Një grup hajdutësh ka kryer një grabitje spektakolare në Muzeun Drents në Assen, Holandë, duke përdorur eksplozivë për të hyrë brenda dhe duke vjedhur katër artefakte të lashta, përfshirë Helmetën e Cotofenesti, një objekt i rrallë historik rreth 2500-vjeçar. Incidenti ndodhi në orët e para të së shtunës.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur hajdutët hapën një derë të jashtme përpara duke e shpërthyer. Grabitësit morën tre byzylykë të artë nga shekulli i parë para erës sonë dhe Helmetën e Cotofenesti, një artefakt i çmuar në huazim nga Muzeu Kombëtar i Historisë së Rumanisë në Bukuresht.
Artefaktet ishin pjesë e ekspozitës “Dacia: Perandoria e Artë dhe e Argjendtë”, e cila paraqiste thesare të shquara nga Dakët, një shoqëri e lashtë që dikur jetonte në territoret e sotme të Rumanisë, në kohën e Ilirëve. Ekspozita, e cila nisi në korrik, ishte planifikuar të përfundonte të dielën.
Helmeta, e zbuluar rreth një shekull më parë në një fshat rumun, konsiderohej një “kryevepër” nga muzeu dhe ishte dekoruar me skena mitologjike dhe sy të dizajnuar për të mbrojtur mbajtësin nga “syri i keq”.
Policia holandeze njoftoi se po bashkëpunon me Interpolin për të hetuar rastin dhe ka marrë mbi 50 informacione deri të dielën. Ata po hetojnë një makinë gri, e cila u vodh disa ditë më parë në Alkmaar dhe u gjet e djegur pranë vendit të krimit. Mendohet se autorët kanë përdorur një tjetër makinë për t’u larguar.
Drejtori i Muzeut Drents, Harry Tupan, e quajti këtë ngjarje një “ditë të errët” për institucionin dhe për Muzeun Kombëtar të Rumanisë. Ai shprehu trishtimin dhe tronditjen e thellë për humbjen e objekteve të paçmueshme. /e.t