Presidenti po jeton në 12 metra

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Frrok Çupi

Paska dhënë një intervistë nga qelia dhe duket se ka tronditur shumëkënd. Të mahnitur mbetën sidomos disa gazetarë të sapo ardhur në redaksi…, dhe disa pak të tjerë të shtirur rreth Partisë. ‘Presidenti Meta jeton në 12 metra katror!’. Ky ishte lajmi.

Në atë sipërfaqe, pa dyshim, kanë kaluar jetën qindra të tjerë që nga ‘koha e Italisë’ kur u ndërtua burgu; qindra të tjerë janë sot fqinjë të Metës.

Por emocionin e shkakton lajmi se ‘Meta jeton në 12 metra’.

Nuk ka asnjë çudi, edhe pse duket si akt mazokist i të vegjëlve që ndodhen jashtë qelisë. Ky është vetëm një aspekt fluid i fenomenit që ka nisur të endet si pëlhurë edhe në vendin tonë.

Fenomeni është ky:

Mafia shqiptare ka nisur të bëjë historinë. ‘Ka nisur të bëjë’ historinë, them se vetëm tani po bën gjurmë, po lë shenja, po shkakton vragë.., këto shenja do të ngurosen për shekuj. Sa kohë e gjatë do të kalojë, por qelia numër 5 e burgut 313 në Tiranë, do të muroset me emrin ‘qelia e Presidentit Meta’.

Po ndodhin surprizat që në botë kanë nisur të ndodhin para ca shekujsh e deri më sot.

Fryma e re e ndëshkimit të të pandëshkueshmëve, të cilët tashmë po i shikojmë tek përpëliten në ‘tavën’ e Drejtësisë; kjo frymë kaq e mirëpritur, do të instalojë edhe gjurmët e para të Mafias. Vila e Metës në Lalëz, edhe pasi të përdoret si burg për azmatikët, zor se do të quhet më ‘vila e 9 maceve’, por ‘vila e Metës’. Edhe vila e Berishës, po ashtu. A mos vallë kur të thërritet ‘Rruga e mafies Berisha’, në vend që të quhet ‘Mustafa Matohiti’, njerëzit do të ndiejnë keqardhje apo ndonjë pikë kënaqësie estetike? Nuk i dihet, varet cilët do të mbeten të lidhur me atë ‘vragë’ rruge.

Veçse një gjë është e vërtetë: Këta emra që do të jenë gjurmë fillestare të Mafies gdhendur në mure, këta do të ngjallin kureshtjen njerëzore.

Ka dy arsye, ashtu si edhe në botë, pse do të ngjallin kureshtjen:

E para, se do të kthehen në atraksione dhe në ‘tripe kulturorë’. Edhe urrejtësit më të mëdhenj të mafiozëve të caktuar, pa asnjë hezitim do të ftojnë turistët: ‘Ejani, shikoni vilat e Lalëzit, këto janë të dy presidentëve në njëherë e një kohë’.

Lexo edhe :  Të paktën kërkojini falje Lulëzim Bashës

Edhe pse shumë qenie të vogla mafioze do të tentojnë t’u ngjajnë paraardhësve si të pasur. Ata mbahen në mendje, jo filozofët as humanistët. Pse vallë në Itali kujtohet më kollaj emri ‘Ndragheta’ se sa Falcone…, ose Aldo Moro?.

E dyta, emri ‘Mustafa Matohiti’ do të shuhet nga rruga; jo pse vetë djaloshi partizan i Luftës së Dytë, po të ishte gjallë do të gërditej nga banori mafioz që ka shtëpinë aty… Por sepse vetë Mafia është në një luftë të egër me idhujt e tjerë, sidomos me vlerat e lirisë së popujve.

Ja pse deri më sot nuk ka mbetur asnjë gjurmë ‘mafioze’ nga koha e Enver Hoxhës, edhe pse ishte diktator, edhe pse ka shumë njerëz që e mallkojnë edhe sot e kësaj dite. Por nuk kishte mafie. Madje edhe fëmijët e tyre, ditën e fundit, mbetën pa strehë. (Meqë ra fjala, sa vila kanë nëpër botë këta fëmijët e mafiozëve që tani po lënë puplat?)

Prandaj ka vlerë, edhe pse duket në detaj, ai emocioni gazetarëve kur intervistuan Metën: ‘Uau, presidenti në 12 metra!’. Mahniten. Mahniten sepse është fillimi i muzealizimit të Mafies në vendin tonë. Ashtu siç vizitohen me ‘veneracion’ vilat e El Chapo Gusman, Toto Rinos, Al Capones, Pablo Escobar…

Kur e vizitova Alkatrazin në San Francisco, ca vite më parë, nuk mund t’i besoja pamjes në portretet e miqve të mi. Bëheshim disa gazetarë nga Europa. Ishte edhe ftohtë e motit, por më acar vinte nga historia e shkëmbit Yerba Buena, që tani i gjithë 20 hektar ishull quhet Albatraz. Aty ishte burgosur Al Capone, një nga gangsterët mafiozë më të egër të të gjithë kohërave. Vijnë aty mijëra vizitorë përmes Golden Gate Bridge. Ndërsa kujtimi i frikshëm i mafiozit, ‘zot i shkëmbit’, ka mbetur i përjetshëm nën ato llamarina të vjetra…

Ne këtu, sapo e kemi nisur ‘Mafia Trip’./kb

Të fundit

Tensione te “Zogu i I-rë”, Berisha mbërrin në protestë, militantët përzënë mediat

Lideri demokrat Sali Berisha ka mbërritur në protestën e organizuar nga opozita në kryqëzimin e Sheshit Skënderbej me Bulevardin...

Jashtë parlamentit pas 3 dekadash, vjen reagimi i parë i Pandeli Majkos

Ndërsa procesi i numërimit të votave, përfshirë edhe ato preferenciale, po shkon drejt fundit, deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko duket se nuk do...

Rama: Nuk u martuam sot! Frederiksen: Duhet të jemi bashkë

Kryeministri Edi Rama dhe homologia daneze Mette Frederiksen, gjatë konfernecës për shtyp, u pyetën edhe për procesin e integrimit të Ballkanit perëndimor. Rama e...

“Pse duhej pritur Trump për armëpushimin?” Rama: Skuadër bashkërenduese të KPE

Do të kemi një skuadër bashkërenduese të KPE nën kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Europian për një seri temash. Kështu u shpreh...

Lapaj reagon me vargjet e Hygosë: Të dua, Shqipëri! Në mbettë veç një, unë do të jem ai

Adriatik Lapaj nga koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet nga reaguar për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Në një postim në Facebook, ai ka zgjedhur...

Lajme të tjera

Web TV