Në episodin e radhës të ‘Sy më sy’, kryeministri Rama vijoi me përgjigjet ndaj komentuesve në rrjetet sociale. Dikush i shkruante për çmimin e energjisë, duke i thënë se po tallen me njerëzit.
‘Mooos se ulet shumë korrentin, ç’bën kështu? Talleni me njerëzit. E hanë sapunin për djathë’, shkruan komentuesi.
Rama thotë ulja që kreu qeveria shqiptare dhe që hyn në fuqi nga 1 shkurti është si askush tjetër në në vendet fqinje.
‘Krenari shkruan nga Greqia dhe qan hallin e njerëzve që po i tallim. Po i tallim se po ulim çmimin e energjisë, e në fakt jo pak por 10.5% për kilovat. Ulet çmimi i energjisë si askush tjetër rrotull nesh, falë investimeve të bëra masivisht këto vite. Rezultate të arritura në transformimin rrënjësor të sistemit, që e mbani mend se çfarë myzybeti ishte. Por natyrisht edhe falë qasjes përmes zotimit për t’i bërë njerëzit pjesë të suksesit të reformave.’
Më tej, Rama renditi se sa shtrenjtë është çmimi i energjisë në Greqi ku jeton dhe komentuesi apo në vende të tjera të Europës, kjo pasi Shqipëria akuzohet si vendi me çmimet më të shtrenjta.
‘Prapëseprapë fjala e keqe fluturon deri dhe në përqeshjen e popullit që e haka sapunin për djathë se të qeverisë hajde punë e madhe përqeshja. Jam i bindur se Krenari nuk e di se sa më shtrenjtë është energjia elektrike atje ku jeton ai në Greqi, por nga mënyra si flet duke se bën pjesë tek ata që thonë Shqipëria është vendi më i shtrenjtë i Europës. Atëherë Krenar, shikoji çmimet për kilovat orë në Greqi dhe Europë për konsumatorët familjarë. Shqipëria bie në 8.5 lek, Greqia trefish, 22 për kilovat, Italia 33, Gjermani 4. Më e ulëta është Hungaria që është rreth 20% pak më lart se ne.’
Një komentues tjetër, më pas thotë se fasha 700 kilovat është pak dhe ulja duhet bërë për një fashë më të madhe. Rama thotë se kjo kategori e 700 kilovatëve përfshin 1 milion konsumatorë familjarë.
‘Ndërsa Gëzimi që thotë ‘700 kilovat janë pak’ dhe ai i qan hallin popullit shqiptar se po e tallim ne, i them se në kategorinë deri 700 kilovat hyjnë deri në 1 mln konsumatorë familjarë. Ndërsa me këtë kufij janë më pak se 100 mijë konsumatorë me shtëpi më të mëdha, të ardhura më të mëdha, shpenzime më të mëdha dhe do paguajnë më shumë se të tjerët. Deviza jonë nuk lëviz, kush fiton më pak do paguajë më pak, kush fiton më shumë patjetër që do paguajë më shumë. Thjesht!’, përfundoi Rama./e.t