptarët nuk ka një plan B, që gjithçka që kemi arritur të mos kthehet mbrapsht. Sepse kemi parë gjatë historisë sonë që kur pushtetin e kanë marrë ata që s’duhet, gjithçka që është bërë mirë ndër vite është asgjësuar ose është dëmtuar.
Balla informoi emigrantët se qeveria ka menduar që për zonat tona malore të krijojë Paketën e Maleve, një mbështetje direkt nga shteti, ndërsa kryeministri këtë mëngjes ka thënë se është duke bërë gati dhe një Paketë Financiare për ata djem e vajza, burra e gra që jetojnë në emigracion dhe që duan që shtëpinë e tyre ta kthejnë në agro-turizëm, siç ndodh dhe në Itali ku një pjesë të investimit ta mbulon edhe shteti.
“Ndoshta ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Se ata të tjerët, një palë, ata që i kemi pasur gjithmonë janë pa kokë, sepse kokën e tyre e kanë shpallur të skaduar, non grata i thonë me fjalë të reja, nuk bën. Këto të tjerët po të heqin mallin e Sudes apo të Rrapush Xhaferrit. Pra Shqipëria po ecën mirë. Nuk duhet t’ia presim hovin. Nuk bëhet fjalë vetëm për fitoren në këto zgjedhje, por për një pjesëmarrje sa më të madhe të diasporës. Ne e mbajtëm fjalën, tani e keni ju në dorë,” ishte mesazhi përmbyllës i fjalës së Ballës me bashkatdhetarët në Ferrara, të cilëve u tha të regjistroheshin menjëherë pasi 50 ditë kalojnë shpejt./kb