Kryepeshkopin që (s)e deshëm, por na deshi!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mero Baze

Pas vitit të parë të pushtetit, kur Berisha filloi të kishte probleme me Greqinë në jug të vendit dhe sidomos me thirrjet për autonomi të Vorio Epirit në Dropull nga individë të margjinalizuar, prozhektorët e tij u kthyen mbi Kishën Ortodokse…

Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas, nuk do të jetë më mes nesh. Për të shpjeguar çfarë ka qenë ai për Kishën Ortodokse në Shqipëri dhe për pjesën tjetër, shumica ateiste e shoqërisë sonë, vlen të sjell disa prej kujtimeve të mia me të.

Pranimi i tij në krye të Kishës Ortodokse në Shqipëri në vitin 1991, kur president ishte Ramiz Alia, dhe më pas kurorëzimi i tij si kryepeshkop i Shqipërisë në 1992, kur president ishte Sali Berisha, u shoqërua me një sherretë të gjatë. Edhe pse formalizmi i konfliktit mbaroi me fillimin e punës së tij, tensionet nuk u shuan kurrë sa herë që ishte e nevojshme të nxiteshin.

Megjithatë, as Ramiz Alia dhe as Sali Berisha nuk u investuan plotësisht kundër tij. Arsyeja ishte se diplomacia ndërkombëtare ishte e kënaqur dhe e sigurt me të dhe ua përcolli të dy presidentëve këtë mesazh.

Pas vitit të parë të pushtetit, kur Berisha filloi të kishte probleme me Greqinë në jug të vendit dhe sidomos me thirrjet për autonomi të Vorio Epirit në Dropull nga individë të margjinalizuar, prozhektorët e tij u kthyen mbi Kishën Ortodokse dhe Kryepeshkopin Anastas. Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK) u kthye në një repart taleban në ndjekje të priftërinjve në jug të Shqipërisë dhe çdo lidhjeje të tyre me kryepeshkopin Anastas dhe Greqinë.

Kulmi i këtyre tensioneve ishte dëbimi në verën e vitit 1993 i një prifti grek nga Dropulli, që i çoi tensionet në kulm. Ishte kjo dhe një nga arsyet që në projektin e ri të Kushtetutës së vitit 1994, Sali Berisha vendosi të përfshijë një nen që ndalonte institucionet fetare në Shqipëri të kishin në krye të tyre hierarkë që nuk ishin gjak dhe origjinë shqiptare. Ky ishte një nocion gati racist, me prapavijë të qartë politike kundër Kryepeshkopit Anastas.

Kjo ishte dhe beteja e parë dhe e fundit politike e Shqipërisë me Kryepeshkopin Anastas. E pyeta në atë kohë kryeministrin Aleksandër Meksi në zyrën e tij, gjatë një interviste për referendumin, se sa e mundur ishte heqja e Kryepeshkopit.

Pa një herë nga tavani, për të treguar se zyra e tij përgjohesh, dhe duke ulur zërin më tha:

– Theofan Popa më ka thënë: Kryepeshkopin e merr vetëm Zoti.

-Domethënë kur të vdesë? – i thashë unë me brutalen e të riut pa ndonjë ndjesi fetare.

Tundi kokën. Por e pashë që ishte qartazi në anën e Kryepeshkopit.

Referendumi i vitit 1994, që i ngjante një turme të çoroditur që shkonte pas Sali Berishës, humbi. Socialistët nuk lëviznin nga shtëpia për asnjë miting; vetëm u thoshin të gjithëve se “Sali Berisha do të bëhet mbret.”

Por atëherë për herë të parë pashë që ortodoksët shqiptarë u bënë bashkë në heshtje, pa nxjerrë asnjë fjalë kundër linçimit publik të Kryepeshkopit të tyre dhe i qëndruan në krah.

Ky ishte momenti kur fillova të reflektoj për personalitetin e tij dhe peshën e tij në jetën e vendit tim.

Konflikti im si gazetar me Kryepeshkopin

Në vitin 1995, kur Kisha Ortodokse shpalli shenjt të saj Shën Kozmain, pati reagime në publik. Një pjesë e studiuesve myslimanë ose antigrekë e shpjegonin biografinë e Shën Kozmait si të një greku antishqiptar, ndërsa Kisha e mbështeste si një shenjtor të saj që kishte përhapur ortodoksinë në bashkësitë shqiptare.

