Presidentja e Meksikës, Claudia Scheinbaum, ka deklaruar se populli meksikan duhet të jetë i sigurt se qeveria e tyre do të mbrojë gjithmonë sovranitetin dhe pavarësinë e vendit.
Ajo e bëri këtë deklaratë në përgjigje të urdhrave ekzekutivë të presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar mbështetjen e plotë për shtetasit meksikanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Scheinbaum vuri në dukje se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin jugor të SHBA-së është praktikisht një përsëritje e një urdhri të ngjashëm nga viti 2019 gjatë mandatit të parë të Trump, duke theksuar se “nuk është diçka e re.” Ajo shtoi se edhe politika “Qëndro në Meksikë,” e prezantuar fillimisht në dhjetor 2018, është një masë e rikthyer nga administrata Trump.
Lidhur me spekulimet për një riemërtim të Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës,” presidentja u shpreh se një urdhër që lejon SHBA-në të përdorë këtë emërtim nuk do të ndikojë në mënyrën si Meksika dhe pjesa tjetër e botës e quajnë atë. Scheinbaum siguroi se sovraniteti kulturor dhe identiteti i vendit mbeten të pacenueshëm./kb