Po zhvillohen homazhet për kryepeshkopin Anastas Janullatos në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë, teksa po marrin pjesë për t’i dhënë lamtumirën dhe lutur përveç mijëra qytetarëve, edhe personalitete nga fusha të ndryshme të jetës, përfshi edhe ato të komuniteteve fetare.
I pranishëm sot (29 Janar) për t’i bërë homazhe kreut të ndjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ishte edhe kreu i Komunitetit Bektashi, Baba Mondi.
Ai vlerësoi figurën e Janullatosit, me të cilin tha se “ka bashkëpunuar edhe personalisht me të”, duke uruar që “Zoti ta ketë në parajsat e veta” për veprën që la pas për kishën, duke shtuar se “e ngriti nga varri Kishën Ortodokse Shqiptare”
Fjala e Baba Mondit pas homazheve:
“Fortlumturia është personalitet i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili ka punuar me vetëmohim për ta ngritur këtë kishë nga varri. Ka qenë njeri që ka bashkëpunuar me të gjitha komunitetet fetare dhe sidomos me mua personalisht dhe më vjen keq për çdo njeri që largohet nga kjo botë, por ai po largohet me një vepër që i ka lënë pas Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe shqiptarëve. Ngushëllime Kishës Ortodokse, Zoti e pastë në parajsat e veta. Qofshi dritë dhe Zoti na bekoftë të gjithëve, amin!”.