Unë, duke qenë gazetar i Zërit të Amerikës, përgatita një raport për këto përplasje, duke përfshirë një zëdhënës të Ministrisë së Kulturës që nuk merrte anë, por kuptohej që do të ishte më i lumtur që Shën Kozmai të mos ishte shenjtor i Kishës.

Reagimi i Kishës ishte joproporcional. Ata kishin dërguar letër deri në Uashington për këtë çështje, por mua nuk ma thanë kurrë.

Disa muaj më vonë, gjatë një darke te shtëpia e shefes së USAID-it në Tiranë, ish-nëndrejtori i Zërit të Amerikës më dha një mesazh miqësor:

-Mos u merr me Kishën Ortodokse, sepse këto gjëra keqkuptohen.

Kolegu im tjetër nga Zëri i Amerikës në Uashington, i cili ishte gjithashtu në atë darkë dhe dukej se e dinte ankesën, shtoi menjëherë:

-Hiç mos u merr me ta. Kushdo në SHBA që të dëgjon, nuk e vë në dyshim atë që bën një kryepeshkop.

Për pak sekonda u rrethova nga disa miq të mi në darkë, që po më thoshin të njëjtën gjë:

-Je në rregull, mos shkruaj më për të.

Në atë moment, humori im i zi shpërtheu dhe thashë:

-Po kur të vdes, nuk duhet ta bëj lajm?

Ra një heshtje e sikletshme, të cilën e prishi sërish kolegu im:

– Bëje pushim atë ditë.

E kuptova se ftesa për darkë në shtëpinë e DeeDee Blane kishte pasur qëllim të më përcillte këtë mesazh në mënyrë miqësore. Dhe kështu vendosa të mos merrem më me Kishën.

Por nami i keq nuk më la rehat.

Ndërkohë, një prift në Elbasan, At Nikoll Marku, kishte vendosur të drejtonte një kishë në Kalanë e qytetit, të pavarur nga Kryepeshkopi Anastas. BBC në gjuhën shqipe përgatiti një raport të hollësishëm mbi këtë ngjarje.

Të nesërmen, Biberaj më pyeti në telefon:

-A ke qenë në Elbasan te kisha e Nikoll Markut?

–  A kemi pasur ne ndonjë raport për atë ngjarje?

-Jo, – thashë. – Unë nuk shkruaj për Kishën më, kam dhënë fjalën.

Ai bëri një “hëm” dhe shfryu, por nuk tha gjë tjetër.

Më pas mësova se Thomai, zëdhënësi i Kishës, ishte ankuar sërish në Uashington për raportin e BBC-së, sikur e kisha bërë unë për Zërin e Amerikës.

Raportet e Kishës me gazetarët kritikë ishin një problem më vete dhe shpesh i hapnin Kishës më shumë punë sesa e ndihmonin. Por ajo gënjeshtër, për fat, më shpëtoi përfundimisht nga sherret me Kishën, pasi tani ata kishin gënjyer.

Kryepeshkopi Anastas krijoi Kishen e re Ortodokse të Shqipërisë

Gjithsesi, nuk m’u nda ndjesia e keqe që krijohej nga ideja se isha perceptuar si një kritik i Kishës Ortodokse. Nuk isha i tillë, por në Shqipëri kjo u kthye në një sport popullor.

Të gjithë intelektualët me origjinë myslimane dhe formim ateist ishin armiq të çmendur të Kishës, dhe unë duke qenë se përmbushja disa nga kushtet formalisht isha futur në atë listë. Në parim, kjo kategori merrej 24 orë me Kryepeshkopin Anastas.

Nga ana tjetër, shumë intelektualë ortodoksë merreshin 24 orë me Kryetarin e Komunitetit Mysliman ose me xhamitë arabe në Shqipëri. Ata, në mënyrë të ngjashme, dëshironin të reformonin kundërshtarët.

Kjo modë e shëmtuar e angazhimit politik për të vënë nën kontroll komunitetet fetare është i vetmi strumbullar politik i përçarjes fetare në Shqipëri.

