Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar një investim të sektorit privat për të financuar infrastrukturën për Inteligjencën Artificiale, me qëllim që të tejkalojë vendet rivale në teknologji.
Duke e quajtur atë projektin më të madh të infrastrukturës së AI në histori “deri tani”, Trump tha se sipërmarrja e përbashkët e quajtur Stargate do të ndërtojë qendra të dhënash dhe do të krijojë më shumë se 100,000 vende pune në Shtetet e Bashkuara, shkruajnë mediat e huaja.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, është një sipërmarrje e përbashkët midis OpenAI, Oracle, SoftBank dhe MGX që planifikon të investojë deri në 500 miliardë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme për të ndërtuar qendra të reja të dhënash të nevojshme për zhvillimin e projekteve të AI në SHBA.
Arm, NVIDIA dhe Microsoft do të ofrojnë teknologjinë.
Cilët janë lojtarët kryesorë në financim?
OpenAI është një organizatë kërkimore e Inteligjencës Artificiale amerikane. Është zhvilluesi i ChatGPT.
Oracle është një nga operatorët më të mëdhenj të qendrave të të dhënave në SHBA.
SoftBank është një kompani investuese japoneze shumëkombëshe që njihet më së shumti për investimet në kompani dhe startupe të fokusuara në teknologji.
Ku po shkojnë paratë?
Infrastruktura e AI kërkon një sasi të konsiderueshme të infrastrukturës dhe rrymës.
Për të trajnuar, për të zgjidhur shumë probleme në të njëjtën kohë dhe për të ruajtur dhe përpunuar grupe të dhënash të mëdha, sistemet e AI kanë nevojë për kompjuterë të fuqishëm dhe pajisje me energji intensive.
Për këtë, ka nevojë për objekte me mijëra çipa kompjuterikë, harduer dhe softuer.
“Ndërtimi është aktualisht duke u zhvilluar” pasi kampuset po vlerësohen në të gjithë SHBA, duke filluar nga Teksasi.
A janë ndryshuar kufizimet e mëparshme në zhvillimin e AI?
Në tetor të vitit 2023, presidenti i atëhershëm Joe Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv gjithëpërfshirës për të rregulluar zhvillimin e AI mes shqetësimeve në rritje për efektet e tij të mundshme në gjithçka, nga siguria kombëtare te shëndeti publik.
Në ditën e tij të parë të plotë në detyrë, Trump i anuloi ato urdhra dhe Stargate dhe projektet e tjera të AI me bazë në SHBA nuk do t’i nënshtrohen më udhëzimeve kombëtare të zhvillimit, megjithëse shtetet mund të vendosin ende kufizime.
Vendimi i Trump u mirëprit nga shumë në komunitetin e AI.
“Duke shfuqizuar rregullat kufizuese të Biden për prodhimin e energjisë dhe zhvillimin e AI, presidenti po e drejton Amerikën që të mbetet dominuese në krijimin e teknologjisë më të mirë në botë”, tha Steve DelBlanco, CEO i NetChoice, një grup lobimi që mbron sipërmarrjen e lirë në internet.
Mbrojtësit e rregulloreve thanë se më pak kufizime në teknologjinë e AI mund të lehtësojnë gjithashtu zhvillimin e aplikacioneve të përdorura për qëllime mbikqyrjeje, vlerësimesh sociale dhe ushtarake.
Ata thonë gjithashtu se mbikëqyrja është e nevojshme për të reduktuar rreziqet e mundshme që lidhen me teknologjinë, si dhe për të ngjallur besimin e publikut në sigurinë e saj.
“A ishte e tepërt të kërkosh transparencë nga zhvilluesit e AI në lidhje me testimin e sigurisë së produkteve të tyre?”, tha në një deklaratë Alondra Nelson, një anëtare e shquar në Qendrën për Progresin Amerikan.
“Një shfuqizim i motivuar politikisht pa zëvendësim të menduar është vetëshkatërrues për vendin tonë dhe i rrezikshëm për popullin tonë dhe botën”, vlerëson Nelson.
“Rreziku është kur teknologjia e fundit e AI kontrollohet nga pak kompani me seli qendrore në SHBA”, mendon Holger Hoos, profesor i inteligjencës artificiale në Universitetin RWTH Aachen.
Produktet e bazuara në vlerë si ChatGTP do të pasqyronin në mënyrë të pashmangshme vlerat dominante politike, sociale dhe kulturore të SHBA-së në përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të përdoruesve, si shembull, shtoi Hoos.
Cila është gjeopolitika pas Stargate?
Një monopol i tillë do t’i bënte gjithashtu ekonomitë e vendeve të tjera më të varura nga teknologjia amerikane, duke i dhënë Uashingtonit një “levë të madhe politike” përmes kontrolleve dhe sanksioneve të eksportit.
“Ata [vendet e tjera përveç SHBA-së] do të humbnin sovranitetin e teknologjisë dhe sektorë të tjerë të varur nga AI do të vuanin gjithashtu në konkurrencë”, paralajmëron Hoss, i cili është gjithashtu kryetar i Bordit të Konfederatës së Laboratorëve për Kërkimin e Inteligjencës Artificiale në Evropë, CAIRNE.
“Kushdo që bëhet lider i kësaj sfere do të bëhet sundimtari i botës”, theksoi presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2017.
Në të njëjtin vit, Kina përshkroi planet për të dominuar biznesin e AI deri në vitin 2025, duke sfiduar dominimin e SHBA-së në këtë sektor.
“Kushdo që udhëheq [në konkurrencën e teknologjisë], do të ketë avantazhe masive ekonomike dhe kjo është ajo që SHBA dëshiron të mbrojë dhe të shtyjë më tej”, tha Hoos./K.K