Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përpiluar një plan të posaçëm masash për të parandaluar dhe hetuar rastet e krimit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Plani, i miratuar me urdhër të kreut të SPAK, Altin Dumani, më 24 janar 2025, ka si objektiv garantimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe ndëshkimin e çdo veprimi që cenon votën e lirë.
Ngrihet Task Forca
Në kuadër të këtij plani, do të ngrihet një Task Forcë e posaçme, e cila do të drejtohet nga kreu i SPAK dhe do të përbëhet nga prokurorë, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ekspertë financiarë dhe staf administrativ mbështetës. Struktura do të ketë një bazë qendrore dhe grupe të dedikuara hetimore në terren, të cilat do të jenë të shpërndara në të gjitha qarqet dhe bashkitë e vendit. Hetimet do të fokusohen në parandalimin dhe ndjekjen penale të veprimeve që lidhen me përdorimin e administratës publike për qëllime elektorale, shfrytëzimin e infrastrukturës shtetërore për fushatë, përfshirjen e grupeve kriminale në blerjen e votave dhe manipulimin e procesit zgjedhor. Për të rritur efikasitetin e punës, SPAK do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet shtetërore dhe organizmat përgjegjëse për zgjedhjet, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një hetues i BKH-së do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me KQZ-në për shkëmbimin e informacioneve në kohë reale. Gjatë fushatës, do të monitorohen gjithashtu të dhënat e publikuara në media dhe rrjetet sociale, për të identifikuar raste të mundshme të shkeljeve zgjedhore. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i planit është monitorimi i financimeve gjatë fushatës. SPAK do të ndjekë nga afër përdorimin e buxhetit dhe investimeve publike, për të parandaluar shpërdorimin e fondeve shtetërore në favor të subjekteve elektorale. Hetues të specializuar do të verifikojnë transaksionet financiare dhe burimet e financimit të partive politike dhe kandidatëve.
Platoformë për denoncim
Në kuadër të këtij operacioni, do të krijohet një platformë e posaçme për denoncime, ku qytetarët mund të raportojnë raste të blerjes së votës, presioneve apo abuzimeve me burimet shtetërore. SPAK bën thirrje për bashkëpunim nga publiku, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm. Çdo denoncim do të trajtohet me përparësi dhe do të ndiqet në përputhje me ligjin. Prokuroria e Posaçme thekson se do të ketë një qasje të rreptë ndaj çdo akti që cënon integritetin e zgjedhjeve dhe se strukturat e saj do të jenë në gatishmëri të plotë për të vepruar në kohë reale ndaj çdo rasti të dyshuar.
Dashamir Shehi: SPAK ka besimin e popullit, por pa numërim elektronik, votat do vidhen sërish
Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka komentuar rolin e SPAK në hetimin e krimeve zgjedhore dhe procesin e ardhshëm elektoral, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme duhet të bëjë më shumë për të garantuar zgjedhje të ndershme. Shehi shprehu besimin se SPAK mund të luajë një rol të rëndësishëm, por nënvizoi se pa reformimin e mënyrës së numërimit të votave, fenomeni i manipulimeve do të vijojë. “Uroj të bëjnë diçka, sepse SPAK gëzon besim popullor. Disa nga dosjet e vjetra mund të ishin mbyllur, por frika e ruan vreshtin. Meqë ka besimin e qytetarëve, le ta bëjë punën siç duhet,” u shpreh Shehi. Ai theksoi se një nga problematikat kryesore të procesit zgjedhor është numërimi manual i votave, i cili mbetet në duart e partive të mëdha, duke lënë hapësira për manipulim. Sipas tij, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk ranë dakord për votimin dhe numërimin elektronik, gjë që do të kishte shmangur abuzimet dhe do të siguronte një proces më transparent. Shehi kritikoi sistemin aktual të komisionerëve zgjedhorë, të cilët, sipas tij, nuk mbrojnë votën, por interesat e partive që i kanë caktuar në detyrë. “E ashtuquajtura ‘ushtri e komisionerëve’ është abuzuese dhe përdoret nga partitë e mëdha për të manipuluar votat. Njëri komisioner pret të bëhet polic, tjetri doganier, ndaj janë të detyruar të ruajnë interesat e atyre që i kanë vendosur aty. Në fund, komisionerët e partive të mëdha merren me vjedhjen e votave të partive të vogla,” tha ai. Shehi ka qenë prej kohësh mbështetës i sistemit të votimit elektronik, duke argumentuar se kjo metodë do të eliminonte manipulimet e votave dhe do të rriste transparencën e procesit. Ai ka bërë thirrje për një reformë zgjedhore që do të garantonte zgjedhje më të ndershme dhe larg ndikimit të drejtpërdrejtë të partive të mëdha në procesin e numërimit të votave.