Ajo që dukej qartazi ishte se Kryepeshkopi Anastas gëzonte jo vetëm mbështetjen reale të ortodoksëve në Shqipëri, por ishte edhe personaliteti më i rëndësishëm i botës ortodokse në rajon. Falë tij, miliona euro u grumbulluan si donacione për Kishën Ortodokse, dhe shumica e kishave të shkatërruara u rindërtuan. Ai hapi seminaret e tij në Shqipëri dhe përgatiti gjenerata të reja shërbyesish fetarë, që sot janë familja më e shëndoshë fetare në Shqipëri, me disiplinë dhe angazhim shpirtëror real.

Askush si feja ortodokse në Shqipëri nuk ka mundur të përgatisë kaq shumë njerëz për të shërbyer në institucionet e saj fetare me forcat e veta. Hoxhallarët tanë i shkollojnë në vende të botës arabe me një kulturë myslimane radikale, ndërsa priftërinjtë katolikë normalisht i shkollon Vatikani. Vetëm Kisha Ortodokse ka prodhuar brenda Shqipërisë hierarkinë e saj bazike dhe tani ka një Sinod të plotësuar me personalitete fetare, shumica shqiptarë.

Një takim personal me Kryepeshkopin

Në pranverën e vitit 2018, më ndodhi që të takoja Kryepeshkopin Anastas për një çështje personale. Kisha një problem me kishën e Shënmërisë në fshatin tim. Duke qenë se kisha nisur të jetoja me hallet e fshatit, vendosa të rindërtoja kishën e Shënmërisë, e cila ishte shembur në vitin 1967 pas letrës famëkeqe të Enver Hoxhës drejtuar gjimnazistëve të Durrësit.

Lexo edhe :  Dallgë apo cunami? Misteri që përditë do të zbulojmë me Presidentin Trump

Në fakt, nuk kisha asnjë lek, por premtimet e miqve të mi, të cilët e mbajtën të gjithë fjalën, duke marrë përsipër çdo zë të punimeve, e bënë rindërtimin të mundur.

Akoma më e bukur ishte historia e kambanës së zhdukur më 1967. Aliosha, një bashkëfshatar i imi që jeton në Tepelenë, shumë i lidhur me fshatin, mori përsipër të gjente një kambanë dhe madje u ofrua ta blinte me lekët e veta. Pas disa ditësh, më mori në telefon dhe më tha se dikush kishte dorëzuar kambanën e Kishës së Peshtanit në Kishën e Tepelenës. Nuk donte të identifikohej.

Shkova i gëzuar në kishë për ta parë. Ishte kambana e Kishës së Shën Thanasit, e njohur në fshat si “Kisha e Madhe”. Kishte ende mbishkrimin: “Kambana e Kishës së fshatit Peshtan.”

Djali që e kishte dorëzuar, më treguan, kishte pasur babain ndër ata vullnetarë të rinisë së vitit 1967, të cilët kishin ardhur në fshat për të prishur kishën. Babai i tij e kishte hedhur kambanën në disa ferra pranë kishës për ta fshehur.

Pastaj, natën, ishte kthyer me një shok dhe, pjesë-pjesë, e kishin transportuar kambanën deri në Tepelenë. Çdo natë çonin nga një copë rrugë derisa e kishin fshehur në fshatin e tij. Aty kambana ishte ruajtur deri më 1990, në një bodrum.

Kur po binte komunizmi dhe ai vetë ishte në fund të jetës, babai kishte lënë amanet djemve të tij ta çonin kambanën në Peshtan, sepse ajo i përkiste atyre dhe sepse, sipas tij, ajo i kishte mbrojtur nga fatkeqësitë.

Madje, dorëzuesi i kambanës shtoi me krenari një fakt tjetër: kambana ishte aq e rëndësishme për familjen e tij, saqë ai vetë kishte arritur të bëhej ushtar në Gardën e Republikës.

Prifti i fshatit, At Romanoi, një nga njerëzit më të këndshëm që mund të takosh, më solli në shtëpi Imzot Johanin, Mitropolitin e Korçës. I tregova që doja të rindërtoja kishën, dhe ai më inkurajoi:

-Për çdo gjë, fol me At Romanoin, – më tha.

