Kreu i PD-së Sali Berisha ka reaguar për ndarjen nga jeta të kryepiskopit Anastas Janullatos.
Berisha ka shprehur vlerësimin më të madh për kontributin e pavdekshëm të Fortlumturisë së tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
Ish-kryeministri i ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe mbarë ortodoksëve të Shqipërisë.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasios Janullatos.
Sot, me nderim dhe respekt të veçantë, shpreh vlerësimin tim më të madh për kontributin e pavdekshëm të Fortlumturisë së tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
Unë gjithashtu shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe mbarë ortodoksëve të Shqipërisë dhe i lutem Zotit, së bashku me ta, që shpirti i ndritur i këtij shërbëtori të pakursyer të Kishës dhe Zotit të gjejë paqen e amshuar”, shkruan Berisha./ S,M