Kompania zvicerane e ushqimit Nestle do të investojë një miliard dollarë gjatë tre viteve të ardhshme për të rritur prodhimin në Meksikë, njoftoi presidentja meksikane Claudia Scheinbaum pas një takimi me menaxhmentin e kompanisë.
“Më shumë lajme të mira për Meksikën: ne u takuam me drejtuesit e Nestle në Pallatin Kombëtar. Ata njoftuan një investim të ri prej një miliard dollarësh. Ne vlerësojmë besimin e treguar në vendin tonë”, tha Scheinbaum në një video të postuar në platformën X.
Sipas saj, ky investim është pjesë e “Planit për Meksikën”, një iniciativë e qeverisë që synon të zëvendësojë importet kineze dhe të inkurajojë prodhimin vendas në mënyrë që të fuqizojë si tregun meksikan ashtu edhe atë të Amerikës së Veriut.
“Ky është një shans i madh për të rritur besimin në Meksikë, qeverinë e saj dhe mundësitë e mëdha që vendi i ofron botës,” tha CEO i Nestlé Mexico, Fausto Costa.
Meksika përballet me kërcënimin e tarifave prej 25 për qind për eksportet e saj në SHBA, të cilat Presidenti Donald Trump do t’i vendosë më 1 shkurt.
Deri në vitin 2023, 83 për qind e eksporteve të Meksikës, me vlerë më shumë se 490 miliardë dollarë, ishin të destinuara për në SHBA./kb