Duke menduar se ishte një punë e thjeshtë, vendosa të nis punimet gjatë Pashkëve të atij viti. Por, At Romanoi më shpjegoi se duheshin ndjekur disa procedura: bekimi i rrënojave ku do të ngrihej kisha dhe një leje nga Mitropolia e Gjirokastrës. Problemet filluan kur shkova te një zyrtar i mitropolisë, i cili filloi të më thoshte se duhej të dorëzoja paratë te Mitropolia dhe ata do të vendosnin se çfarë të bënin me to.

E kuptoja që po hasja në një “JO” të madhe. Për të mos u nxehur, vendosa të bie shkurt dhe kërkova një takim me Kryepeshkopin Anastas.

Përgjigjja erdhi brenda disa orësh. Të nesërmen në mëngjes shkova në zyrën e tij në Katedralen e Tiranës. At Romanoi më shoqëroi dhe ndërmjetësoi takimin. Si dhuratë i çova fotografinë e një pllake nga kisha e Shën Kollit në Peshtan, ku shkruhej:

“Kisha është ndërtuar më 1112. Është ndërtuar rishtas më 1861.”

Kryepeshkopi më priti te dera dhe më përqafoi:

– Zoti të ndriçoi rrugën që të solli këtu, – më tha.

Pasi bëmë pak humor për të kaluarën, kaluam te halli im me kishën e Shënmërisë. I tregova se do ta ndërtoja kishën me donacione nga miqtë e mi dhe se secili prej tyre do të merrte përsipër një zë të veçantë të punimeve. Gjithashtu i shpjegova se pengesat burokratike të njerëzve të tij në Gjirokastër më kishin bërë nervoz.

– Qetësohu, – më tha. – Kur ke dikë përballë që do të të shqetësojë, ktheje kokën mënjanë dhe mos e shiko. Shiko synimin tënd. Nëse do të merresh me çdo gjë që të del përballë, helm do të presësh.

Ai i dha bekimin At Romanoit dhe më këshilloi që të shkoja në një takim me Mitropolitin Dhimitër në Tepelenë për të marrë një miratim formal.

– Tani mos më fol më për këtë punë, – më tha me buzëqeshje. – Je ortodoks.

– E kam emrin Mero, – i thashë.

– Ndoshta nuk e di, por emri “Mero” është emri i Ditës së Shënmërisë për burrat. Ti nuk ke nevojë të ndërrosh emër. Plus, kemi edhe një shenjtor Omeros. Nuk na shpëton dot, – më tha duke qeshur.

Qesha me këtë “pagëzim” në të thatë të gjithë historisë. Pastaj ai vazhdoi të më tregonte për jetën e tij dhe doktrinën që kishte mbrojtur në Boston, rreth rolit të Patriarkanës në konvertimin e shqiptarëve në myslimanë gjatë shekullit të 18-të.

Sipas tij, meqë Patriarkana kishte pushtet absolut mbi botën ortodokse brenda Perandorisë Osmane, ajo ishte treguar e paaftë dhe e papërgatitur ndaj shqiptarëve, pasi ua ndaloi shkollat shqipe dhe ata nuk arritën kurrë të lexonin një Bibël. Në këtë mënyrë, shqiptarët ortodoksë ishin besimtarët më pak të arsimuar fetarisht, duke e bërë më të lehtë konvertimin e tyre në myslimanë nga perandoria. Ky proces u zhvillua kryesisht në Labëri dhe në zonat e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës.

-Për këtë më morën shumë inat në Patriarkanë, – më tha. – Dhe një nga shërbimet e mia në Afrikë ka bazën tek kjo e vërtetë e hidhur.

Unë i tregova se në Labëri dhe Zagori, fshatrat që nuk janë më ortodoksë, janë kryesisht bektashinj, por shumë pak prej tyre kanë objekte kulti. Madje, dervishët shëtitës shpesh mbajnë edhe rroba prifti kur kalojnë në fshatrat ortodoksë. Por ndodh që edhe priftërinjtë e këtyre kishave i përdorin ndonjëherë i thashe me humor.

-E di e di tha buzagaz. Jeni kripto-ortodoks

Këtu At Romanoi u bë serios dhe u ngrit në këmbë dhe tha:

–  Unë nuk e kam bërë!

