Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Kolumbia ka pranuar të lejojë riatdhesimin e emigrantëve të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, pas një konflikti diplomatik që përshkallëzoi deri në kërcënime për tarifa të larta tregtare nga ana e Presidentit Donald Trump.
Ngjarja pasoi bllokimin e dy avionëve ushtarakë amerikanë nga autoritetet kolumbiane të dielën, të cilët transportonin emigrantë të riatdhesuar.
Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, refuzoi fillimisht uljen e avionëve, duke deklaruar se SHBA “nuk mund t’i trajtojë emigrantët kolumbianë si kriminelë.” Si përgjigje, Trump urdhëroi tarifa urgjente prej 25% për importet nga Kolumbia, të cilat do të rriteshin në 50% brenda një jave, si dhe sanksione të tjera, përfshirë ndalimin e udhëtimeve dhe revokimin e vizave për zyrtarët kolumbianë.
Në mbrëmjen e së dielës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi arritjen e marrëveshjes, duke njoftuar se Kolumbia ka rënë dakord për pranimin e pakufizuar të emigrantëve të riatdhesuar dhe se avionët ushtarakë amerikanë do të lejohen të transportojnë emigrantët pa kufizime.
Si pjesë e marrëveshjes, SHBA nuk do të zbatojë tarifat dhe sanksionet ekonomike të urdhëruara nga Trump, përveç nëse Kolumbia nuk respekton kushtet e marrëveshjes.
Megjithatë, disa sanksione, përfshirë revokimin e vizave për zyrtarët kolumbianë dhe inspektimet doganore të rrepta për qytetarët dhe anijet nga Kolumbia, do të mbeten në fuqi deri në kthimin e parë të suksesshëm të emigrantëve. Ministri i Jashtëm kolumbian, Luis Gilberto Murillo, konfirmoi të dielën vonë se fluturimet për riatdhesimin e emigrantëve nga SHBA kanë rifilluar./kb