Ish-banorja e Big Brother VIP 3, Ledjona Xheladinaj, ka ndarë një histori traumatike në programin ‘Live From Tirana’. Ajo ka folur për aksidentin që i ndodhi pak kohë më parë, duke rrëfyer momentet e frikshme të një ngjarje që mund të kishte pasur pasoja shumë të rënda.
Ledjona ka treguar se gjatë një udhëtimi me motor nëpër dëborë në Dibër, ajo ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar. Dëmtimet që ka pësuar në shtyllën kurrizore e bënë të mendonte se mund të paralizohej.
Për fat, ajo e ka kaluar këtë moment të vështirë, por ka theksuar se kjo përvojë ka qenë një ndodhi që e ka lënë të tronditur dhe që i ka kujtuar rrezikun që mund të sjellë një aksident i tillë.
“Kam qenë në Dibër për të xhiruar emisionin tim. Unë e kam qejf terrenin e vështirë dhe doja të shkoja në Bjeshkë, me atë borën që kishte rënë. E mora motorin e borës vetë dhe kjo bëri që të rrëzohesha dhe të dëmtoja shtyllën kurrizore. Isha në panik se mendova se u paralizova se nuk po ndieja këmbët.
Ka qenë kohë e keqe, binte borë, shi. U deshën 30 minuta që të shkoja në spital në Peshkopi, për shkak të kohës së keqe. Kjo e vështirësoi më shumë gjendjen time. Më është dashur 6 javë regjim i detyruar shtrati për t’u rimëkëmbur. Duhet të jemi pak të kujdesshëm, këtë duhet t’ua them të gjithëve”.
Ledjona, ka folur edhe për lidhjen e saj, ndonëse pa dhënë shumë detaje.
“Nuk kam asnjë ndrojtje që ta them. Jam e lumtur. Personi që më ka qëndruar më shumë afër gjatë kësaj periudhe ka qenë personi i zemrës. I jam mirënjohëse. Është e vështirë të gjesh njerëz të tillë sot.”/ S,M