Donald Trump njoftoi se mund të konsiderojë ribashkimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, disa ditë pasi urdhëroi Shtetet e Bashkuara të largohen nga agjencia për atë që ai e përshkroi si keqpërdorim të pandemisë së Covid-19 dhe krizave të tjera ndërkombëtare shëndetësore.
Shtetet e Bashkuara, që pritet të largohen nga OBSH më 22 janar 2026, janë deri tani financuesi më i madh i Organizatës që kontribuon afërsisht 18% të financimit të saj të përgjithshëm. Buxheti më i fundit dyvjeçar i OBSH-së, për 2024-2025, ishte 6.8 miliardë dollarë.
Trump i tha turmës së Las Vegasit se ishte i pakënaqur që Shtetet e Bashkuara i paguajnë më shumë para OBSH-së sesa Kina, e cila ka një popullsi shumë më të madhe. Përpara se të hapej për një rikthim të mundshëm zbuloi dhe këtë prapaskenë.
“Më ofruan 39 milionë dollarë dhe më thanë se do ju pranojmë sërish duke paguar atë shifër. Pra po na reduktojnë nga 500 milionë dollarë në 39 milionë. Por unë i refuzova sepse mora mbështetje për qëndrimin tim. Nuk e di nëse do të pritem mirë edhe me kontribut 39 milionë dollarë”, theksoi Trump.
Ndërkohë, presidenti amerikan beson se SHBA-të do të fitojë kontrollin e Groenlandës, pasi shfaqi interes për marrjen e territorit autonom danez në javët e fundit. “Unë mendoj se do ta kemi atë”, u tha ai gazetarëve në Air Force One, duke shtuar se 57 mijë banorët e ishullit “duan të jenë me ne”.
Komentet e tij vijnë pas raporteve se kryeministrja daneze Mette Frederiksen këmbënguli se Groenlanda nuk ishte në shitje në një telefonatë të zjarrtë me presidentin javën e kaluar. Trump shfaqi perspektivën e blerjes së territorit të gjerë të Arktikut gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019 dhe ka thënë se kontrolli amerikan i Groenlandës është një “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ndërkombëtare./E.T