Pastaj folëm për hallet financiare të Kishës. Më tregoi për vështirësitë e pafundme që kishte Kisha Ortodokse në Shqipëri për t’u financuar. Kishte marrë dy licenca për hidrocentrale, që do të përdorte për të siguruar të ardhurat e nevojshme, por as kjo nuk ishte një zgjidhje e plotë. Dukej qartë ankthi i tij për ditët që do të vinin.

Pak nga pak kaluan rreth tre orë pa u ndjerë. Në fund, më dhuroi disa libra dhe albume për ringritjen e Kishës Ortodokse Shqiptare.

U largova me një paqe të madhe në shpirt. Si për të çuar gjithçka mbarë, kisha përfundoi fiks dy ditë para festës së Shënmërisë, në një kohë rekord prej katër muajsh. Në përurimin e saj erdhën qindra njerëz, gjysma e të cilëve ishin myslimanë të fshatit, që nuk i linin radhë njëri-tjetrit për të hyrë në kishë.

E takova më pas në një pritje në ambasadën amerikane dhe i tregova fotot e festës dhe Kishës së rindërtuar. U gëzua shumë.

Tani që po shkruaj këto radhë, Kisha është transformuar tërësisht nga brenda. Ajo është veshur me ikona dhe vizatime shenjtorësh, duke marrë një pamje tërësisht të re dhe të paimagjinueshme disa vite më parë.

– Shpresoj të kem fuqi të vij ta shikoj, – tha.

Pastaj, situatën e mori në dorë Filip Çakuli. Filipi mund të fliste me Kryepeshkopin vetëm një herë në vit, sepse ai e “dënonte” gjithmonë pasi Filipi i tregonte barcaleta për priftërinjtë, të cilat natyrisht përfundonin duke ironizuar Kishën.

– Por sa herë e shikonte, ia hiqte dënimin për 5 minuta, derisa Filipi i tregonte barcaletën e radhës. Pastaj e dënonte përsëri.

Barcaleta e fundit që Filipi i tregoi ishte para dy vitesh:

–  Afrohu, – i tha Kryepeshkopi. – Hë, ka ndonjë të re?

–  Nuk të tregoj më barcaleta, – tha Filipi, – se më dënon. Por kam një lajm të keq.

– Sivjet nuk do ketë Pashkë.

–  Pashë në lajme që nga gërmimet në Jeruzalem është gjetur trupi i Krishtit. Domethënë, nuk është siç thoni ju që është ngjallur e ka ikur.

E kuptoi që kishte rënë në kurth.

– Tani dënohesh dy vjet, – i tha. – Ik, largohu!

Sot Kryepeshkopi Anstas është vetë banor i botës tjetër, por ajo që i ka dhënë botës ortodokse shqiptare do të mbetet gjatë në historinë e këtij vendi. Të tjerat do harrohen./   S,M

Të fundit

SHBA nis aksionin për ‘goditjen’ e emigrantëve pa dokumente, qindra dëbime dhe arrestime

Autoritetet amerikane po arrestojnë tashmë qindra emigrantë pa dokumente në ditë dhe po i dërgojnë ata në vendet e...

Ku jetonin fëmijët e Enverit? Shkallët e fshehta dhe ekranet ku shihnin gjyqet

Vila ku dikur jetonte diktatori Enver Hoxha, është hapur për vizitorët, e cila do të shërbejë për aktivitete kulturore. Historiani Erald Kapri ka treguar për...

Shenjat e horoskopit që nuk kënaqen kurrë me asgjë

E keni vënë re që disa njerëz, pavarësisht se çfarë kanë, pavarësisht se cfarë fitojnë, nuk ndihen kurrë të kompletuar? Edhe nëse në jetë...

Tension në fundin e takimit, momenti i përplasjes së trajnerit Conceicao me Calabrian

Milani mori një fitore spektakolare ndaj Parmës, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 3-2 dhe një fund drithërues.  Pas fishkëllimës së fundit nga arbitri Abiso, trajneri Sergio...

OSHEE kërkon 120 faturistë, të interesuarit mund të aplikojnë deri në 5 shkurt

OSHEE po kërkon 120 lexues të rinj për matësit e energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë, që do t’i bashkohen trupës aktuale prej 870...

Lajme të tjera

Web TV