Shqipëria ka tokat më ideale për të kultivuar kanabisin. Rreth 40% e fondit bujqësor të tokave në vend mund të shërbejnë për zhvillimin e kësaj kulture e cila do të përdoret për qëllime mjekësore. Ekspert të bujqësisë tregojnë edhe zonat më të përshtatshme që do të përdoren për këtë qëllim.
“Deri në 600 metra mbi nivelin e detit kultivohet kanabisi. Brenda kësaj lartësie zgjedhim toka pafund. Duhet të shmangim tokat argjinore nëse është e mundur. Zgjedhjet është mirë t’i bëjmë në toka të ekuilibruara të mesme dhe më pak në tokat ranore e argjinore. Nga klasifikimi i tokave gati 40% e fondit bujqësor janë toka të kësaj kategorie që mund të shërbejnë”, u shpreh eksperti Ilir Kristo.
Së fundmi në rregulloren e ligjit janë përcaktuar edhe zonat në të cilat nuk do të ndërmerret një aktivitet i tillë. Të tilla si parcelat jo brenda zonave të mbrojtura, kullotave livadheve, ushtarake, larg parqeve të bletëve dhe jo në toka me përqendrim të lartë të metaleve.
“Kanabisi i bën dëm kolonive të bletëve. Humbin orientimi dhe shkatërrohen dhjetëra koshere. Është vënë një kusht i tillë në ligj ku zonat minimalisht 3 km larg parqeve të kanabisit.”
Një laborator shkencor pritet të ngrihet pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës për cilësinë e kanabisit në vend.
“Kemi bërë një projekt me pajisjet shkencore për ta mbuluar këtë fushë. Do mbulojmë të gjithë kërkesat për të vlerësuar kanabisin cilësor që kultivohet në Shqipëri. Nëpërmjet laboratorit suportojmë kërkimin shkencor për këtë sektor.”
Tokat me kanabis më pas do të rrethohen me mure me trashësi 25 cm dhe lartësi 4 metra. Të cilat do të ruhen 24 orë nga policia./e.t