Numri i të rinjve të cilët po shfaqin probleme me zemrën po rritet në qarkun e Elbasanit, ku specialistët e shëndetësisë thonë se tashmë grupmosha nga 20 deri në 40 vjeç po bëhen pacientë kronik.
Sipas kardiologëve të spitalit të Elbasanit renditën tre faktorë kryesor që po dëmtojnë jo vetëm zemrën por edhe shëndetin në përgjithësi.
“Mungesa e aktivitetit fizik, konsumimi i pijeve alkoolike dhe energjike si dhe përdorimi i lendeve narkotike pa kriter si dhe obeziteti po përkeqësojnë shëndetin e zemrës tek të rinjtë”, tha kardiologu Saimir Shehu.
Mjeku thotë se në shumë raste në urgjencën e kardiologjisë janë paraqitur edhe të rinj të moshës 20 vjeç me takikardi si pasojë e abuzimit kryesisht me pijet energjike.
Nga ana tjetër bota po përballet me një sëmundje që kërcënon miliona jetë në të gjithë globin, obeziteti.
“Konsumimi i ushqimeve të shpejta dhe të skuqura për një kohë të gjatë çon në probleme me kolesterolin e si rrjedhojë në shfaqen e problemeve me aparatin kardiak”, tha mjeku Shehu.
Të rinjtë që gëzojnë një zemër të shëndetshme këshillohet aktiviteti fizik ose sportiv, ndërsa për të moshuarit mjekët përsërisin thirrjen për ecje në natyrë./ S,M